E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e frikësuar. Bashkia: “E kemi situatën nën kontroll”

Uji vazhdon të përparojë drejt qytetit të Shkodrës. Lagjja “Xhabije” vazhdon të mbetet e izoluar nga prurjet gjithnjë e në rritje të lumit Buna. Bllokimi i kolektorëve të shkarkimit të ujërave të bardha ka bërë që uji të pushtojë rrugën kryesore, ndërkohë që autoritetet vendore deklarojnë se nuk ka nevojë për panik, pasi situata është nën kontroll. Ndërkohë, prurjet e lumit Buna e kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve nëpër rrugën hyrëse të qytetit.
Por, përveç lagjes “Xhabije”, situata paraqitet problematike edhe në lagjen “Tophanë”, e cila ndodhet më në brendësi të qytetit. Prurjet e lumit Buna kanë bllokuar kolektorët e ujërave të bardha dhe të zeza të kësaj lagjeje, që ndodhet pranë lagjes “Livade”, e cila gjendet e përmbytur prej pesë ditësh. Në lagjen “Tophanë”, një problem serioz mbeten ujërat e zeza që, sipas banorëve të zonës, kanë nisur të dalin në sipërfaqe si pasojë e bllokimit të kanalizimeve. Për pasojë rreth 30 familje të kësaj lagjeje janë detyruar të lënë banesat e tyre. Një nga banorët e zonës, Shkëlzen Pelinku, shprehet për “Shqip”: “Ka dy ditë që nuk mund të përdorim banjat e shtëpive. Prurjet e lumit Buna kanë bllokuar kanalizimet e ujërave të zeza dhe për pasojë i gjithë uji po hyn nga banjat. Kemi kërkuar ndihmë nga drejtuesit e bashkisë, të cilët na premtuan se situata do të normalizohet. Por e gjithë lagjja është në të tilla kushte, kemi fëmijë dhe kemi frikën e ndonjë epidemie”.
Përmbytjet
Brenda dy ditësh prurjet e Bunës shkaktuan probleme serioze në lagjen “Livade”, “Udha Kryq”, ku me qindra banesa janë të përmbytura dhe qindra ha tokë ndodhen nën ujë. Ndërsa dy lagje në brendësi të qytetit, “Xhabije” dhe “Tophanë”, po pushtohen gjithnjë e më shumë nga uji i lumit Buna, duke krijuar probleme serioze për banorët, të cilët ndihen të frikësuar.Tashmë qyteti i Shkodrës është i rrethuar nga tri anë të ndryshme nga uji: lumi Drin, lumi Buna dhe Liqeni i Shkodrës, të cilët tashmë kanë dalë jashtë argjinaturave mbrojtëse, për shkak të prurjeve të mëdha, duke bërë që qyteti i Shkodrës të duket sikur është nën mbretërinë e ujit.
Bashkia
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe qyteti nuk rrezikohet.
“Bllokimi i kolektorëve nga prurjet e lumit Bunë ka krijuar probleme në hyrje të qytetit të Shkodrës. Por unë dua të theksoj se nuk ka vend për panik, pasi çdo gjë është nën kontroll. Nga parashikimet që kemi, brenda dy ditësh i gjithë niveli i ujit do të bjerë dhe situata do të kthehet në normalitet. Kemi nisur të thithim ujin me pompa, të cilat na kanë ardhur si ndihmë nga Maqedonia. Në të njëjtën kohë, bashkë me drejtuesit e Drejtorisë së Shëndetit Publik Rajonal, po monitorojmë situatën dhe pavarësisht se për momentin nuk është e nevojshme dezinfektimi i zonës, kjo do të kryhet për arsye sigurie. Bashkia e Shkodrës do të vërë në shërbim të qytetarëve të saj të gjitha kapacitetet e mundshme për normalizimin e situatës. Dua të theksoj se nuk ka asnjë problem për pjesën e brendshme të qytetit, gjithçka është e sigurt”, ka thënë kreu i bashkisë, Lorenc Luka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›