Ra kjo përmbytje, e po shihemi!!!
Në fakt titulli i mësipërm nuk ka për qëllim të kopjojë shkrimtarin e shquar shqiptar Ismail Kadare me librin e tij .... “Ra ky mort e u pamë” ku drama e Kosovës dhe kosovarëve vjen përmes rrëfimit të autorit nëpërmjet vuajtjeve të popullatës atje para, gjatë dhe pas bombardimeve. Por e kam zgjedhur për të treguar një tjetër tragjedi, tragjedinë tonë të nesërme, të të gjithë shqiptarëve, dhe jo vetëm të banorëve të zonave të përmbytura. Eshtë e thjeshtë për qeveritarët që ta konsiderojnë atë që po ndodh në Shkodër, një katastrofë, apo një prag-katastrofë, apo një tragjedi, apo...nuk e dimë se çfarë emrash të tjerë do t’i vihen kësaj situate alarmante deri në fund. Eshtë po aq e thjeshtë për këta të fundit, që në sytë e opinionit mbarëpublik, të fitojnë pikë nëpërmjet “katastrofës”. Siç e konstatoi pak ditë më parë kolegia Alba Malltezi në Periferinë e saj në “GSH”, qeveritarët apo opozitarët, më shumë sesa te fatkeqësia e madhe që ka pllakosur ata njerëz në veri të vendit, e kanë mendjen sesa mirë dhe sa gjatë në minutash do dalin në kronika televizive apo lajme gazetash. Por, ja që efekti mediatik e ka kryer shumë mirë punën e vet. Pra sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve “Zëri i Amerikës”, 86 për qind e shqiptarëve deklarojnë se qeveria e ka menaxhuar shumë mirë situatën e përmbytjeve. Unë bashkohem personalisht me zërin e këtyre qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit, sepse kemi ndjekur nga afër punën e ministrave, të të gjithë ministrave dhe kryeministrit për të menaxhuar situatën. Kam parë atje kryeministrin, pothuajse përditë, kam parë ministrin e Mbrojtjes dhe atë të Brendshëm, ministrin e Bujqësisë e atë të Shëndetësisë, pse jo dhe liderët dhe deputetët e opozitës. Një panoramë kjo krejt e ndryshme nga ajo e ish-kryeministrit të dikurshëm që endej buzuqeve të Athinës ndërsa në Shqipëri vdisnin njerëz. Por ç’vlerë ka gjithë ky impenjim i strukturave kur në fakt, fatura që do të rëndojë në xhepat e shqiptarëve është shumë, shumë herë më e madhe sesa impenjimi i gjithë qeverisë e opozitës bashkë? Gazetarët e Gazeta Shqiptare, që prej dy ditësh, duke folur me ekspertë e specialistë, po rreken të analizojnë dhe të hedhin sadopak dritë mbi shifrat alarmante që shtohen nga dita në ditë të situatës së dëmeve. “Do të dëmshpërblehen një më një të gjithë të dëmtuarit”, deklaron kryeministri. Kjo është një thënie optimiste për të gjithë ata që jetojnë me ujin dhe rreth tij. Po si? Si do të dëmshpërblehen këto familje? Ku do të gjenden paratë? Opozita, në fund-vitin e kaluar dha alarmin e krizës së madhe ekonomike që ka pllakosur vendin. Kriza, sigurisht nuk u mohua dhe nga qeveria. Aq më tepër edhe me veprime, ku rrogat e shpërblimet e administratës shtetërore u vonuan për gati një muaj për shkak të mungesës së parave në arkat e shtetit. Biznesmenët nga ana tjetër janë duke u ankuar. Bëhet fjalë për ata të cilët kanë ndërtuar disa vepra të mëdha publike, më së shumti rrugë, të cilët, prej disa muajsh u janë kërkuar nga drejtoria e Rrugëve dhe i kanë përgatitur situacionet e punimeve që kanë kryer për llogari të këtij institucioni, dhe nuk kanë marrë (dhe as kanë ndonjë shpresë të marrin) asnjë kokërr leku. Po pse? Sepse, sikurse flitet nëpër dhëmbë nga ndonjë zyrtar i administratës, arka e shtetit është bosh. Po se mos vetëm biznesmenët e rrugëve...Po TVSH që duhet të rimbursohet? Po në doganat shqiptare që raportohet sa e sa herë që nuk zbatohet MSA për regjimin dhe taksat për mallrat që duhet të vijnë në vend, por ruhen ato çmimet e referencës, të padëgjuara në ndonjë vend evropian, vetëm për të mbushur arkën e doganës dhe për të realizuar planin në dëm të biznesmenëve shqiptarë? Ka shumë ‘pse’ lidhur me financat dhe buxhetin e kësaj qeverie apo të të gjithëve ne bashkë. Por ka vetëm një ‘sepse’: mungojnë paratë dhe kjo është katastrofa më e madhe sesa ajo që ka pllakosur Shkodrën për 11 ditë me radhë. Sigurisht, kryeministri ynë, si mjeshtër i fjalës dhe premtimeve, jam e sigurt që do ta kalojë gjithë këtë situatë. Jam e sigurt që për secilën familje do të vendosë nga një kuotë ‘x’ milionë lekë të vjetra mesatarisht çdo familje e përmbytur. Dhe do të fitojë pikë: a e dini pse? Jo sepse ata qytetarë në veri të vendit, më së shumti votojnë për të djathtën, por sepse, ata nuk e shohin qeverinë si një institucion që duhet t’u japë një më një të gjitha paratë për dëmet e shkaktuara, por e shohin atë si një institucion që po i ndihmon në një moment shumë të vështirë përmbytjeje, duke i çuar miell, sheqer, vaj, bukë...pse jo, duke u hequr edhe gjedhët nga zonat e rrezikuara. Ata nuk e konceptojnë se janë ata, që me taksat e tyre (nëse paguajnë taksa të kuptohemi...por edhe nëse nuk paguajnë ata, paguajmë ne për ta), mbajnë shtetin në këmbë dhe kanë të drejtë të kërkojnë llogari një më një, për të gjitha dëmet që u vijnë po nga keqqeverisja. Sigurisht, kjo nuk mund të quhet një fatkeqësi natyrore. Pra nuk pati tsunam, nuk pati as tërmet, nuk pati as ngritje të detit për të marrë qytetin përpara...Pati hapje të portave të hidrocentraleve. Ndaj dhe qeveritë e vendeve partnere, në të shumtën e rasteve, nuk i janë përgjigjur kërkesës së qeverisë shqiptare në ndihma në para: por kanë sjellë ekspertë, ushqim, medikamente, pompa uji, ekskavatorë, gjeneratorë...e mjete të tjera që mund të futen në punë, pavarësisht se edhe ushtria shqiptare mund t’i ketë ato. Këtë radhë, qeveria “Berisha” në aspektin financiar, do të duhet të duhet të paguajë vetë dëmet e kësaj katastrofe. Se ku do t’i gjejë paratë, kjo është punë për të. Sepse nuk mendoj se edhe me paratë e shitjes së energjisë elektrike gjatë këtyre ditëve nuk mund të përballohet dëmi gati 100 milionë euro në zonat e përmbytura (nëse shifra do të jetë e tillë). Por qeveria jonë, duhet të paguajë një më një edhe kompaninë Bechtel Enka, që po “ia përpin” paratë shqiptarëve, por duhet të paguajë edhe interesat e larta të kredive që ka marrë, por duhet të paguajë gjithashtu edhe administratën, pensionistët, ushtarakët, trupat në Afganistan a Irak, duhet të paguajë edhe borxhlinjtë e vet brenda vendit, e sa e sa pagesa që vetëm Bode mund t’i dijë me saktësi si ‘kryefamiljari’ i vendit në këto momente. Katastrofa është tani. Jo ajo që ndodhi. Emrin asaj që ndodhi duhet t’ia vënë ekspertët. Në kohën kur jetojmë fazën e tretë të krizës ekonomike botërore, që preku sigurisht dhe vendin tonë, për xhepat e të gjithë shqiptarëve, kjo do të jetë katastrofa. Sepse bota nuk na dha para. Por paratë, do t’i japim ne: me dashje apo forcërisht. Dhe këtë, si një lloj evakuimi me forcë, do të na e thotë qeveria, pak javë më vonë, sa të bëjë bilancin dhe faturën e dëmeve. Atëherë duhet të themi: Ra kjo ‘përmbytje’ e ja ku po shihemi zoti kryeministër!