Mungesa e demokracisë brenda Omonias dhe arroganca e pseudokryetarëve
Përvjetori i Omonias dhe ndalimi arbitrar i fjalës përshëndetëse të Spiro Kserës nga Vangjel Dule dhe Vasil Bollano në vendlindjen e minoritarit ministër dëshmuan qartë mungesën e demokracisë brenda këtij grupimi. Më në fund ndalesa e fjalës së lirë prej një elektricisti dhe prej një të llastuari pa profesion dëshmon se ku ka katandisur organizata e minoritetit që është formuar ekzaktësisht për të vendosur vlerat e demokracisë dhe perëndimit në pjesën e minoritetit grek të Shqipërisë. Më e bukura është se jo vetëm që këto vlera u nëpërkëmbën rëndë në ngjarjet e fundit dhe faqe edhe diplomatëve më të lartë të Greqisë së akredituar në vendin tonë, por se përbaltja e idealeve të lirisë dhe shprehjes ndodhi nga vetë eksponentë të minoritetit pa asnjë ndërhyrje të jashtme. Mund të ishte disi e justifikueshme nëse takimi do të ishte prishur nga ndonjë eksponent pseudopatriot e ëndërrimtar i të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe” që rastësisht mund të ishte në sallë, por që mbyllja e gojës dhe shtrëngimi i lakut të fjalës së lirë të ishte me vulën e vetë minoritarëve, ishte gjëja më e keqe që mund të bëhej. Kjo sepse as diplomatët e shtetit fqinj nuk do të mund të fajësojnë askënd jashtë asaj salle në vlerësimin e tyre. Bëmat e Bollanos dhe Dules kanë marrë padyshim vetëm përbuzjen dhe inatin e zyrtarëve të Greqisë. Ajo që ndodhi ditën e diel me Omonian në Derviçan ishte mësimi që minoriteti duhet të marrë pas kalimit të fateve të tij në duart e të paaftëve që jo vetëm bëjnë pazare personale në kurriz të njerëzve të thjeshtë, por nuk duan të shprehin asnjë fije pendim dhe as të kërkojnë falje që e hodhën minoritetin dhe Omonia-n në një situatë të barabartë tashme me atë të para viteve 90. E them këtë pasi çdo drejtues edhe ata të vetëshpallurit si Bollano apo Dule gjykohen pa afate, madje që në momentin që marrin pozat e kryetarëve. Në fakt karizma e kryetarit nuk lind me hipjen e tij në fron dhe as që mund të mësohet me kalimin e kohës. Një udhëheqës është udhëheqës shumë kohë para se ai të zgjidhet. është gati të drejtojë pasi ka objektiva, beson tek ato me vendosmëri e guxim. Kur ai flet asgjë nuk është e tepërt apo e diskutueshme, asnjë fjalë e tij nuk synon të shmangë thelbin duke iu dedikuar formalizmit. Krejt e kundërta që ndodh aktualisht me të vetëshpallurit si drejtues të minoritetit. Mundet që Dulja të bërtasë se e ka greqizmin në shpirt dhe jo në buzë, por kjo nuk i duket dhe as ndjehet nga ata njerëz për të cilët ai thotë se u shërben, por që nuk u ka bërë asgjë madje as që i ka punësuar. Ai ka bërë plot favore për miqtë e vet, përfshirë të gjithë kundërshtarët më të mëdhenj të kryeministrit aktual, por asgjë për banorin e thjeshtë të Derviçanit apo të Dropullit. Mundet që zotëria të udhëtojë me Tuareg e të shkojë e vijë në Janinë, por kjo nuk ka si e ndihmon as gjirokastritin, as himariotin, as vlonjatin, as vendaliun e Nartës dhe askënd. Udhëheqësi nuk është as si Dule dhe as si Bollano pasi një drejtues dallohet për cilësinë e zgjedhjeve dhe njerëzve që mban afër në daljet e tij publike. Omonia nuk ka të tillë dhe këtë e them me pikëllim se atje po jep shpirt demokracia dhe vlerat e saj. Dakordësia me mesataren apo nënmesataren dhe marrja me gjërat më të parëndësishme njerëzore janë defekte të palejueshme për udhëheqësin. Sado pikë dhe të dhëna pozitive të thuhet se ka një drejtues i ri, të gjitha anullohen kur ai ndan portofole, bën pazare personale, punëson mbi kritere interesash vetjake apo për të joshur bashkëfshataret e veta përdor postin e pushtetin. Të gjitha këto me saktësi matematikore e çojnë njeriun-udhëheqës në Vaterlo. Pikërisht atje ku fatkeqësisht ndodhen sot të dy të vetëshpallurit kryetarë. E një kryetar që e meriton emrin e vet nuk ndalet as nga gjendja shpirtërore e shoqërisë që përfaqëson as nga vështirësia e pjesës që përfaqëson, por me vullnet e punë kthen faktorët që duken sikur janë kundër tij në faktorë pro dhe çan përpara me besim. Vështirë se Bollano dhe Dule njohin humanizmin e filozofisë greke dhe as që mund të hyjnë në detaje e analiza se si arriti Greqia që me kalimin e shekujve qoftë nën zgjedhën e romakëve apo edhe më vonë deri në vitin 1821, vitin e revolucionit të përfshinte 17 grupe të ndryshme popullsish që edhe pse në fillim mund të kishin shkuar atje si mësymës u vendosën më pas dhe jetuan në harmoni me popullsinë vendase. Kjo për të ashtuquajturit drejtues të sotëm të minoritetit grek nuk do të thotë asgjë, sepse për ta kulturë do të thotë konsum masiv, egoizëm, pangopje, shfrytëzim sharje e qarje pafund për gjoja diskriminim të vazhdueshëm. Sistemi që këta gjoja udhëheqës ngritën në minoritet nuk lejon që të dalin drejtues të vërtetë të pakontrolluar nga ata. Ata u provuan se janë në shërbim të interesave vetjake pse jo edhe mafioze që bëjnë pazare me tokat e bregdetit, pra vasalë të interesave të veta krejtësisht personale. Për këta gjoja udhëheqës ajo që kërkon minoriteti, Omonia dhe demokracia do të mbeten veç llafe pa vlerë. Dule duhet të kuptojë më së fundi se greqizma që gjoja ai e ka në shpirt nuk është veçori selektive apo race, në fakt duhet të jetë kulturë. Një kulturë që fatkeqësisht sado që ta thotë me gojë nuk e provon dot. Zoti shpëtoftë Omonian dhe minoritetin…...