E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria nuk ka rishikuar rregulloren e vitit ’88 siç përcaktohej në vendim

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mund të jetë ligjërisht përgjegjëse për dëmet që u janë shkaktuar banorëve të zonave të përmbytura të Nënshkodrës, ndërkohë që rregullorja e hidrocentraleve të Drinit duhej të ishte rishikuar, në bazë të një vendimi qeverie të vitit 2004, bëhet e ditur nga ekspertët e fushës.
Vendimi i qeverisë “Për miratimin e rregullores për sigurinë e digave dhe dambave”, me numër 174, dt. 18 mars 2004, sanksionon se digat duhet të menaxhohen njëkohësisht për të gjitha funksionet që kryejnë, përfshirë edhe shmangien e përmbytjeve në zonat poshtë tyre, ndërsa sanksionon gjithashtu se rregulloret e mëparshme duhet të rishikohen në mënyrë që të jenë në përputhje me rregullat e reja.
Niveli i lejuar
Qeveria shqiptare u është referuar gjatë këtyre dy ditëve një rregulloreje për menaxhimin e kaskadës së Drinit të miratuar në vitin 1988 dhe pretendon se nuk e ka shkelur atë. Disa ekspertë, si edhe opozita politike, e kanë akuzuar qeverinë se ka lejuar ngritjen e nivelit të ujit në Fierzë deri në 292 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që sipas rregullores së vitit ’88, për muajin dhjetor lejohej niveli maksimal prej 290 metrave.
Digat mbi lumin Drin, përveç prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike në vend, shërbejnë edhe për racionalizimin e derdhjeve të këtij lumi në Bunë, gjë që i ka rralluar përmbytjet. Ekspertët kanë debatuar mbi faktin se Fierza mund të menaxhohet në mënyrë të tillë që të shmangë të gjitha përmbytjet në zonën e Nënshkodrës, në rast se niveli maksimal i lejuar për dhjetorin do të ishte p.sh. 285 metra dhe jo 290. Qeveria thotë se ka vepruar në përputhje me rregulloren. Në fakt, vendimi i vitit 2004 në nenin 29 thotë: “çdo përmirësim ose ndryshim që bëhet në legjislacion e në rregulloret e miratuara më parë nga organet shtetërore dhe KKDM-ja, reflektohet nga shfrytëzuesi edhe në rregulloren teknike të shfrytëzimit, mirëmbajtjes dhe të kontrollit të objektit dhe nënobjekteve".
Vendimi i vitit 2004 sanksionon edhe kontrollimin e funksionimit të “të gjitha nënobjekteve të shkarkimit e të boshatisjes së ujëmbledhësit deri në vendin ku shuhen efektet e shkarkimeve, duke marrë masat përkatëse për mangësitë që konstatohen, me afate të përcaktuar për vënien në gatishmëri të plotë të tyre. Vendimi thotë se këto masa duhet të merren para fillimit të çdo sezoni të shkarkimeve”. Të gjitha portat e nevojshme për shkarkime gjatë ditëve të fundit funksionuan në rregull, por njëra prej portave, e njohur si “porta numër 3”, u pranua publikisht si jofunksionale, gjë që përbën edhe shkelje të vendimit të qeverisë.
Ndonëse Kryeministri Sali Berisha i ka konsideruar përmbytjet e fundit si “ngjarje e jashtëzakonshme”, vendimi i vitit 2004 u referohet me këtë term vetëm rasteve të shembjeve të digave.
“Jemi në prag të katastrofës kombëtare”, deklaronte Kryeministri në Shkodër në fillim të janarit. “Duhet të dalin përgjegjësitë për ata që kanë përhapur panik”, deklaroi pak ditë më vonë, kur paralajmërimi për katastrofë u kuptua si rrezik për shembjen e digave. Vendimi i vitit 2004 u referohet me këtë fjalë vetëm rasteve të prishjes së digave. Në fakt, siguria e digave nuk u vu fare në diskutim gjatë të gjithë kësaj kohe. E vetmja siguri e shkelur ishte ajo ndaj përmbytjeve.
Ngjarje e jashtëzakonshme apo gabim
Gjatë ditëve të fundit të dhjetorit dhe ditëve të para të janarit, pati prurje të konsiderueshme në të tria hidrocentralet, gjë që detyroi KESH-in të derdhë në Drin deri në 2 mijë metra kub për sekondë, ndërkohë që Drini del nga shtrati kur prurjet janë më të mëdha se 1500 metra kub për sekondë. Në një situatë normale, tre liqenet në kaskadë do të mbanin ujin e tepërt për rezervë dhe do ta çlironin atë në javët e ardhshme, kur prurjet të ulen. Por liqenet ishin të mbushura në çastin kur filluan reshjet. Pas mbarimit të pasojave të përmbytjeve, do të duhet të përcaktohet fillimisht nëse prurjet e këtyre ditëve kanë qenë “të jashtëzakonshme” apo jo. Në fakt, prurje në nivelin e 2000 metrave kub për sekondë ndodhin disa herë në vit dhe sipas të dhënave të qeverisë, edhe gjatë viteve të shkuara ka pasur shkarkime të këtyre niveleve që nuk kanë shkaktuar përmbytje kaq të mëdha.
Siguria nga përmbytjet dhe siguria energjetike
Teorikisht është e mundur, sipas ekspertëve, që kaskada e Drinit të shfrytëzohet në mënyrë të tillë që të shmangen përmbytjet në zonën e Nënshkodrës, por gjatë dekadës së fundit, prioriteti në menaxhimin e kaskadës ka qenë siguria e furnizimit të vendit me energji elektrike. Liqeni i Fierzës, i cili shërben si një magazinë, mbahet në nivel të lartë deri në dhjetor, me qëllim që KESH-i të furnizojë vendin me drita në rast se shirat e vjeshtës vonojnë. Në rast se niveli i liqenit mbahet më i ulët me qëllim që të shmangen përmbytjet, atëherë Shqipëria kalon në krizë të furnizimit me drita, gjë që është parë në vjeshtën e vitit 2000, në vjeshtën e vitit 2005 dhe atë të vitit 2006.
Shqipëria ka nevojë të rikonceptojë mënyrën se si e shfrytëzon kaskadën e Drinit sipas ekspertëve, gjë që mund të rrisë prodhimin e energjisë elektrike nga kjo kaskadë, si edhe të shmangë përmbytjet. Rentabiliteti i kaskadës është ulur gjatë viteve të fundit, për shkak të përdorimit të saj si rezervë energjetike. Uji i derdhur pa prodhuar energji me vlerë prej qindra milionë kilovat orësh në vit, i ka shtyrë disa ekspertë privatë të propozojnë vendosjen e turbinave në portat e shkarkimit, propozime që nuk janë marrë në diskutim fare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›