Banorët e lagjes 1 Maji bllokojnë rrugën e Zvërnecit
Banorë të lagjes “1 Maji” në Vlorë kanë dalë në protestë dje duke bllokuar aksin rrugor Vlorë-Zvërnec në vendin e quajtur Kume. Ata kanë kërkuar me forcë ndërhyrjen e bashkisë për rehabilitimin e infrastrukturës në këtë zonë. Dhjetëra qytetarë kërkuan nga kreu i Bashkisë së Vlorës të mos kërkojë prej tyre vetëm votat, sikundër ka bërë në fushatë derë më derë, por të shkojë tani e të shohë se si jetojnë banorët e kësaj lagjeje të vjetër të qytetit. Rruga në lagjen “1 Maji” është rehabilituar pjesërisht pak kohë më parë, fakt ky që pranohet edhe nga banorët, por tashmë ajo është tërësisht e pakalueshme, si pasojë e gropave të mëdha në të gjithë gjerësinë e gjatësi të konsiderueshme të këtij aksi, që lidh Vlorën me Pyllin e Sodës dhe zonën e Zvërnecit. Protestuesit thanë se në rast se nuk ndërhyhet nga bashkia për rehabilitim të rrugëve e infrastrukturës, do të bllokojnë edhe më gjatë rrugën. Protestat me kërkesa për përmirësim të infrastrukturës në Vlorë nisën më 14 mars nga banorët e lagjeve “Kushtrim” e “Lirim”.
#