E Shtunë, 31 Tetor 2026

I sëmuri mendor bën kasaphanë në shtëpi

Devoll, 65-vjeçari vret gruan dhe plagos rëndë të bijën dhe kunatin me të njëjtën sëpatë

Krimi trondit sërish Devollin. Një 65-vjeçar nga fshati Eçmenik ka vrarë gruan e tij në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikike dhe ka masakruar me sëpatë të bijën dhe kunatin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e familjes Demiraj, kur kryefamiljari i sëmurë mendor ka masakruar me një sëpatë nënën e katër fëmijëve të tij dhe më pas nuk ka kursyer as vajzën 25-vjeçare dhe vëllain e gruas. Hekuran Demiraj edhe pse nuk njihej si person problematik dhe agresiv, ka goditur papritur me sëpatë në kokë bashkëshorten 60-vjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesditë dhe vetëm pasi kanë parë autorin e këtij krimi të rëndë të largohet me një sëpatë në dorë, pa u dhënë përgjigje banorëve dhe fqinjëve, atëherë është zbuluar se në fakt 65-vjeçari kishte vrarë të shoqen, Barien. Gruaja është gjetur e vdekur në pjesën e pasme të banesës, ndërsa në oborr ka qenë e shtrirë me një plagë të madhe në kokë vajza e tij, Sonila. Fqinji i vrasësit tregon se rreth orës 09:00 të mëngjesit, vajza e fejuar kishte ardhur për vizitë me bashkëshortin e saj, por nuk janë dëgjuar debate në familjen ku ka ndodhur krimi i rëndë. Rreth mesditës, sipas fqinjit të Hekuran Demirajt, Njaziut, ai ka dëgjuar vajzën 25-vjeçare që pyeste babanë se ku ndodhej e ëma, të cilën ajo nuk e kishte parë në shtëpi. Por burri 65-vjeçar nuk përgjigjej. Sipas dëshmitarëve nga shtëpia e Hekuranit nuk janë dëgjuar britma për ndihmë apo ulërima siç ndodhte dy ditët e fundit kur gjendja shëndetësore ishte përkeqësuar. Por banorët të mësuar tashmë me 65-vjeçarin, edhe pse ai nuk kishte qenë kurrë problematik dhe agresiv, nuk kanë menduar se ai kishte kryer një krim. Vetëm pasi e kanë parë atë të dalë nga shtëpia me një sëpatë, bashkëfshatarët janë mbledhur për të parë çfarë kishte ndodhur. Pas krimit, 65-vjeçari ka takuar vëllain e bashkëshortes dhe e ka qëlluar edhe atë me sëpatë. Ngjarja mendohet se ka ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së djeshme dhe menjëherë bashkë me sëpatën 65-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, por u kap më vonë, në dalje të fshatit, nga policia që u sinjalizua menjëherë për ngjarjen. Dy të plagosurit rëndë, e bija dhe kunati i autorit, Myfteri Mecolli, janë transportuar me urgjencë drejt spitalit civil të Korçës, ku ndodhen në gjendje kritike për shkak të plagëve të marra nga sëpata. Ndërkohë, trupi i pajetë i 60-vjeçares u është nënshtruar ekspertizave mjekoligjore. Ajo ka pasur plagë të shumta në kokë që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, gruaja është vrarë në orët e mëngjesit, ndërsa autori ka qëndruar i qetë dhe më pas ka qëlluar edhe vajzën. Por sipas policisë nuk përjashtohet mundësia që në familje të ketë pasur një grindje para krimit. Nga hetimet ka rezultuar se një ditë më parë autori i krimit të rëndë kishte shkuar në Korçë ku ishte vizituar nga një mjek neuropsikiatër, i cili ka konstatuar se burri vuante nga çrregullime skizofrenike. Por pas vizitës, 65-vjeçari nuk ka marrë mjekim. Banorët thonë se tri ditët e fundit Hekuran Demiraj ishte bërë i dhunshëm për shkak të sëmundjes, ndërsa më parë, edhe pse me probleme mendore, ai kishte qenë shumë i qetë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›