E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja e re për të dënuarit, Organizatat kriminale ndahen në burg

Vendimi Të burgosurve nuk u lejohet të vizitohen nga persona jashtë familjes. Takimet do të monitorohen

Qeveria “shkatërron” organizatat kriminale edhe në burg. Një rregullore për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve është miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, ku detajohen të gjitha ndryshimet dhe masat që do të merren për të parandaluar ndonjë revoltë dhe kryerjen e urdhrave për vepra penale. Tashmë do të ketë kontrolle të detajuara dhe të burgosurit do të vëzhgohen edhe në takime intime me familjarët. “Rritja e nivelit të sigurisë për parandalimin e kontakteve me persona të dyshuar si pjesëtarë të organizatave kriminale ose terroriste” është një nga masat e reja të miratuara nga qeveria. Në rastet kur evidentohet dhe shënohet në librin e Komisionit të Pritjes se i burgosuri i sapoardhur ka konflikt apo mosmarrëveshje me të burgosur të tjerë, ose ka lidhje gjinie a krushqie me personelin e institucionit, menjëherë merren masa për transferimin e tij në një institucion tjetër. Ndërkohë, rregullorja e re do të përcaktojë se Komisioni i Vlerësimit të Sjelljes së të burgosurve ngrihet në IEVP dhe ka në përbërje zëvendësdrejtorin e IEVP-së, përgjegjësin e sektorit të kujdesit social, edukatorin e grupit, specialistin e regjimit të brendshëm dhe juristin. Rregullorja ka të përcaktuar edhe kur mund të shkaktohet gjendja e jashtëzakonshme në institucion si: nga fatkeqësi natyrore, kryerja e punimeve, sjellje të rrezikshme të shfaqura nga i burgosuri, si dhe lidhje dhe përkatësi e të burgosurit në organizata kriminale, organizata terroriste, banda të armatosura apo grupe të strukturuara. Ndërkohë, masa që mund të merret është transferimi i përkohshëm i të burgosurit në një institucion më të përshtatshëm të vuajtjes së dënimit.

Ndërkohë, në rregullore është përcaktuar se e drejta e takimeve vetëm me familjarët bashkëjetues, në një numër jo më pak se një dhe jo më shumë se dy në muaj, zhvillohet në intervale kohore të rregullta dhe në vende të posaçme që nuk mundësojnë kalimin e objekteve. Këto takime mund të jenë nën kontroll shikimi por jo dëgjimi nga personeli mbikëqyrës. Gjithashtu do të kufizohen bisedat telefonike dhe sasia e të mirave materiale dhe objekteve që mund të marrë i burgosuri nga jashtë. Burgjet do të mbikëqyrin korrespondencën, përveç asaj me funksionarët më të lartë të shtetit, deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare, kompetente në fushën e drejtësisë apo të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ndërkohë, kur vizitori tenton të fusë sende, drejtori i IEVP-së ndalon takimin e të burgosurit me këtë vizitor për një periudhë nga 3 deri në 12 muaj. Rregullorja përcakton se transferimi dhe komandimi në detyrë i punonjësit brenda sistemit të burgjeve bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, vetëm për nevoja dhe interesa të argumentuara të punës. Transferimi, në asnjë rast nuk mund të zgjasë më tepër se 6 muaj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›