E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet duke peshkuar në ujërat tona anija italiane

Vlorë Peshkatorja u bllokua 6 milje larg Kepit të Gjuhëzës

Një peshkatore e huaj është kapur në orët e mbrëmjes së djeshme duke peshkuar në ujërat territoriale shqiptare. Anija me flamur italian dhe emërtimin “Niko 4BA 1580” është tërhequr nga ana e marinës shqiptare drejt Portit të Vlorës, ku aktualisht ndodhet e bllokuar. Burime nga Kapitaneria e Portit Detar të Vlorës bëjnë me dije se mjeti i huaj lundrues është pikasur duke peshkuar në ujërat shqiptare, rreth 6 milje larg Kepit të Gjuhëzës. Një fakt i tillë nuk është pranuar nga ana e ekuipazhit të peshkatores. Ata thanë se nuk kanë pasur as qëllim, dhe as kanë kryer asnjë veprim në ujërat tona, duke respektuar gjithë bazën ligjore në lundrim. Por gjithsesi, kapja në flagrancë do të jetë objekt hetimi nga ana e palës shqiptare. Sipas burimeve portuale, në momentin e kapjes së peshkatores italiane, në zonë kanë qenë dhe dy anije të tjera, por janë larguar sapo kanë parë mjetet e marinës shqiptare. Anija e bllokuar u është nënshtruar procedurave të bllokimit, ndërkohë që për ekuipazhin prej gjashtë personash ka nisur hetimi nga Prokuroria e Vlorës. Ky nuk është rasti i parë kur peshkatore italiane gjuajnë në ujërat tona dhe ndaj tyre janë marrë dhe masa administrative, si gjoba që variojnë deri në 200 mijë euro.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›