U drejtoi armën policëve, neutralizohet 27-vjeçari
Tenton të qëllojë me armë agjentët e policisë, neutralizohet dhe prangoset një 27-vjeçar nga Bushati i Shkodrës. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se Sokol Kola, 27 vjeç, ka tentuar të qëllojë mbi uniformat blu, kur këta të fundit i kanë shkuar në banesë për ta ndaluar për armëmbajtje pa leje. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Bushat të Shkodrës, pasi policia kishte marrë informacion se shtetasi Sokol Kola mbante në banesë një armë zjarri automatik. Pas marrjes së sinjalizimit, agjentët e policisë kanë organizuar një aksion të befasishëm në banesën e Kolës. Në këtë moment, 27-vjeçari ka mbushur armën automatik tip kallashnikov duke tentuar t’ua drejtojë forcave të policisë. Në këtë moment agjentët kanë ndërhyrë për neutralizimin e Kolës dhe prangosjen e tij. Tashmë i ndaluari do të përballet me dy akuza atë të “kundërshtim të forcave të rendit” dhe “armëmbajtje pa leje”.
#