Xhamia e Ballies rikthehet e zmadhuar në Elbasan
Besimtarët myslimanë të Qarkut të Elbasanit arrijnë të fitojnë atë që kërkonin prej disa vitesh: një xhami në qendër të qytetit. Tashmë kanë mbaruar diskutimet në KRRT-në e bashkisë sikurse edhe seanca e parë e diskutimit ballafaques me projektin e saj. Vendimi përfundimtar pritet të merret në mbledhjen e radhës në këshillin bashkiak. “Xhamia e Ballies” do të jetë objekti më i madh fetar që do të ndërtohet në vendin tonë. Do të ndërtohet në qendër të Elbasanit, përballë sahatit, në vendin ku dikur ka qenë xhamia me të njëjtin emër, që u shemb gjatë “revolucionit kulturor” në fund të viteve ’60. Objekti do të jetë me katër kate dhe me dy minare, më e larta e të cilave 37 metra. Projekti është bërë nga një studio turko-austriake. Ndërtesa që do të kushtojë 1,5 milionë euro do të mund të presë njëkohësisht 1200 besimtarë.
#