Banorët e lagjes Uji i Ftohtë, qëndresë ndaj policisë ndërtimore
Banorët e lagjes Uji i Ftohtë pengojnë policinë ndërtimore për të prishur ndërtimet pa leje. Vetëm një banesë e pabanuar është prishur, ndërkohë që vetë banorët kanë bërë akuza direkte për qeveritarët nga Tirana. Vetë banorët njihen në gjithë qytetin si qëndrestarë të PD, gjë që e kanë vënë në dukje edhe vetë dhe kanë shprehur habinë për këtë iniciativë prishjeje, ndërkohë që hapur kanë treguar se e gjitha bëhet pas aferave korruptive për ndërtim pallati në këtë vend.
Banorët janë shprehur se një pjesë e tyre kanë certifikata pronësie dhe një pjesë e kanë marrë atë për përdorim. Po ashtu pohojnë se dy familje e kanë tokë të trashëguar. Ata tregojnë se u ka ardhur një njoftim për prishje ditën e premte në mbasdite, gjë që nuk u ka lënë atyre hapësirë për të ndërmarrë hapa të tjerë ligjorë kundërshtues. Ndërkohë që kanë mbërritur edhe forcat e policisë ndërtimore të shoqëruara edhe me uniforma blu, banorët kanë bllokuar hyrjen për në objekt me makinat e tyre dhe nuk kanë lejuar futjen e fadromës së policisë ndërtimore. Për orë të tëra, të dy palët kanë qëndruar në pozicione pritëse, forcat e rendit dhe ato të policisë ndërtimore në pritje të urdhrit për të vepruar forcërisht, ndërkohë që banorët komunikonin me pushtetarë të ndryshëm dhe me deputetët e zonës dhe prisnin prej tyre përgjigje për të mos prishur këto ndërtime. Vetëm në orët e mbasdites, fadroma e policisë ka mundur të prishë një ndërtim të pambaruar dhe ku nuk jetonte njeri. Më pas ato janë tërhequr duke premtuar se do të vijnë përsëri sot për vazhdimin e aksionit. Përfaqësues të policisë ndërtimore, asaj lokale dhe të ardhur nga Tirana enkas për këtë aksion, kanë treguar urdhrin e nxjerrë nga drejtori i përgjithshëm i policisë ndërtimore për prishjen e këtyre objekteve. Sipas tyre, edhe fadroma ka ardhur vetëm për këtë qëllim nga Tirana. Ata kanë kërkuar në çdo orë ndihmën e policisë vendore për të pastruar terrenin nga njerëzit dhe mjetet për të vazhduar prishjet. Uniformat blu fillimisht kanë komunikuar me banorët e lagjes duke u shpjeguar atyre se urdhri është i prerë dhe se ndërkohë që banorët nuk kanë në dorë një urdhër nga gjykata për pezullim, ata duhet të largohen dhe të fillojë prishja. Vetë banorët kanë komunikuar gjatë edhe forcat e rendit dhe me ato të policisë ndërtimore duke u shpjeguar se janë pronarë të trashëguar në këtë truall dhe se po ashtu janë në nxjerrje të dokumentacionit përkatës. Ata gjatë gjithë kohës kanë akuzuar pushtetarët qeveritarë se kanë dorë në këto prishje dhe madje i kanë akuzuar ata se kanë marrë lekë në dorë për këtë qëllim. Ata kanë shfajësuar pushtetarët vendorë, duke treguar se kanë komunikuar me drejtues të prefekturës dhe të bashkisë dhe prej tyre kanë marrë përgjigjen se nuk janë forcat e tyre në prishje por vetëm ato të ardhura nga Tirana me urdhër nga lart. Kjo i ka irrituar më shumë banorët që janë shprehur se janë pothuajse të gjithë demokratë të njohur në qytet dhe se votën gjithmonë ia kanë dhënë PD. Ata kanë qëndruar aty deri në orët e mbasdites sa janë larguar uniformat blu dhe ato të policisë ndërtimore.