E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim ish-kryekomunari për zhvatjen e tokës shtetërore, 3 të tjerë në pranga



DURRËS – Skandali i tokave ka shpërthyer kësaj radhe në një tjetër zonë në rrethin e Durrësit, ku janë arrestuar tre zyrtarë dhe ish-zyrtarë të komunës së Gjepalajt, ndërsa është shpallur në kërkim ish-kryetari i saj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se është në kërkim ish-kryetari i komunës, shtetasi Fatmir Elezi, ndërkohë që tre ish-zyrtarë të këtij institucioni janë vënë në pranga dhe ndaj tyre ka nisur hetimi në gjendje arresti. Sipas tyre, më datë 28 maj të këtij viti filloi procedimi penal lidhur me një sipërfaqe toke në komunën Gjepalaj të rrethit të Durrësit, e cila dyshohej të ishte përfituar në mënyrë të padrejtë nga ish-kryetari i komunës, Fatmir Elezi. Pas hetimeve të bëra nga prokuroria u arrit në përfundimin se toka është përfituar në mënyrë të padrejtë.
Arrestimi
“Bazuar në provat ligjore të grumbulluara, Gjykata e Durrësit, me vendime të datës 17 tetor 2008, ka përcaktuar masën e sigurimit personal ‘arrest në burg’ në ngarkim të Fatmir Elezit, banues në lagjen numër 17 në qytetin bregdetar, me arsim të lartë, ish-kryetar i komunës Gjepalaj”, - thonë burimet policore. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Ornela Cako, bën të ditur se në lidhje me këtë çështje janë arrestuar shtetasit: Lulëzim Voci, banues në Gjepalaj, me detyrë agronom pranë komunës; Bashkim Shahini, banues në komunën Gjepalaj, me dëtyrë ish-sekretar i komunës dhe Kurt Keci, banues në Shijak, me detyrë ish-teknik ndërtimi. Gjatë operacionit të koduar “Prona e shkollës” është bërë i mundur ndalimin i tre nga katër personat e sipërcituar; dhe konkretisht Lulëzim Voci, Bashkim Shahini dhe Kurt Keci. Nga ana tjetër është shpallur në kërkim Fatmir Elezi.
Hetimi
Sipas policisë, hetimet e deritanishme të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, hedhin dyshime të bazuara mbi përfitimin e një sipërfaqeje prej 24.867 metra katrorësh truall në afërsi të shkollës së fshatit Gjepalaj nga kryetari i komunës Gjepalaj (për periudhën 2000-2005) Fatmir Elezi, i cili këtë sipërfaqe e ka shfrytëzuar për ngritjen e një aktiviteti materialesh ndërtimi. Nga hetimet rezulton se përfitimi i kësaj sipërfaqeje trualli është bërë prej tij duke shfrytëzuar detyrën e tij si kryetar komune dhe i mbështetur nga Lulzim Voci, Bashkim Shahini e Kurt Keci, të cilët në atë periudhë kryenin detyrat e agronomit, sekretarit dhe teknikut të ndërtimit të komunës. Këta të katërt, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar një sërë dokumentesh për përfitimin e tokës si vendimin e Këshillit të Komunës si dhe të dhënat e formularëve të plotësuar në të cilët nuk kanë pasqyruar realisht sipërfaqet e trojeve të objekteve shtetërore që do të kalonin në administrim të Komunës. Nëpërmjet veprimeve të mësipërme, Fatmir Elezi është bërë pengesë edhe për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare të fshatit Gjepalaj, e cila është miratuar të ndërtohet në këtë truall. Përplasja mes pretenduesve të pronës dhe firmës që po realizohen ndërtesën e shkollës u bënë shkas për nisjen e hetimeve, të cilat përfunduan me prangosjen e tre zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të komunës në periferi të qytetit të Shijakut. Policia po punon për kapjen e ish-kryekomunarit, Fatmir Elezi. Në rrethin e Durrësit deri tani janë shënuar një sërë skandalesh me tokat bujqësore, ku po bëhen hetime për ndarjen e pronave në komunën e Rrashbullit, Ishmit dhe zona të tjera.

TË ARRESTUARIT

1- Fatmir Elezi, 54 vjeç, lindur në Gjepalaj dhe banues në Lagjen Nr. 17 në Durrës, ish-kryetar i komunës Gjepalaj (person në kërkim)

2- Lulëzim Voci, 55 vjeç, lindur dhe banues në Gjepalaj, agronom pranë komunës së Gjepalajt në Durrës (i arrestuar nga policia)

3- Bashkim Shahini, 56 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Hardhishtë të komunës Gjepalaj, ish-sekretar i komunës (i arrestuar nga policia)

4- Kurt Keci, 56 vjeç, lindur në Gjepalaj dhe banues në Shijak, ish-teknik ndërtimi në komunën e Gjepalajt në Durrës (i arrestuar nga policia)

19 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›