E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët në alarm për Semanin, po na rrezikon shtëpitë e tokat

 

FIER - Lumi Seman vazhdon të mbetet një ndër rreziqet kryesor për banorët që kanë shtëpinë e tokat pranë tij. Alarmi vjen prej tyre, të cilët me afrimin e stinës së dimrit e shikojnë lumin që përshkon shtëpitë dhe tokat e tyre, si shkatërrimtarin e pasurive që kanë. Prej vitesh banorët rrezikojnë të përmbyten dhe në çdo vit ata kërkojnë të merren masa. Duke nisur nga fakti që shumë banesa bëhen pre e përmbytjeve nga vërshimet e lumit rreth 15 mijë banorë kërkojnë ndihmë. "Jemi në rrezik. I lutemi pushtetit vendor dhe qendror të marrë masa pasi nuk kemi zgjidhje. Çdo vit na janë përmbytur shtëpitë. Sapo hyn muaji dhjetor ne bëhemi keq sepse nuk jetojmë dot si të gjithë të tjerët, por përditë me ankthin e vdekjes. Kemi kërkuar që në anët e lumit të vendosen barriera që të bllokojnë prurjet e ujit dhe askush nuk merr masa. "Të gjithë kryetarët e njësive vendore që kanë nën juridiksion këtë zonë rreziku thonë që nuk kanë fonde", shprehet një banor i zonës. Por, përveç banesave që janë e vetmja shpresë e banorëve të zonës këta të fundit përballen edhe me rrezikun e prodhimeve. Më shumë se 20 mijë hektarë tokë në fshatrat Suk, Suk 1 dhe Arapaj të komunës së Strumit dhe një pjesë e tokave të zonës së Roskovecit përmbyten nga lumi Seman, i cili në maksimumin e prurjeve shkatërron të mbjellat e fermerëve, duke hedhur dëm në këtë mënyrë gjithë investimet e bëra. "Jemi të rrezikuar nga lumi Seman edhe ne të mbjellat. Stepemi përpara faktit që duhet të mbjellim tokat me drith, pasi frika e përmbytjes nga lumi Seman na bën të mos marrim asnjë hap. Ka 20 vjet që lumi përvit merr me vete gjithë të mbjellat. Shumë fermerë i kanë lënë djerrë tokat e tyre dhe kjo për hir të lumit, i cili vërshon furishëm", pohojnë ata. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›