Durrësi, qyteti i turizmit sot kryeqendra e lypësve
DURRES / OERD ULQINI
Durrësi po "sulmohet" nga "ushtria kombëtare" e lypësve. Kanë mjaftuar vetëm 17 vite tranzicion që ky qytet, veç njëmijë e një epiteteve që gëzon për lashtësinë, turizmin, kulturën apo ekonominë, të fitonte edhe një tjetër, atë të "kryeqendrës" së lypësve.Ata vijnë nga çdo skaj i vendit, që nga veriu e deri nga qytetet jugore të Gjirokastrës dhe Sarandës, ku jeta është më e vështirë. Askush nuk e di saktë numrin e tyre, por ata llogariten me qindra. "Në Gjirokastër fitohet tri herë më pak. Atje njerëzit nuk janë dorëlëshuar si këtu", shprehet Jorgo, një lypës nga jugu i Shqipërisë, i cili prej vitesh është "pasaportizuar" në Durrës. Në këtë qytet mëshira ka një çmim shumë herë më të lartë. Këtu vijnë para me shumicë. Emigrantët që kthehen në atdhe kanë në xhep euro, stërlina dhe dollarë. Kaq mjafton për të ngritur ushtrinë e lypësve ngjitur me murin rrethues të portit. Imazhi turistik i qytetit me 30 shekuj histori mbi shpinë sigurisht që rrënohet. Këpucët e grisura dhe leckat e palara, janë copëza të një qyteti që lexon çdo ditë kronikën e lypësve. Arseni, Ramazani, Rivaldo, Armando apo të tjerë janë pjesëtarë të skuadrës së lypësve që dominon zonën nga hyrja e Durrësit e deri te Stacioni i Trenit. Kjo zonë është "monopol" i tyre. Ata nuk lenë të tjerët të lypin këtu. Arseni 12 vjeç, vjen nga Shkodra dhe thotë se "në Durrës fitohet dyfishi, pasi njerëzit këtu janë më të kamur". Në këtë segment rrugor me trafik të ngjeshur, nuk është e vështirë të dallosh polarizimin e shoqërisë shqiptare. Lypës ulokë që kërkojnë mëshirë mes rrotave të automjeteve luksoze. Ky është vetëm një plan dominues i kronikës së qytetit të mbipopulluar me lypës. Armando nuk mund të ecë asnjë metër pa patericën e tij. Tre vjet më parë ai pësoi një aksident hekurudhor dhe që nga ai moment mbeti ulok. Ata janë njerëz, të cilët nuk duan të jenë protagonistë të mikrokriminalitetit. Ata e shohin lypjen si diçka më dinjitoze se grabitja. Gjykimi i tyre naiv nuk është aspak i gabuar. "Më mirë të lyp se të grabis, kështu të paktën nuk i bëj keq të tjerëve dhe as vetes, pasi nuk hyj në burg", thotë Armando për gazetën. I njëjti imazh fiksohet lehtë nga një sy i shkujdesur edhe në shëtitoren bregdetare apo në qendrën e Durrësit, ku objektet e kultit rrethohen çdo ditë nga njerëzit në kërkim të mëshirës. Kronika e qytetit të lypësve është sa e larmishme, po aq edhe e dhimbshme. Ramazan Tufa është një lypës që këndon gjatë të gjithë kohës. Kjo e mban gjallë dhe e mbush me optimizëm për jetën. Në qytetin e begatë të Shqipërisë ekziston vetëm një qendër e vogël sociale, ku këta njerëz kanë mundësinë e një vakti të ngrohtë. Ajo shërben për të moshuarit e verbër, pasi për lypësit e mitur nuk është ngritur asnjë mensë, asnjë shtrat, asnjë çati. Ata lypin dhe flenë poshtë urave për t'i mbijetuar urisë sfilitëse të këtij kapitalizmi në tranzicion.
Një vakt falas për të varfrit
Me imazhin e "Nënë Terezës" në sfond dhjetëra të vobektë durrsakë kanë gjetur mëshirën dhe solidaritetin në mensën publike të fshatit "Shën Vlash". Çdo ditë aty mbërrin një autobus nga Durrësi, i cili kryen falas transportin deri në mensën ku të varfrit i pret një pjatë e ngrohtë. Bujar Dervishi, i mbetur invalid pas një aksidenti të rëndë rrugor në Greqi, së bashku me një grup donatorësh të biznesit lokal i ka dhënë jetë kësaj nisme më shumë se një vit më parë. Të verbër, invalidë të punës, endacakë të rritur, jetimë, etj. Kategori që jetojnë në mjerim janë gjithnjë të ftuar në këtë mensë në periferi të Durrësit. Administratori i mensës Bujar Dervishi, njëkohësisht edhe sekretar i përgjithshëm i shoqatës "Nënë Tereza" shprehet se së shpejti do të synojë ngritjen e një strehe për të moshuarit e verbër. Sipas tij, në Durrës donacionet e biznesit për këtë kategori nuk mungojnë, ndaj në koordinim edhe me hallkat e pushtetit vendor do të synohet përshtatja e godinës edhe me shtretër për të verbrit. Lëvizjet e shumta demografike drejt Durrësit kanë sjellë edhe shtimin e personave që jetojnë pa asnjë përkrahje sociale. Shumica e tyre lypin rrugëve të qytetit-port, duke u endur në kërkim të mbijetesës. o.u