Tafaj: Rama kërcënoi me mosnjohje të diplomave të 110 mijë studentëve
Këshilltari i kryeministrit Berisha për arsimin, Myqerem Tafaj, tha dje se kreu i PS-së në daljen e fundit për këtë çështje kërcënoi studentët me mosnjohjen e diplomave të tyre. Në një konferencë për shtyp Tafaj deklaroi se "Me sulmin kundër liberalizimit të universiteteve kryetari i PS kërcënoi me mosnjohje të diplomave rreth 110 mijë studentë dhe rreth 500 mijë familjarë të tyre. Kryetari i PS u tha dje rreth 130 mijë nxënësve të arsimit të mesëm dhe gati 600 mijë familjarë të tyre, se vetëm elita (nuk e tha se si do ta veçojë atë!), por jo fëmijët e shqiptarëve të thjeshtë, do të vazhdojnë shkollat e larta. Kjo sepse, sipas tij, Shqipëria paska shumë studentë!". Sipas tij, dekoratat e Ramës janë në serinë e trillimeve të tij për arsimin. "Ai doli hapur kundër liberalizimit të universiteteve, ose, ndryshe, kundër së drejtës së çdo maturanteje dhe maturanti shqiptar për të vazhduar arsimin e lartë. Një sulm kundër liberalizimit të universiteteve është në fakt sulm kundër dijes", u shpreh më tej Tafaj. Këshilltari i kryeministrit e konsideroi liberalizimin e universiteteve, si arritjen më të madhe të Shqipërisë dhe kësaj qeverie në tre vitet e fundit. Tafaj tha se hapja e dyerve të shkollave të larta për të gjithë të rinjtë, që e meritojnë, ishte ëndrra e gjithë shqiptarëve. "Kjo qeveri e bëri këtë ëndërr realitet. Nga rreth 14 studentë/1000 banorë që kishte Shqipëria në vitin 2005, sot ajo numëron rreth 30 studentë/1000 banorë. Kështu, Shqipëria i afrohet shumë mesatares së BE. Në këtë vit akademik, Shqipëria do të ketë rreth 110 mijë studentë në të gjitha nivelet (passekondar ose 2-vjeçar, bachelor dhe master) dhe në të gjitha format e studimeve (me kohë të plotë dhe kohë të pjesshme)", theksoi më tej Tafaj. Këshilltari i kryeministrit për arsimin konfirmoi vullnetin e qeverisë për të thelluar reformën në këtë sektor, duke i garantuar të gjithë maturantëve dhe studentët e shkollave publike dhe private, se do të punoj pa ndërprerje për të krijuar të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që çdo maturante dhe maturant të fitojë një shkollim universitar cilësor në Shqipëri.
Rama: Shqipëria 10% analfabetë
Duke folur në konferencën për arsimin në qytetin e Durrësit, Rama tha se "Sali Berisha gjeti në 2005-ën një Shqipëri të kthyer pas në të tatëpjetën e analfabetizmit dhe në 2009-ën do të na dorëzojë një vend më analfabet se në asnjë vit tjetër të kësaj periudhe tranzicioni. 10 për qind analfabetë kemi sipas shifrave zyrtare në Shqipërinë e tij të moshës së internetit, e cila në fakt sot më shumë sesa një kompjuter i ngjan këpucës së Lulit të Vocërr".