Durrës, vdes mistershëm infermieri
DURRES - Humb jetën papritur infermieri 26-vjeçar. Ermal Ndoj ndërroi jetë pasditen e djeshme në banesën e tij të zonës së ish-Kënetës, për shkaqe që sipas policisë dyshohet të jenë natyrale. Nga të dhënat e familjarëve, i riu, i cili punonte në administratën mjekësore të spitalit të Durrësit ndodhej në mesditë në familjen e xhaxhait të tij. Aty kanë konsumuar nga një gotë raki e më pas ai është nisur për në shtëpinë e tij. Pak minuta më vonë, 26-vjeçari është rrëzuar përtokë pa ndjenja. I ati e ka parë skenën, duke i shkuar menjëherë në ndihmë. Ai e ka transportuar në drejtim të spitalit të qytetit, por i biri kishte ndërruar jetë. Për mjekët dyshohet një atak kardiak mund të ketë provokuar vdekjen e shpejtë e të papritur të të riut, ndonëse ata ia kanë lënë vendin ekspertëve për të zbardhur shkaqet. Policia ka hedhur poshtë shkaktimin e vetëvrasjes, pasi asnjë shenjë nuk ekziston për këtë pistë. o.u