Vajzat braktisin gjimnazin
BULQIZE - Në Bulqizë, shumica e vajzave nuk e ndjekin arsimin e mesëm. Pasi mbarojnë shkollën 9-vjeçare, ato mbyllen brenda, në pritje të "fatit". Braktisja e arsimit është më e theksuar në zonat rurale. Në tre shkolla të mesme të komunave, Shupenzë, Zerqan dhe Krastë-Martanesh, gjendja paraqitet alarmante. Vajzat nuk frekuentojnë shkollën, pasi mbarojnë ciklin e detyrueshëm. Por duket se më shumë se fanatizmi, që i karakterizon këto zona të thella, shkak për braktisjen e shkollës është bërë mungesa e përkujdesjes së institucioneve arsimore në këtë rreth. Ato nuk kanë ndërhyrë me investime, për plotësimin e kushteve higjieno- sanitare në këto tri shkolla. Ndonëse në dukje është një motiv banal, banorët e zonave pohojnë se shkollat e mesme nuk kanë as banjo. Ndaj të zotët e shtëpisë nuk i lejojnë vajzat e tyre të frekuentojnë mësimin në kushte të tilla. Disa nga arsyet e tjera të braktisjes janë edhe largësia e shkollave nga fshatrat ku banojnë, mungesa e konvikteve për akomodimin e tyre, mungesa e kuadrit të profilizuar me arsim përkatës, sigurimi i librave etj. Sipas burimeve në Zyrën Arsimore Bulqizë, në vitin e kaluar akademik, mbaruan 9-vjeçaren 290 vajza dhe vazhduan shkollën e mesme 189 prej tyre. r.n