Monedha amerikane fiton terren
Monedha e gjelbër amerikane ka fituar terren ndaj monedhave të tjera. Sipas të dhënave më të fundit në agjencitë e këmbimit valutor, 1 dollar është blerë me 97,6 lekë dhe është shitur me 97,9 lekë, ndërsa 1 euro është blerë me 122,4 lekë dhe është shitur me 122,9 lekë. Vlerësimi i dollarit amerikan ka ardhur pas masave të marra nga qeveria amerikane për të kapërcyer krizën financiare. Ecuria e kursit të këmbimit është ndikuar nga sjellja e monedhave kryesore euro/usd në tregun ndërkombëtar, si dhe nga sjellja sezonale në periudhën e verës. "Shifrat e publikuara së fundmi në Eurozonë kanë diktuar një përkeqësim të situatës ekonomike dhe pas shtrëngimit të politikës monetare nga BQE-ja në fillim të muajit korrik (rritje e normës së interesit me 0.25 pikë përqindjeje)", thuhet në raportin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Në fund të periudhës së këtij tremujori, dollari ka fituar ndjeshëm pikë kundrejt monedhës evropiane , duke u tregtuar në nivelet maksimale, që nga fillimi i vitit 2008 (1.39 euro/usd), por pa tejkaluar nivelet e të njëjtës periudhë, së një viti më parë (1.42 euro/usd në fund të muajit shtator 2007). Fakti se dhe ekonomitë e tjera dhe kryesisht ekonomia evropiane nuk po kalon pa e ndjerë krizën aktuale ekonomike, mbështesin sjelljen mbiçmuese të monedhës së gjelbër, por pa i dhënë një efekt afatgjatë, nëse marrim parasysh trazirat e fundit në tregun financiar amerikan.