Banorët në gjykatë: Duam dosjen “Gërdeci”
TIRANE - Familjarët e viktimave të Gërdecit iu drejtuan dje Gjykatës së Tiranës, me kërkesën për të detyruar Prokurorinë e Përgjithshme për t’iu dhënë kopjet e akteve të dosjes hetimore të dosjes “Gërdeci”. Kërkesën e paraqiti avokatja përfaqësuese e tyre, me pretendimin se familjarët e viktimave të Gërdecit mund të ushtrojnë të drejtat e tyre procedurale, për të kërkuar procedimin e fajtorëve dhe shpërblimin e dëmit. Sipas saj, nuk duhet toleruar zvarritja e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe pengimin nga kjo e fundit, të avokatëve të tyre për të luajtur rolin procedural që u takon në këtë çështje. Gjatë ditës së sotme pritet që kërkesa t’iu nënshtrohet proceduarve të shortit elektronik për të përcaktuar gjykatësin që do e shqyrtojë. f.m.