E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehet Zani: Shpëtova jetë njerëzish në 1997

 

TIRANE - “Jam i pafajshëm. Kam shpëtuar dhjetëra jetë në Vlorën e trazuar në 1997, kur nuk ekzistonte shteti”. Myrteza Caushi, ish-kapoja i Vlorës në vitin 1997 mohoi dje në Gjykatën e Tiranës të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga prokuroria. Duke pretenduar se nuk kishte kryesuar një bandë famëkeqe por vetëm banorët e lagjes së vet, të armatosur për t’u mbrojtur nga rrëmujat dhe kaosi. Zani tha se kishte shpëtuar në atë kohë mjaft jetë njerëzish, përfshi oficerë policie, gjykatës e prokurorë. I pandehuri shpjegoi për rreth 30 minuta, i pyetur nga avokati i vet Asaf Hadëraj, atë çfarë dinte rreth akuzave që janë ngritur ndaj tij. “Kam shpëtuar në ’97 një oficer policie, shokun e të cilit e rrëmbyen, masakruan dhe dogjën të gjallë në Sarandë në vitin 1997", - tha Zani, duke pretenduar se këtë nuk e thoshte për t’u justifikuar apo mbrojtur, por thjesht se kështu kishte qenë realiteti. “Në ’97 në Vlorë nuk kishte shtet ndërsa ne u armatosëm me armët që gjenim rrugëve dhe sapo erdhi policia ua dorëzuam atyre. U mbushën tre kamionë me to. Kishte pushkë, automatikë, antitank, top 122 mm, e granata. Të gjitha i dorëzuam vetë”, tha Caushi, i cili nuk la pa përmendur edhe faktin se kishte ndihmuar Spitalin e Vlorës dhe Jetimoren e qytetit. Ndërsa i pyetur për akuzat, ai tha se mund të ishin bërë krime pas shpinës së tij nga persona të tjerë, të cilëve u kishte përsëritur gjithmonë që të mos vidhnin mjete, të mos grabitnin apo të mos terrorizonin me armë. “Ligja le t’i gjejë dhe dënojë këta njerëz, nuk më interesojnë, unë jam i pafajshëm për këto”, tha Zani. I pyetur për vrasjen e Bernard Duçkës, i cili njihet me nofkën “Kuqo”, Zani tha se nuk e kishte vrarë, dhe se gjithë Vlora dhe prindërit e tij e dinin mirë se kush ishte autori i vrasjes. Zani nuk la pa përmendur edhe faktin se një bandë e armatosur kishte sulmuar komisariatin dhe kishte varë një polic në të. Më pas prokurori i çështjes kërkoi 192 vjet burg për Zani Caushin për 10 akuza, ndërsa nga bashkimi i të gjithave dënimin e tij vetëm me 25 vjet burg. Për Renato Çerçizin prokuroria kërkoi 25 vjet burg për tre akuza, ndërsa nga bashkimi i dënimeve përfundimisht u kërkuan 22 vjet burg. Për të pandehurin Hair Hiraj u kërkuan 5 vjet burg. Për Skerdinand Bajramin u kërkuan 60 vjet burg për 4 akuza, ndërsa nga bashkimi i dënimeve përfundimisht 25 vjet burg. Po kështu u kërkuan 150 vjet burg për të pandehurin Edison Mema, që njihet edhe me emrin Dorian Saliu, dhe nga bashkimi i dënimeve 25 vjet burg, por Zani me ironi tha se ky person ka vite që ka vdekur dhe është varrosur në Himarë. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›