Karton të kuq Telit,në Turqi plas skandali
Jetmir Halilaj
Admir Teli, qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare që luan te Haxhetepe, është emri më i përfolur në ambientin sportiv gjatë këtyre ditëve në Turqi. Javën që shkoi, në ndeshjen kundër Gallatasarajit, mbrojtësi shkodran u ndëshkua gabimisht me një karton të verdhë nga arbitri Sulejman Abai, gafë kjo që ndikoi drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes dhe që tani është shndërruar në skandal në Turqi. Gallatasaraji, që drejtohet nga i mirënjohuri Mikael Skibe, e fitoi 3-1 ndeshjen kundër Haxhetepes, por goli i avantazhit 2-1 ndezi shumë polemika, aq sa është cilësuar një precedent i rrezikshëm në kampionatin turk. Haxhetepe, ku luajnë tre shqiptarët Teli, Sukaj e Lika, kaloi e para në avantazh me anë të brazilianit Sandro Mendonka në minutën e 33-të. Por, nuk kaluan as tri minuta dhe mesfushori Tozo mori karton të kuq për Haxhetepen. Milan Barosh barazoi në limitin e pjesës së parë, ndërsa në minutën e 56-të të takimit, Fransua Zoko i Haxhetepes e preku topin me dorë në zonë dhe gjyqtari Abai dha penallti për Gallatasarajin, por edhe karton të verdhë për Admir Telin, duke menduar se e kishte prekur shqiptari topin me dorë. Teli protestoi duke u përpjekur të bindte gjyqtarin se nuk e kishte prekur ai topin, por nuk mundi ta kthjellojë arbitrin. Milan Barosh e shndërroi në gol penalltinë, por katër minuta më vonë, si pasojë e një ndërhyrjeje ndaj Linkoln, Teli mori një tjetër karton të verdhë dhe doli me të kuqe, duke e lënë skuadrën e tij me 9 lojtarë. Pas këtij momenti, në fushën e lojës pati vetëm tension e kontestime. Golin e tretë për Gallatasarajin e shënoi sërish Milan Barosh në minutën e 72-të të ndeshjes. “Thashë se me gjykimin në Azerbajxhan mori fund arbitrimi ‘karagjoz’ i arbitrave, por paskam gabuar, sepse ndeshja ndaj Gallatasarajit ishte një fotokopje e asaj që ndodhi në Azerbajxhan, ku Shqipëria luajti edhe kundër arbitrave. Gjykim absurd, me stopime të pafundme dhe favorizime të njëanshme”, - ka thënë Admir Teli për albaniasoccer.com. “Të shohësh një futbollist që tallet me tjetrin kur skuadra e këtij luan me 10 vetë, është shumë e vështirë për t’u pranuar. Do ta përgëzoja Linkolnin, nëse do ta bënte këtë kur ishim 11 me 11", deklaroi trajneri i Haxhetepes, Erdogan Arika.