Berat, konflikti me familjen, i riu i zhdukur prej 12 ditësh
BERAT - Një familje në Berat alarmon policinë, pasi djali i tyre 18-vjeçar është zhdukur prej 12 ditësh. Fiqiri Kosova, 50 vjeç, i është drejtuar për ndihmë policisë për t’i gjetur djalin, Armir Kosova. Mësohet se 18-vjeçari, maturant në gjimnazin e qytetit është larguar nga shtëpia e tij pas një konflikti me familjarët. Prindërit e tij pasi priten me ditë të tëra dhe djali nuk u kthye në banesë, u detyruan t’i drejtohen policisë. Kjo e fundit ka marrë dëshminë e tyre, nga ku rezultoi se i riu ishte larguar pas një konflikti që kishte pasur në shtëpi. Tashmë ka nisur kërkimi në të gjithë zonën, por edhe në rrethe të tjera të vendit. Policia e ka shpërndarë fotografinë e 18-vjeçarit, ndërsa sinjalizon qytetarët të lajmërojnë në numrat e sallës operative, nëse do të shohin djalin e zhdukur, i cili rezulton të ketë veshur pantallona xhins, atlete të bardha dhe xhaketë të zezë. Blutë kanë marrë në pyetje edhe shokët e Kosovës, të cilët kanë ngritur supet, duke deponuar se nuk kishin asnjë informacion për vendndodhjen e mundshme të tij. Policia tha se po punon në tre pista. E para ka të bëje me ndonjë konflikt momenti me familjarët, e dyta me mohimin e ndonjë lidhje dashurie të 18-vjeçarit dhe së fundmi, për ndonjë problem të ndonjë natyre, që për efekt hetimi nuk mund të bëhet e ditur. d.xh