Topi rrëzon Kodin Zgjedhor
adi shkembi
Presidenti Bamir Topi kthen për rishqyrtim në parlament Kodin Zgjedhor. 10 ditë pasi Kuvendi i kishte dërguar kreut të shtetit Kodin Elektoral, për ta dekretuar pas votimit në parlament me shumicën dërrmuese, presidenti vëren se në të ka përplasje mes neneve, por edhe mes vetë Kodit dhe Kushtetutës. Në dekretin dërguar parlamentit, Topi shpjegon arsyet që sipas tij e çuan në kthimin e ligjit në parlament.
Argumentet
Duke iu referuar ndryshimit të Kushtetutës, ku pjesë e negociatave ishte edhe Topi në cilësinë e përfaqësuesit të PD-së, dy vjet më parë u përcaktua që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen mes datave 15 mars - 30 qershor. “Ju e mbani mend shumë mirë që në gushtin e vitit 2006, unë kam qenë pjesë e grupit negociator për ndryshimet kushtetuese në funksion të Kodit Zgjedhor. Kjo do të thotë dhe që është e natyrshme që unë jam shumë mirë i informuar për atë pjesë. Sipas ndryshimit kushtetues të vitit 2006, kemi këtë pozicion: zgjedhjet e përgjithshme politike realizohen nga 15 marsi deri në fund të qershorit”, theksoi dje Topi. Sipas kreut të shtetit, përplasja mes Kodit dhe Kushtetutës është pikërisht në këtë pikë. Në nenin 9, pika 2 e kodit thuhet se “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Kjo do të thotë se nëse Topi e dekretin ligjin sot, zgjedhjet bëhen minimalisht në muajin shtator. “Pra, merrni në konsideratë dhe kalkuloni kohën. Jemi në dhjetor. Unë, edhe sikur të kisha firmosur dekretin për ta miratuar ligjin, kërkonte dy javë për të kaluar në Fletoren Zyrtare dhe nga ai moment, përfytyroni se ku kalkulohet nëntë muajshi. Pra, zgjedhjet, që sipas Kushtetutës, zgjedhjet politike do të bëhen në pranverë, kalojnë të bëhen në vjeshtë, pra, ka një mospërputhje kushtetuese. Dhe në këto raporte, Kushtetutë - ligj elektoral, mbizotëron Kushtetuta”, u shpreh më tej Topi. Kreu i shtetit ka deklaruar në një konferencë për shtyp së bashku me homologun e tij bullgar, se ka qenë i detyruar të kthejë kodin për rishqyrtim në parlament, pikërisht për të korrigjuar këtë përplasje mes tij dhe kushtetutës. “Unë kam qenë i detyruar, duke qenë garant i Kushtetutës, që të rikthej në Parlament që të bëhet ky korrigjim, në mënyrë që të jemi konform detyrimit kushtetues, që zgjedhjet politike të përgjithshme në Shqipëri të realizohen brenda afatit kushtetues dhe t’i jepet mundësia presidentit që, sipas ligjit të Kodit Elektoral, të ketë një periudhë të nevojshme, të pranueshme, që të korrespondojë me atë që thotë Kushtetuta”, thekon më tej presidenti Topi. Në argumentet që i bashkëngjiten kuvendit dhe që tashmë janë depozituar në parlament, kreu i shtetit thekson se e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme debatin mbi reformën zgjedhore dhe ligjet që kanë të bëjnë me proceset elektorale.
Argumentet e Topit
“Reformën zgjedhore, debatet mbi këtë reformë dhe ligjet që kanë të bëjnë me proceset elektorale i kam vlerësuar si mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe rritjen e standardeve të administrimit të procesit zgjedhor. Një reformë zgjedhore e mirëhartuar dhe ligje elektorale që do të mundësonin një proces të drejtë zgjedhor, do të jepnin garancitë e duhura për realizimin e një procesi normal zhvillimi të demokracisë dhe pluralizmit në vend dhe më tej, realizimin e aspiratave të tij euro-atlantike. Ligjin e ardhur për shpallje, e konsideroj një përpjekje serioze dhe të domosdoshme për mirëadministrimin e procesit zgjedhor, por, gjej në të arsye për ta kthyer edhe njëherë në Kuvend për rishqyrtim.
Arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij. Kështu, neni 9, pika 2 i ligjit ka këtë formulim: “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.
Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Neni 8 ka parashikuar se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore, zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”. Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëherë periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor.
Neni 9, pika 2 e ligjit të ardhur për shpallje ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor. Ligji është dërguar për shpallje te Presidenti i Republikës në datë 24.11.2008, dhe procedura e dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, publikimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të tij, parashikon një periudhe kohore të caktuar, duke krijuar kështu pamundësi reale për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor.
Duke ushtruar kompetencën time kushtetuese kam besim se Kuvendi do të pasqyrojë vullnet maksimal politik dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve në afatet e vendosura në ligj”.