Esat Ademi: Po manipulohen zgjedhjet e KOKSH
Kandidati për presidentin e Komitetit Olimpik Shqiptar, Esat Ademi ka denoncuar dje përpjekjet e organeve drejtuese aktuale të KOSH-it të cilët në kundërshtim me statutin kërkojnë të përjashtojnë sportistët olimpikë nga e drejta e votës në 6 dhjetor. “Nëpërmjet kësaj deklarate dëshiroj të shpreh shqetësimin tim për atë që po ndodh në KOSH gjatë periudhës parazgjedhore për organet drejtuese të tij. Kam kërkuar që në ditën e parë të kandidimit për President i KOSH-it që të më vihen në dispozicion dokumentet bazë të zgjedhjeve të cilat janë më se normale që t’i ketë secili nga kandidatët. Fatkeqësisht për KOSH, akoma edhe sot, tre ditë përpara ditës së zgjedhjeve, nuk kemi asnjë dokument zyrtar se kush voton dhe kë përfaqësojnë ata. Më duhen këto dokumente sepse dua të kontaktoj me ta, t’u dërgoj programin tim dhe të marr prej tyre vërejtje dhe sugjerime. Nëse kjo është e pamundur vetëm tre ditë përpara zgjedhjeve atëherë kjo nuk mund të jetë normale”, deklaroi kandidati për postin e presidentit të Komitetit Olimpik. “Unë denoncoj të gjitha përpjekjet që po bëhen për të zhvilluar një proces zgjedhor aspak serioz, të padenjë për një institucion të rëndësishëm si KOSH. Gjithashtu dëshiroj të denoncoj atë që u tentua të bëhet me sportistët olimpikë. Në kundërshtim të hapur me statutin e KOSH po synohet që të përjashtohen sportistët olimpikë nga e drejta e votës, e drejtë që ju takon ligjërisht dhe moralisht. Nuk arrij të kuptoj se me çfarë guximi drejtuesit e KOSH-it shkelin statutin hapur dhe ndërmarrin iniciativa të tilla aspak të moralshme”, tha Ademi.