Gazidede: Remzi Hoxha s‘ishte objekti ynë
Armand Bajrami
Prokuroria paraqiti dje në Gjykatën e Krimeve të rënda deklarimet e dhëna 5 vite më parë nga ish-kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, lidhur me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Në seancën e djeshme ndaj ish-shiksave të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Zizo Kristopulit dhe Avdul Loshajt, u paraqitën 6 dëshmitarë të thirrur nga akuza. Në listën e tyre qëndronte edhe emri i ish-kreut të SHIK, Bashkim Gazidede, i ndarë nga jeta pak kohë më parë. Prokuroria paraqiti certifikatën e tij të vdekjes dhe kërkoi leximin e dëshmisë së dhënë nga Gazidede më 10 mars të vitit 2003. Dëshmitarët e tjerë ishin ish-punonjës të SHIK, funksionarë të administratës shtetërore, si edhe Ministri i Brendshëm i kohës kur ka ndodhur ngjarja, Halit Shamata.
Dëshmia e Gazidedes
Në deklarimet e dhëna përpara oficerëve të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës, 5 vjet më parë, Gazidede ka bërë të ditur hierarkinë e kompetencave në stukturën që ai drejtonte, si edhe mënyrat e organizimit të punës. I pyetur për shoqërimin e Avdul Loshajt në ambientet e Drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë në vitin 1995, ai kishte pohuar se nuk e njihte dhe nuk e kishte dëgjuar asnjëherë atë emër. Po ashtu edhe për shoqërimin e Zizo Krisopulit në Vain të Lezhës në vitin ‘95 nga punonjësit e SHIK, kishte deklaruar se “për herë të parë emrin e tij e kam dëgjuar të flitej në një kanal televiziv”. Ndërsa me marrjen e biznesmenit Remzi Hoxha nga punonjës të SHIK, po këtë vit, ishte njohur vetëm nga artikujt e një gazete. “Nuk mund ta kujtoj dot kohën kur ajo e ka shkruar. Për këtë unë u kam kërkuar degëve informacion dhe kam marrë përgjigje që nuk kanë pasur dijeni. Informacionin mund ta kem kërkuar me shkresa, por nuk jam i sigurt për këtë. Për këtë problem ne kemi hapur një fashikull dhe kemi futur informacionet përkatëse. Nga drejtoritë më ka ardhur informacion se këtë person nuk e kanë pasur objekt pune. Për këtë më ka kërkuar informacion edhe Pjetër Arbnori, si Kryetari i Parlamentit. Ditën e saktë nuk e mbaj mend dhe i kam kthyer përgjigje zyrtare për informacionin që kisha. Më ka kërkuar edhe Prokuroria e Përgjithshme për një targë mjeti dhe unë u kam kthyer përgjigje zyrtare. Çdo mjet kishte targat e veta dhe për këtë eshtë marrë informacion me shkrim dhe më pas i është kthyer përgjigje prokurorisë”, citoi prokurori procesverbalin e mbajtur 5 vite më parë. Ndërsa për njohjet me të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe ish-eprori i tyre kishte sqaruar: “Unë Ilir Kumbaron e kam njohur kur më ka kërkuar lirim nga puna në vitin 1996 e më parë nuk e kam njohur. Nuk e di se çfarë pune ka bërë, por më tha se do të ikte në Angli dhe e kam liruar. Avniun e kam takuar në zyrë, ku më ka ardhur për të kërkuar punë. I kam kërkuar dokumentet dhe e kam futur në punë por nuk më kujtohet se ku e kam emëruar. Budjon Meçen nuk e kam njohur më parë, por e njoha tani. Më ka ardhur për vizitë në shtëpi”.
Shoferi që mori Remziun
Dëshmitari që rrëfeu dje në gjyq, Shpëtim Pasholli, tha se nuk e njihte personin që po shoqëronin eprorët e tij. Ai rrëfeu për marrjen e Remzi Hoxhës nga punishtja e tij dhe “dorëzimin” te Kthesa e Kamzës ku priste një makinë tjetër. “Në SHIK kam punuar si shofer gjatë, në periudhën mes viteve `94-`97. Kam pasur një autovetura tip ‘Fiat tipo’”, pohoi ai para gjykatës. I pyetur për ngjarjen, ai deklaroi se ishte një ditë normale pune dhe ishte në makinë me Avni Koldashin, Riza Shehun dhe Bajram Gulicën. “Shkuam te një ndërtesë dy katëshe, në fund të dishezës te Dispanseria, 30 metra larg magazinave të tregtisë. Më urdhëruan të qëndroja në makinë. Tre eprorët e mi morën një person në atë ndërtesë dhe e futën në makinë. Jashtë dolën edhe ca punëtorë të cilët thoshin ‘Ku po e çoni’”. Më pas u nisëm drejt Kthesës së Kamzës. Atje priste një fuoristradë. Personi që morën te punishtja e hipën aty, ndërsa ne u kthyem edhe njëherë tjetër atje, ku qëndruam për 10 min”, pohoi ai para togave të zeza. Ndërsa sqaroi se vetëm pas disa ditësh kishte marrë vesh se ai personi ishte Remzi Hoxha. Në përfundim të dëshmisë së tij, prokurori kërkoi kundërshtim të dëshmisë dhe leximin e deklarimeve të dëshmitarit të dhëna në prokurori kur dosja ishte në hetim. Atje citohej se Remzi Hoxha ishte marrë me dhunë nga SHIK-sit, se rrugës i ishin vënë syza të errëta me pambuk që të mos kuptonte ku po e çojnë dhe se shoferi e kishte njohur drejtuesin e fuoristradës, që priste të zhdukurin te Kthesa e Kamzës. .
Myzafer Kambo
Kambo ka qenë duke sistemuar disa arka prapa lokalit të kafeterisë së Drejtorisë së Policisë, kur ka dëgjuar se dikur ra nga lartësia. Ai ka treguar dje për rënien e Avdyl Loshajt nga dritarja e tualetit të godinës së SHIK në Tiranë në vitin 1995. “Nuk e pashë kur ra, por dëgjova zërat e njerëzve dhe nxitova të shoh. Pashë që disa policë po e fusnin në një furgon policie. U interesova për të dhe më thanë që ishte një punonjës që po suvatonte dhe kishte rrëshkitur nga lartësia, por se gëzonte shëndet të mirë”, tha ai në sallën e gjyqit. Sipas tij, pak ditë më vonë ai e kishte marrë vesh i lënduari ishte Avdyl Loshaj.