Banorët në protestë për furgonët
BURREL - Dhjetëra banorë që jetojnë në lagjen prapa Muzeut Historik të rrethit Mat ankohen për qëndrimin e furgonëve pranë shtëpive të tyre. Ata i janë drejtuar me anë të një letre Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak në Burrel, nëpërmjet të cilës ata ankohen se furgonët e fshatrave që parkohen në rrugën fare pranë lagjes kanë krijuar probleme serioze për jetën e tyre, sidomos për fëmijët. “Në kohë me reshje apo pluhur fëmijët e kanë të pamundur të lëvizin nga rruga kryesore në drejtim të lagjes. Shoferët e furgonëve kanë ngushtuar me mjetet e tyre rrugën dhe duke lëvizur në këtë rrugë të ngushtë kanë krijuar probleme serioze për banorët e lagjes”. Kështu shkruhet banorët në peticionin drejtuar Bashkisë Burrel, duke shtuar dhe faktin se makinat përbëjnë dhe rrezik evident për shkaktimin e aksidenteve për ta. Banorët deklarojnë se nëse nuk merren masa për të miratuar një vend tjetër parkimi për mjetet, ata do të bllokojnë mjetet të lëvizin në këtë rrugë. Një problem më vete është ai se parkimi i mjeteve në këtë lagje dhe zbritja këtu e udhëtarëve të zonave rurale ka sjellë dhe ndotjen e mjedisit, pasi shumë nga pasagjerët nuk e kanë për gjë të kryejnë nevojat personale në anë të rrugës. Kjo situatë vazhdon prej një kohe të gjatë, por pas reagimit të përbashkët të banorëve pritet që të merren masa për zgjidhjen e hallit të tyre. h.p.