E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti në burg, në gjyq anëtari i Bandës së Durrësit

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria ngre akuzë te re dhe hap një gjyq paralel ndaj njërit prej personave të akuzuar si anëtarë të “Bandës së Durrësit”, i cili po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për krimet e kryera nga organizata kriminale. Sardian Sulejmani, i arrestuar dhe i akuzuar si anëtar i Bandës së Durrësit dhe pjesëmarrës në krimet e kryera prej saj, akuzohet në një dosje të re penale për goditjen e punonjësve të policisë. Ngjarja ka ndodhur rreth një muaj e gjysmë më parë në qelitë e burgut 313 në Tiranë, ku mbahen të akuzuarit si anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Sipas hetimeve të Prokurorisë, i arrestuari Sardian Sulejmani ka pasur konfrontim fizik me disa punonjës të policisë brenda në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Incidenti ka ndodhur pas një hyrje të befasishme të forcave të policisë në qelinë ku mbahet Sardian Sulejmani dhe dy të akuzuar të tjerë si anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Policia e burgjeve ka pasur informacione për mbajtjen e sendeve të pa lejuara në atë qeli dhe ka vendosur të ushtrojë kontroll të befasishëm. Mirëpo mënyra e ndërhyrjes së policisë dhe veprimet e kryera nga uniformat blu, duket se kanë shkaktuar reagimin e të pandehurve që ndodheshin në qeli. Një reagim i cili duket se ka shkuar në përmasat e konfrontimit fizik mes të akuzuarit si anëtar i “Bandës së Durrësit” dhe forcave të policisë që po ushtronin kontroll në qelitë e burgut 313. Prokuroria dhe policia e burgjeve pretendojnë se i akuzuari për disa krime në kuadër të bandës së Durrësit, ka reaguar në atë formë saqë u ka shkaktuar dëmtime fizike forcave të policisë së burgut, duke përmbushur elementët e veprës penale “goditje për shkak të detyrës”. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në burg, efektivat e policisë kanë firmosur padi penale ndaj Sardian Sulejmanit duke e denoncuar atë në Prokurori. Organi i akuzës filloi hetimet për këtë ngjarje duke marrë në pyetje efektivat e policisë së burgut që kanë marrë pjesë në operacionin e kontrollit si dhe më pas edhe vetë të paraburgosurit që ndodheshin në qeli në momentin kur ndodhi incidenti. Pas hetimeve të zhvilluara për këtë ngjarje, prokuroria ka ngritur akuzë ndaj Sulejmanit për goditje për shkak të detyrës ndaj policisë dhe dosja penale mësohet se është përcjellë në Gjykatën e Tiranës. I pandehuri që po gjykohet te Krimet e Rënda për veprat penale që i janë faturuar Bandës së Durrësit, tashmë duhet të paraqitet edhe në një gjykatë tjetër, për procesin paralel që do të fillojë lidhur me incidentin e ndodhur në qelitë e burgut 313 në Tiranë. I kontaktuar dje nga gazeta “Panorama”, Detar Hysi, avokat mbrojtës i Sardian Sulejmanit, konfirmoi se ishte në dijeni të akuzave të ngritura ndaj klientit të tij për incidentin në burg, si dhe për faktin se dosja penale për këtë ngjarje tashmë është depozituar për shqyrtim pranë Gjykatës së Tiranës. Çështja penale në fjalë, me nr.2218 mësohet se është hedhur në short në Faktin e kryeqytetit dhe sipas kësaj procedure do të shqyrtohet nga gjyqtari Petrit Çomo.           

Sulejmani në pranga me Indrit Doklen
TIRANE – Sardian Sulejmani është njëri nga anëtarët e akuzuar të “Bandës së Durrësit”, që u arrestua bashkë me Indrit Doklen në nëntor 2005. Akuza direkte e formuluar nga policia dhe prokuroria në ngarkim të Sardian Sulejmanit është pjesëmarrja në vrasjen e ndodhur në Tiranë në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, ku tri vite më parë mbeti i vdekur Ilir Koldashi, 31 vjeç. Menjëherë pas kësaj ngjarje, policia u vu në lëvizje për kapjen e autorëve të saj duke vendosur në pranga Sardian Sulejmanin dhe Indrit Doklen dhe më pas duke arrestuar në spital edhe 27-vjeçarin Kujtim Buna, i cili kishte mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit, ku u ekzekutua Ilir Koldashi. Sardian Sulejmani akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe për pjesëmarrje në episode të tjera kriminale, që i janë faturuar “Bandës së Durrësit” dhe për këtë shkak i dyshuari po gjykohet si anëtar i saj. Sulejmani mori pjesë bashkë me Indrit Doklen e Kujtim Bunën në vrasjen e lir Koldashit, më 30 tetor 2005. Kjo ngjarje mësohet se ndodhi për shkak të problemeve të brendshme të bandës dhe ndarjes së saj në dy fraksione.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›