E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim telefonatës së Erion Shukës

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Policia e Beratit është duke hetuar mbi telefonatën ende misterioze, që nxori nga shtëpia Erion Shukën, emigrantin e ekzekutuar dy ditë më parë. Bazuar në dëshminë e familjarëve të tij, 30-vjeçari u largua nga banesa në Urën Vajgurore pas një telefonate. Policia shoqëroi dje për këtë ngjarje një 25-vjeçar po nga Ura Vajgurore, i cili dyshohet për autorësinë e masakrimit e më pas vrasjes së emigrantit të sapokthyer nga Greqia. Vilson Hoxha u shoqërua pas dyshimeve të familjarëve të viktimës. Shuka mësohet të ketë pasur një konflikt me Hoxhën katër vite më parë, kur punonte në një lavazh të qytetit. Ndonëse asokohe, me ndërhyrjen e policisë, familjet e dy djemve vunë paqe, sërish dyshimet e të afërmve të Erion Shukës bien mbi 25-vjeçarin. Mësohet se pas atij konflikti, Shuka, që u gjet i vrarë në fshatin Moravë të Beratit, u largua nga Shqipëria. “Djali im nuk di të ketë pasur konflikte të tjera, veçse me Vilson Hoxhën. Ishim të varfër, ndaj Erioni punonte në një lavazh. Aty është konfliktuar me Vilsonin për shkaqe që unë nuk arrita t’i mësoj. Djali nga frika u mbyll brenda, derisa pronari i lavazhit sinjalizoi policinë. Më pas policia thirri Hoxhën dhe e mori në pyetje për konfliktin. Vilson Hoxha erdhi bashkë me policinë në shtëpinë tonë dhe kërkoi falje. Ne e konsideruam të mbyllur këtë konflikt, por kemi dyshime tek ai, pasi djali jonë nuk kishte probleme me tjetër njeri”. Kështu u shpreh dje Thoma Shuka, babai i emigrantit të vrarë mesnatën e së premtes, përpara se t’i jepte lamtumirën e fundit djalit të tij. Policia ka mundur të mbledhë të dhëna në lidhje me veprimtarinë e viktimës në shtetin fqinj. Ai u largua 4 vite më parë dhe u vendos në Athinë, në një banesë jo shumë larg tezes së tij. Gjatë kësaj kohe punonte si bojaxhi. Sipas burimeve është duke u hetuar ardhja e “rrufeshme” e tij në Shqipëri. Edhe vetë familjarët e tij kanë deponuar se i biri kishte ardhur pa i lajmëruar. “Nuk e dinim se do të vinte. Erdhi pa na lajmëruar. Gjatë gjithë kohës (gjashtë ditë) nuk doli nga shtëpia. Pamë se ishte i mërzitur”. Kështu kanë dëshmuar familjarët e viktimës në polici. Pas kësaj deklarate këta të fundit po hetojnë edhe për ndonjë konflikt të mundshëm të tij në Greqi, e cila dyshohet të jetë për larje hesapesh ose borxhe të viktimës.
Sipas babait të 30-vjeçarit, të premten rreth orës 10:00 të paradites, dikush i kishte telefonuar të birit. Ndonëse i mërzitur, ai kishte dalë nga shtëpia pa u thënë se ku do të shkonte. Familja e tij është sinjalizuar pas 24 orësh se djali i tyre ishte masakruar. Bazuar edhe në dëshminë e babait të viktimës, policia bëri të ditur se hetimi kryesor është fokusuar pikërisht tek telefonata me numrin grek të 30-vjeçarit. Por për efekt të hetimeve, blutë janë ende hermetikë në dhënien e detajeve të tjera në lidhje me këtë telefonatë. Megjithatë, duket se policia është duke e kopsitur dosjen, pasi burime të saj bënë të ditur se kanë mundur të sigurojë mjaft fakte. Ndërsa i dyshuari për vrasjen është ende i shoqëruar. Ai nuk ka pranuar të ketë dijeni apo të jetë i implikuar në këtë ngjarje. Mësohet se pistat e hetimit tashmë janë fokusuar tek konflikti i Erion Shukës katër vite më parë. Por gjithashtu, një tjetër dyshim i fortë lidhet edhe me ardhjen e tij të papritur në Shqipëri. Dyshohet se 30-vjeçari mund të ketë qenë i detyruar të largohet në mënyrë të menjëhershme nga Athina për shkaqe, të cilat janë duke u hetuar.

Policia: Dyshojmë konfliktet

Një grup specialistësh të Policisë Kriminale do të hetojë vrasjen e emigrantit, Erion Shuka. Nëndrejtori i policisë, Artan Cuka po merret me organizimin e punës për të zbardhur ngjarjen dhe autorët e saj. “Kemi arritur të zbardhim pothuajse 60 për qind të kësaj ngjarjeje tepër të rëndë të ndodhur në fshatin Moravë”, bëri të ditur nëndrejtori i policisë Cuka, i cili për efekt të hetimeve nuk dha më shumë detaje. Sipas tij, Erion Shuka është kthyer nga Greqia 1 javë më parë, pa njoftuar familjen dhe tezen e tij që rrinte në Athinë. “Kjo të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me një shqetësim të tij, gjë që ka ndikuar, që ai të kthehet nga Greqia pa njoftuar askënd. Nga burimet që ne kemi si polici, dyshohet të ketë pasur një grindje. Kur ka ardhur në shtëpi ai ka qëndruar brenda gjithë kohës. Kjo tregon se ai kishte probleme serioze, por nuk ia tregonte familjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›