Skandali, Policia Bashkiake dhunon familjen në Kombinat
ZIRINA LLAMBRO
Skandal me Policinë Bashkiake në Kombinat. Fadroma që thyejnë derën e shtëpisë që në orën 7 të mëngjesit e policë që të fusin zvarrë në fugon. Këtë kanë përjetuar dje anëtarët e familjes Zykaj. Gjithçka për të hapur një rrugë, e cila nuk është pjesë e asnjë plani urbanistik të zonës. Zanafilla e gjithë kësaj meseleje nisi dhjetë ditë më parë, kur në shtëpinë e familjes Zykaj erdhi procesverbali për shembjen e murit të oborrit të shtëpisë. “Na thanë që muri duhej të prishej pasi do të bëhej një rrugë, ndërkohë që pasi u interesuam morëm vesh se nuk ka asnjë plan për të bërë një rrugë këtu. Ajo është një rrugicë më tej”, sqaron Kastriot Zykaj. Ai nuk ka qenë fare në shtëpi të premten rreth orës 10:00, kur dy fugonë të policisë bashkiake bashkë me fadromat i kanë zbarkuar te dera. “Isha në Sarandë, kisha në shtëpi vetëm dy vajzat dhe djalin, gruaja ishte në punë. Kur më kanë marrë vajzat në telefon duke qarë të lebetitura, nuk gjej fjalë të ta përshkruaj atë situatë”, rrëfen ai. E vetmja rrugëzgjidhje që i ka shkuar në mendje në ato çaste ishtë të lajmëronte kryetaren e minibashkisë së Kombinatit. “Ka qenë gjithë kohës deri në 6 pasdite dhe të premten nëse shpëtoi pa u shembur shpëtoi vetëm prej saj”, shprehet Kastrioti, me jo pak mirënjohje kundrejt kryetares Luzhiana Abazaj. Por ngujimi bashkë me të zotët e shtëpisë dhe telefonatat e shumta që ajo ka bërë për të mos u prishur shtëpinë, duket se janë harruar shpejt.Kjo si nga krerët e bashkisë, ashtu edhe nga ata pak më poshtë tyre, drejtuesit e inspektoratit ndërtimor.
Shembja e murit
“Nëse do kishin ardhur si njerëz dhe do më kishin thënë se të zë plani i rrugës dhe do të prishet shtëpia, do ta kisha shembur vetë murin. Por të të trajtojnë si një kriminel, të të marrin me pizhama, të të fusin në fugon dhe të të lënë te “Qyteti i Nxënësve”, është skandaloze”. Kështu shprehet Kastriot Zykaj, shtëpia e të cilit tani është pa derë e mund të hyjë gjithkush. E shoqja rrëfen se kanë përjetuar një tmerr të vërtetë. “Ishte ora 7 pa njëzet e mëngjesit, kur dal shikoj fadromat dhe ata të Policisë Bashkiake. Dolëm të gjithë, fëmijët qanin. Im shoq u përpoq të mos i lejonte ta prishnin murin, por e morën zvarrë e futën në fugon, ashtu me pizhame siç ishte. Nuk di ta shpjegoj atë që kemi kaluar. Të mbaja fëmijët që qanin apo veten”, tregon ajo. Veç Kastriotit janë përplasur në fugon edhe dy të afërm të tij. “Pas kësaj ja arritën të prishnin murin, madje kanë çarë edhe një tub uji”, tregon e shoqja. Nga sa mësojmë, Policia Bashkiake ligjërisht nuk ka asnjë kompetencë që të shoqërojë në fugon qytetarët. “U interesuam në policinë e shtetit dhe na thanë që nuk e kanë këtë të drejtë. Ata gjithë rrugës më kanë bërë presion a thua se nuk isha në shtëpinë time po i kisha hyrë dikujt për të vjedhur. Këtu nuk ka shtet. Madje tani e kam të qartë që këta të vijnë të prishin edhe shtëpinë deri në themel e s’ke ku ta gjesh të drejtën tënde”, thotë i indinjuar Kastrioti. Ai pohon se shtëpia është e ndërtuar që ne vitin ‘89 është në proces legalizimi. Ndërkaq ajo që nuk i hiqet nga mendja dhe e përsërit në çdo çast është tmerri që kanë përjetuar fëmijët. “Dy vajzat, më e madhja 18 vjeç dhe djali i vogël, herën e parë ishin vetëm në shtëpi dhe ata nuk donin t’ja dinin aspak. Nuk e kuptoj në këta njerëz kanë familje vetë. Ne nuk jemi kriminelë. Jemi dakord që nëse duhet, rruga të bëhet. por jo të trajtohesh
Luzhiana Abazaj: Të turpshëm precedentët e Bashkisë në Kombinat
“Këta janë precedentë të turpshëm e të përsëritur nga Policia Bashkiake e ata sipër saj, të cilët mbi kurrizin e qytetarëve ushtrojnë presione e dhunë, që nuk ua lejon ligji”. Kështu e komenton kryetarja e njësisë Bashkiake nr. 6 në Kombinat Luzhiana Abazaj. Ajo ka mbështetur familjen Zykaj gjatë gjithë ditës së premte dhe ka qëndruar me ta edhe dje, pas prishjes së shtëpisë. “E para, këtu nuk ka asnjë plan për ndërtimin e një rruge. Nga sa morëm vesh është një kërkesë e bërë nga disa banorë në takimin e dështuar, që Edi Rama bëri në Kombinat me strukturat e PS, duke përjashtuar qytetarët”, sqaron ajo duke shtuar se edhe sikur të ishte kështu nuk mund të dhunosh njerëzit si të vijë për mbarë. “Ndërhyrja e Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimor është e paligjshme. Madje, i zoti i shtëpisë ka bërë edhe një denoncim në polici për dhunën brutale, që kanë ushtruar ndaj tij. Këta qytetarë do ta ngrenë sërish murin që u prish. Nuk ka asnjë mënyrë përveçse asaj ligjore që të prishet sërish. Ne nuk do ta lejojmë”, pohon Abazaj. Sipas saj ndërmarrja e këtij akti është jashtë çdo norme madje edhe absurde. “Kush ua jep të drejtën këtyre personave, që të lebetitin një familje. Që të marrin të zotin e shtëpisë dhe ta degdisin tutje. Kush është ai arrogant, që ua jep këtë të drejtë. Janë më dhjetëra procesverbale në zonën e Kombinatit, që janë prerë me kohë për ndërtesa pa leje që duhet realisht të prishen. Për asnjërën prej tyre nuk është ekzekutuar urdhri. Atëherë si mundet që kërkesat e disa militantëve të vijnë mbi një institucion dhe të urdhërohet prishja e shtëpisë së tjetrit”, shprehet Abazaj. Ajo nënvizon se kryebashkiaku Rama dhe vartësit e tij me këtë zonë kanë nisur ta teprojnë. “Do të jenë sërish qytetarët, që do të japin verdiktin e tyre ndaj këtyre veprimeve, që mbi të gjitha janë kundër çdo ligji”, thotë Abazaj.