E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, policia: 53-vjeçari u masakrua për t’u grabitur

 

KORÇE - Hetimet rreth vdekjes misterioze të 53-vjeçarit Ferat Zenuni dolën në rezultatin, se ai është vrarë për ta grabitur. Për këtë ngjarje është arrestuar bashkëfshatari i tij, Zalo Xita, 21 vjeç. Dyshohet se ai bashkë me një tjetër, banor i fshatit Rehovë, e kanë masakruar me mjete prerëse. Në hetimet e para u dyshua se 53-vjeçari nga Rehova ishte vrarë me tehun anësor të derës, pasi ishte përplasur me forcë dhe se hemorragjia i kishte marrë jetën. Pas gjetjes së viktimës mes një pellgu gjaku në korridorin e shtëpisë së tij, policia e Korçës kreu veprimet e para procedurale. Nga këqyrja e ngjarjes, blutë dyshuan se nuk kishin të bënin me një vdekje aksidentale. Kufoma u dërgua në morgun e spitalit të Korçës dhe iu nënshtrua ekspertizës së mjekëve ligjorë. Gjatë këqyrjes së kufomës në mjediset e morgut u konstatua se në pjesën e kokës kishte dëmtime të shumta të shkaktuara me mjete të forta prerëse. Ishin këto plagë, sipas ekspertëve, që kishin shkaktuar hemorragjinë e madhe, që e çoi drejt vdekjes viktimën. Kjo zbardhi edhe faktin, se mbi të kishin ushtruar dhunë. Grupi i hetimit dhe Prokuroria bënë dokumentimin ligjor të ngjarjes si vrasje. Pas 24 orë hetimesh u arrit që të bëhej zbulimi, dokumentimi dhe ndalimi i autorit të krimit. Në orën 23:00 të së shtunës u arrestua Zalo Xita nga Rehova. Arrestimi i tij u bë pasi kishte lënë gjurmë në shtëpinë ku ndodhi krimi për të gjetur para. I riu akuzohet për “Vrasje me dashje”. Burime policore bëjnë të ditur se janë gjetur gjurmë edhe të një personi tjetër, i cili po kërkohet. Sipas bashkëfshatarëve viktima Ferat Zenuni jetonte i vetëm në shtëpi pas divorcit, që kishte pasur me bashkëshorten dhe pas largimit të fëmijëve në emigracion.                                j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›