E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen kodet e bandës shqiptare të kokainës

 

ITALI – Gjuhë e koduar në të gjitha telefonatat ndërmjet bandës shqiptare të trafikut të kokainës dhe heroinës. Jo vetëm kaq, një pjesë e mirë e tyre bëhej në gjuhën shqipe, çka e vështirësonte edhe më shumë punën e hetuesve italianë. Deshifrimi i kodeve me të cilat komunikonin me njëri-tjetrin 49 anëtarët e bandës italo-shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës, të arrestuar tre ditë më parë nga policia italiane e Komos, u ka kushtuar mjaft kohë investiguesve të këtij vendi. Rodolfo Mekareli, komandanti i “Guardia di financias” të Komos, ka zbardhur dje për mediat e vendit fqinj detaje nga operacioni “Kodrat komaske”, që përfundoi me 49 të arrestuar dhe me sekuestrimin e 26 kilogramëve dogë (25 kilogramë kokainë dhe 1 kg heroine), 10 autovetura dhe 13 mijë euro. Ndër të tjera, Mekareli ka bërë të ditur gjuhën e koduar të përdorur prej personave që kryenin trafikun e kokainës mes Holandës dhe Italisë. Kur telefononin në Holandë, vend nga i cili sigurohej sasia e pluhurit të bardhë, trafikantët pyesnin se ç’kohë bënte. “Por kushtet e motit, në të vërtetë atyre nuk u interesonin aspak”, ka sqaruar numri një i policisë së Komos, Mekareli. Sipas tij, ishte mënyra e koduar për të kuptuar nëse ngarkesa me drogë ishte gati për t’u nisur për në Itali. Kohë e mirë do të thoshte që rruga ishte e lirë. Kohë e keqe, ose kohë me re tregonte ndonjë vështirësi. Gjithashtu, nëse droga ishte në formën e kapsulave, që mund të ishin gëlltitur nga korrieri i radhës, çka përbënte mjaft rrezik në telefonata, flitej për dorë ose gisht. Ndërsa, nëse droga ishte një bllok kompakt, në dialogjet telefonike përmendej si “pllaka”. Por, ndërsa kohë pas kohe hetuesit e vendit fqinj kishin arritur të deshifronin kodet e përdorura nga trafikantët, shumë herë ajo që i ka “sfiduar” ata ka qenë gjuha e përdorur prej tyre. Mësohet se shumë herë bisedat telefonike ndërmjet pjesëtarëve të bandës kryheshin në gjuhën shqipe. Hetimet që u përfunduan me zhvillimin e operacionit “Kodrat komaske” kishin filluar në tetor të vitit 2006, kur në autostradën A9, në një automjet ku udhëtonin një shqiptar dhe një italian, u gjetën 700 gramë kokainë. Ky rrjet trafiku operonte në Italinë Veriore dhe kishte bashkëpunim me grupe kriminale të të njëjtit lloj në Francë, Holandë, Zvicër, Gjermani e Shqipëri.
Sipas policisë së vendit fqinj, eksponenti kryesor i organizatës ishte N. Zivanaj, 42 vjeç, me kombësi shqiptare, rezident i rregullt në Itali. Bëhet e ditur që Zivanaj, duke shfrytëzuar lidhjet e tij realizonte kontaktet me furnitorët e kokainës nga Holanda dhe të heroinës nga Shqipëria.                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›