Banorët protestojnë për rrugët, policia shoqëron tre organizatorët
PUKË - Ka përfunduar me shoqërimin në polici të tre personave protesta e zhvilluar në komunën Gjegjan nga banorët e zonës, të cilët kërkonin asfaltimin e rrugës Fushë-Arrës-Reps dhe vendosjen e mureve mbrojtëse për të evituar aksidentet. Pjetër Leka, 46 vjeç, Bardhok Ndreu, 33 vjeç dhe Artur Ndreu, 26 vjeç, të tre banues në fshatin Shkozë të komunës Gjegjan, janë shoqëruar në Komisariatin e Pukës ku do të përballen me akuzat e organizimit dhe manifestimit të paligjshëm dhe bllokim të rrugëve. Në lidhje me protestën ka reaguar dhe Policia e Pukës. Sipas tyre, ishte marrë informacioni se në orët e paradites, rreth 50 persona, banorë të komunës Gjegjan, kanë organizuar një tubim të kundërligjshëm duke tentuar të bllokojnë rrugën, pasi pretendonin për përmirësimin e gjendjes së rrugës në atë zonë. Policia tha se janë marrë të gjitha masat e duhura, duke mos lejuar bllokimin e këtij aksi rrugor. Gjatë kësaj proteste policia tha se ka shoqëruar dhe tre persona, të cilët dyshohet se janë organizatorët e saj. Kështu, kanë përfunduar në komisariat dhe janë marrë në pyetje: Pjetër Lika, 46 vjeç, Bardhok Ndreu, 33 vjeç dhe Artur Ndreu, 26 vjeç, të tre këta persona banues në fshatin Shkozë, komuna Gjegjan.
Protesta
Banorë të fshatrave të Gjegjanit janë grumbulluar në orën 10:00 të ditës së djeshme në kryqëzimin e rrugëve Hadraj-Gjegjan, që të çon drejt Repsit, Gjegjanit e Fushë-Arrësit dhe e kanë bllokuar për disa minuta atë. Ndërhyrja e policisë ka sjellë zhbllokimin e rrugës dhe moslejimin e zhvillimit të protestës deri në fund. Banorët protestues kanë kërkuar që kryeministri dhe qeveria të mos vijnë këtu vetëm për ngushëllime kur vdesin njerëz në aksidente tragjike, si ai i 17 korrikut, por të mbajnë premtimet, të asfaltojnë rrugën dhe të vendosin parmakët mbrojtës. Sipas protestuesve, kjo është një rrugë nacionale, por që nuk është e asfaltuar dhe është kthyer në një gërmadhë, në një varrezë, pasi në çdo kilometër të saj shikohen lapidarë viktimash të aksidenteve automobilistike.
Dëshmitë
"Edhe kur është asfaltuar, është bërë pjesë-pjesë, 500 metra diku e 500 metra të tjerë më larg, të shkëputura, copa-copa. Është premtuar se do të asfaltohet, do të vihen mure e parmakë mbrojtës dhe do të bëhet tuneli i Gjegjanit, por asnjë prej këtyre nuk është bërë. Qeveria na ka lënë pas dore. Nuk është një protestë politike, nuk kemi lidhje me asnjë parti, duam vetëm sigurinë e rrugës dhe të mund të punojmë si të tjerët. Qeveria t’i thërrasë mendjes dhe kryeministri të mos vijë për ngushëllime, por të na bëjë rrugën që jo vetëm po na rrënon ekonomikisht, por po na merr dhe jetë njerëzish. Sikur të kishte parmakë mbrojtës, nuk do vdisnin 15 njerëz pak javë më parë. Sali Berisha thotë se ka bërë Rrugën e Kombit, por atë e ka bërë për kosovarët, se ne e kemi të paasfaltuar rrugën që na lidh me autostradën, edhe pse na është premtuar”, - janë shprehur protestuesit gjatë ditës së djeshme.
Të shoqëruar
Pjetër Lika, 46 vjeç
Bardhok Ndreu, 33 vjeç
Artur Ndreu, 26 vjeç
Basha: Në tetor do të jepet vendimi për liberalizimin e vizave
TIRANË - Tetori pritet që të jetë muaji që do të vendoset për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën “Shengen”. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin e 10-të në Salzburg të Austrisë, pati edhe bisedime dypalëshe ku ka deklaruar se tashmë janë vetëm disa hapa teknikë dhe pikërisht tetori ose fillimi i nëntorit do të jetë edhe afati kohor për të marrë një vendim për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. “Kam pasur bisedime dypalëshe me disa prej kolegëve të Bashkimit Europian, të cilët më kanë siguruar se presin finalizimin e hapave teknikë nga Komisioni Europian dhe që shpresojnë që në mbledhjet e tyre të ardhshme në tetor apo nëntor, dhe këto mbledhje i ndajnë tri javë nga njëra-tjetra, të finalizojnë vendimmarrjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”, - deklaroi ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Në Forumin e 10-të të Salzburgut, Shqipëria është vlerësuar si një shembull në rajonin e Ballkanit Perëndimor në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve dhe të lëshimit të dokumenteve të identitetit të standardeve më të larta europiane. “Gjatë vizitës në Shqipëri u impresionova nga arritjet teknologjike të Policisë shqiptare në menaxhimin e integruar të kufijve si dhe në përdorimin e teknologjisë së informacionit në luftën kundër krimit të organizuar. Mendoj se në këto fusha, si dhe me qeverisjen elektronike në tërësi, Shqipëria ka ecur shumë përpara sa mund të merret si shembull dhe për vende të tjera të rajonit”, - u shpreh në forum ministrja e Brendshme e Austrisë znj. Maria Fekter. Ndërkohë, nisma e Shqipërisë për realizimin e Shengenit ballkanik brenda presidencës njëvjeçare të saj të MARRI-it (Nisma Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët), ka gjetur mbështetjen e plotë të të gjithë ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit dhe përkrahjen e homologëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Sërish protesta për tokat në Dukat, banorët kërcënojnë me bllokime rrugësh
VLORË - Qindra banorë të Dukatit dhe Orikumit janë mbledhur në sheshin pranë shkollës së mesme të Dukatit të Ri për të kërkuar edhe njëherë nga qeveria t’i japë zgjidhje çështjes së pronësisë për tokat e tyre. Në një protestë paqësore që ka nisur rreth orës 18:00 të dy ditëve më parë, banorët i kanë kërkuar qeverisë t’u njohë tapitë dhe certifikatat e pronësisë për 260 km katrorë tokë që sipas tyre u takon pasi është trashëgimia që u kanë lënë të afërmit e tyre. Kjo sipërfaqe prej 260 km katrorë shtrihet nga Kepi i Gjuzës deri në Llogora. Pjesë e kësaj proteste është bërë edhe kreu i Bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, i cili ka dalë në mbështetje të banorëve të Dukatit. Këta banorë kanë deklaruar se nuk do ta lejojnë qeverinë të fillojë ndërtimin e parqeve eolike në Karaburun pa u ndarë fillimisht atyre titujt e pronësisë mbi këto toka. Banorët kanë protestuar gjithashtu kundër ushtrimit të dhunës, sipas tyre, prej forcave të policisë gjatë arrestimit të të rinjve dukatas, si dhe i kanë bërë me dije ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, se nuk do të stepen prej kërcënimeve për ndjekje penale nëse bllokojnë rrugët nacionale. Gjatë protestës që ka zgjatur rreth 4 orë është zgjedhur dhe një kryepleqësi prej 21 anëtarësh, të cilët do të jenë në krye të këtij grupi protestuesish. Në përfundim të këtij takimi protestuesit kanë bërë edhe një fletëpalosje që përmban një betim të të interesuarve për mbrojtjen me çdo çmim të pasurive të tyre. Ky betim është firmosur edhe nga banorë të tjerë të Dukatit dhe Orikumit, të cilët nuk kanë qenë pjesë e protestës.
Burri rreh bashkëshorten në mes të rrugës
TIRANË - Një burrë ka qëlluar dhe plagosur rëndë bashkëshorten e tij. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Rrugën e Barrikadave në kryeqytet. Burimet nga Policia e Tiranës thanë se sherri mes dy bashkëshortëve ndodhi në rrugë. Si shkak mendohet të jenë grindjet në çift. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur te Rruga e Barrikadave në Tiranë, ku autori i krimit ka rrahur barbarisht gruan e tij. Kjo e fundit, sipas policisë, ka mbetur e plagosur nga dëmtimet fizike të marra si pasojë e dhunës dhe menjëherë është dërguar për ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë, bashkëshorti i saj është shoqëruar në polici, ku po i nënshtrohet procedurave të hetimit.
Përplasen dy makina, plagoset një 52-vjeçar
KORÇË - Një 52-vjeçar në Korçë ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të drekës te kthesa e Maliqit, kur Shkëlqim Hasa, teksa udhëtonte me një motor, është përplasur nga një automjet me targa greke ku udhëtonte një familje nga Peqini. Përplasja e fortë i ka shkaktuar plagë të rënda në trup 52-vjeçarit, i cili ndodhet në Spitalin rajonal të Korçës. Ndërkohë që policia ndaloi drejtuesin e mjetit. Sipas Policisë, paraprakisht mendohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia.
29 Gusht 2010