E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshtetësia për fëmijët e emigrantëve, si merret në Itali



ROMË - Një nga problemet që emigrantët shqiptarë, por jo vetëm, kanë kur janë në vend të huaj, është nënshtetësia e fëmijëve. Shtete të ndryshme kanë rregulla të veçanta për dhënien e pasaportës për pasardhësit e emigrantëve. Sipas ligjeve të shtetit italian, fëmijët e emigrantëve mund ta marrin nënshtetësinë pas një moshe të caktuar. Por ky rregull është kur të dy prindërit janë të huaj. Ndërsa njëri prind është shtetas italian, atëherë dhe marrja pasaportës nga fëmijët është një procedurë e lehtë dhe pa probleme. Por si duhet të veprohet që një fëmijë i lindur në Itali, por me prindër të huaj, të marrë nënshtetësinë.
Koha
Një fëmijë që ka lindur në Itali, por që është me dy prindër të huaj, për të marrë shtetësinë italiane duhet të presë sa të mbushë tetëmbëdhjetë vjeç. Sipas ligjit italian, kush lind këtu nga prindër të huaj (që të dy), nuk e fiton shtetësinë italiane automatikisht sapo lind, por mban atë të prindërve të tij. Vetëm kur mbush 18 vjeç, kush ka lindur në Itali dhe ka qenë gjithmonë rezident atje mund ta kërkojë shtetësinë italiane duke u paraqitur në zyrën e gjendjes civile brenda një viti nga mbushja e moshës madhore. Në këtë rast shtetësia i njihet, mjaft që ta shprehë këtë vullnet përpara nëpunësit të gjendjes civile para mbushjes së moshës nëntëmbëdhjetë vjeç. Fëmija duhet të tregojë se e ka pasur gjithnjë rezidencën në Itali, pa asnjë ndërprerje deri në atë çast. Praktikisht duhet të certifikohet regjistrimi në zyrën gjendjes civile që nga çasti i lindjes në Itali dhe pajisja më leje qëndrimi, e shënuar në atë të prindërve. Shpesh ndodh që prindërit të jenë vonuar në vënien e emrit të fëmijës në leje-qëndrimin e tyre apo në regjistrimin e tyre në regjistrin e popullsisë së komunës së rezidencës, dhe një gjë e tillë mund ta bëjë të pamundur marrjen e shtetësisë së fëmijëve.
Procedurat
Ministria e Brendshme, për të lehtësuar ata që paraqesin kërkesat lidhur me rezidencën legale, me një qarkore ka udhëzuar nëpunësit e gjendjes civile të vlerësojnë me elasticitet kriterin e rezidencës së pandërprerë, duke përcaktuar që në rast ndërprerjeje të rezidencës legale apo të regjistrimit me vonesë të lindjes, të merren parasysh si provë e qëndrimit në territorin italian edhe certifikata mjekësore, si vaksinimet, apo edhe certifikatat shkollore. Natyrisht, regjistrimi në regjistrin e popullsisë duhet të lidhet me çastin e lindjes dhe kjo e fundit duhet të jetë deklaruar në mënyrë të rregullt pranë komunës italiane nga të paktën një prej prindërve, rezident i rregullt në Itali. Kërkesa për njohjen e shtetësisë italiane duhet të paraqitet duke përpiluar një formular të posaçëm në zyrën e gjendjes civile të komunës së rezidencës. Me përmbylljen e praktikës, zyra do t’i komunikojë menjëherë qytetarit të interesuar vendimin e saj. Nëpunësi i gjendjes civile, pasi verifikon përmbushjen e kritereve, procedon me regjistrimin e qytetarit të ri italian në regjistrat e gjendjes civile. Në këtë rast nuk parashikohet humbja e shtetësisë së prindërve. Qytetari konsiderohet italian nga e nesërmja e ditës kur deklaron vullnetin e tij për t’u bërë shtetas italian.

Kategoritë
Marrja e shtetësisë bëhet pas një periudhe të caktuar, që është e ndryshme për kategori të ndryshme të huajsh. Kështu: për shtetas jokomunitarë, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 10-vjeçare; për shtetas komunitarë, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 4 vjet; për refugjatë politikë apo të paatdhe, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 5 vjet; për persona në moshë madhore të adoptuar nga shtetas italianë, të paktën 5 vjet nga data e adoptimit.
I huaji, të cilit njëri prej prindërve apo njëri nga paraardhësit (deri te stërgjyshërit) i ka lindur në Itali, merr shtetësinë italiane nëse në çastin e mbushjes së moshës 18 vjeç është rezident në Itali prej të paktën dy vjetëve. Në këtë rast, ama, duhet të deklarojë para se të mbushë 19 vjeç se dëshiron të bëhet italian. Ndërsa i huaji i lindur në Itali merr shtetësinë nëse ka qenë rezident, pa ndërprerje, deri në mbushjen e moshës madhore (18 vjeç), por edhe në këtë rast duhet të shprehë, para se të mbushë 19 vjeç, vullnetin për t’u bërë shtetas italian.

Koha e qëndrimit
Konsiderohet legalisht rezident në territorin italian ai që banon aty dhe që ka respektuar gjithnjë normat lidhur me hyrjen dhe qëndrimin në Itali dhe ato të regjistrimit në zyrën e gjendjes civile të komunës. Kjo do të thotë që nuk është e mjaftueshme të ketë pasur lejen e qëndrimit për të gjithë periudhën e përcaktuar si më lart. Ligji parashikon shprehimisht që i huaji të jetë rezident, pra i regjistruar në zyrën e gjendjes civile në mënyrë të vazhdueshme për të gjithë periudhën, për të pasur të drejtën e paraqitjes së kërkesës për marrjen e shtetësisë. I interesuari mund të kontrollojë nëse ka apo jo rezidencë të pandërprerë duke kërkuar pranë komunës ku banon certifikatën historike të rezidencës.

Ndryshimet
Me ndryshimet e ardhura në fuqi më 8 gusht 2009 është zgjatur koha e martesës pas së cilës shtetasi i huaj mund të paraqesë kërkesë për shtetësi për martesë me shtetas italian. Nga gjashtë muaj kalohet në dy vjet rezidencë, por ky afat përgjysmohet në rast se çifti bëhet me fëmijë, qofshin këta edhe të adoptuar. Nëse pas paraqitjes së kërkesës në prefekturë për njohjen e shtetësisë italiane ndodh ndarja apo zgjidhja e martesës, praktika e shtetësisë hidhet poshtë, pasi normat e reja përcaktojnë - dhe kjo është risia më e rëndësishme - që martesa duhet të jetë e tillë deri në çastin e njohjes së shtetësisë nga Ministria e Brendshme. Një risi tjetër është edhe fakti që nuk do të mund të vetëcertifikohet më statusi familjar, rezidenca, apo të tjera kushte, por i duhen bashkangjitur kërkesës dokumentacioni i nevojshëm (certifikata të zyrave të Gjendjes civile) që dëshmon këto fakte. Në rast se ky dokumentacion nuk paraqitet, kërkesa nuk do të pranohet (kjo vlen edhe për shtetasit komunitarë). Vetëcertifikimet nuk do të pranohen më qoftë për kërkesat e shtetësisë për martesë qoftë për ato për natyralizim.

Sa duhet të jenë të ardhurat për të marrë shtetësinë italiane
Shtetasit e huaj, rezidentë në Itali, që kërkojnë shtetësinë sipas nenit 9, paragrafi 1, të ligjit 91/1992, pra për natyralizim, përveç kushtit të viteve të rezidencës, duhet të plotësojë edhe kushtet minimale të të ardhurave. Edhe pse ligji mbi shtetësinë nuk thotë asgjë mbi të ardhurat, me dekretin e 22 nëntorit 1994, të modifikuar në vitin 2002, Ministria e Brendshme ka vendosur që, për të ardhurat që duhet të konsiderohen për njohjen e shtetësisë italiane duhen marrë si pikë referimi të ardhurat e të interesuarit gjatë tre viteve të fundit dhe të deklaruara në mënyrë të rregullt me anë të CUD-it, modelit unik apo 730. Bashkëpunëtorët familjarë që nuk kanë detyrimin të bëjnë deklaratën e të ardhurave mund të dorëzojnë një deklaratë zëvendësuese të CUD-it të përpiluar nga punëdhënësi, që dëshmojë rrogën mujore dhe vjetore bashkë me fotokopjet e kontributeve INPS të derdhura gjatë tre viteve të fundit dhe me fotokopjen e dokumentit të identitetit të punëdhënësit. Dhënia e shtetësisë italiane për natyralizim është fryt i një pushteti vetëgjykimor të administratës që, në fakt, shqyrton kapacitetin ekonomik të të interesuarit, ose e thënë me fjalë të tjera, që kërkuesi të ketë mjete të mjaftueshme për të mbajtur veten në mënyrë që të mos rëndojë në kurriz të kolektivitetit. Ministria e Brendshme, për dhënien e shtetësisë, falë pushtetit vetëgjykimor, ka marrë si pikë referimi për të ardhurat, sentencat e shumta të Këshillit të Shtetit; ka vendosur që kërkuesi duhet të ketë të ardhura jo më të ulëta se 8 300 euro, pikërisht kufirin e parashikuar për përjashtimin nga pjesëmarrja në shpenzimet shëndetësore. Në çastin e paraqitjes së kërkesës së shtetësisë duhen bashkëngjitur kopjet e modeleve fiskale dhe të kuponit të dërgesës telematike në Agjencinë e të Ardhurave. Në rastin kur ai që kërkon shtetësinë nuk përmbush kushtin e kapacitetit ekonomik, me fjalë të tjera, nëse i interesuari nuk arrin me të ardhurat e tij shumën 8 300 euro në vit, mbahet parasysh edhe kapaciteti ekonomik i të gjithë bërthamës familjare, pra të ardhurat vjetore të secilit pjesëtar të familjes. Në këtë rast kërkesës i bashkëngjiten edhe dokumentet fiskale të familjarëve. Ligji parashikon që shtetësia italiane, në rast se plotësohen të gjitha kushtet, duhet të jepet (apo të mohohet) brenda 735 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Është e rëndësishme që prefekturës ku është paraqitur kërkesa t’i nisen çdo vit me postë rekomandè me lajmërim marrjeje, ose të dorëzohen duke shkuar personalisht dokumentet fiskale të përditësuara.

29 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›