E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Vokshi dhe Braçe të sjellin dokumente ligjore



Prokuroria e Tiranës u ka kërkuar deputetëve Albana Vokshi dhe Erion Braçe të sjellin dokumente për akuzat dhe kundërakuzat për korrupsion. Prej më shumë se një muaji opozita ka vijuar akuzat në distancë për korrupsion ndaj maxhorancës, kryesisht ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi. Pasi Prokuroria ka thirrur në zyrat e saj deputetët Albana Vokshi dhe Erion Braçe dy ditë më parë, Task-Forca në Prokurorinë e Tiranës po thellon hetimet për të zbuluar nëse ka apo jo afera korrupsioni dhe abuzim me detyrën për qëllime përfitimi. Akuzat e opozitës për Vokshin vijnë për fshehje të pasurisë, përfitim të lejeve koncesionare dhe favorizim në procedurat tenderuese për deputeten dhe personin me të cilin ajo bashkëjeton. Burime nga Prokuroria deklaruan se në listën e dëshmitarëve do të pyeten edhe persona të tjerë, të cilët kanë dijeni mbi këtë çështje, deputetët socialistë që janë shprehur për akuzat, ministri Dritan Prifti dhe deputetët e maxhorancës që kanë kundërakuzuar kreun socialist Edi Rama për lejet e ndërtimit.
Prokurorët e Task-Forcës kanë bërë të ditur se do të thellojnë hetimet në të gjitha dikasteret e përfshira në këtë betejë akuzash për korrupsion, për të gjetur dokumentet e nevojshme për lejet koncesionare dhe lejet e tjera të vëna në qendër të polemikave.
Akuzat
Partia Socialiste ka nisur që prej një muaji akuzat ndaj deputetes Vokshi për fshehje pasurie, pasi nuk kishte përfshirë në deklarim licencat koncesionare që Arian Tartari ka përfituar. Më tej opozita publikoi dokumente që denonconin 6 koncesionet për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Kardhiq, të cilat u janë dhënë kompanive me të njëjtin pronar, Arian Tartari, personi me të cilin bashkëjeton deputetja Albana Vokshi.
Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, pranoi se hidrocentralet janë gjashtë, por ato nuk i janë dhënë vetëm Arian Tartarit, por një konsorciumi prej katër firmash. Ndërsa socialistët deklaruan se tre prej tyre kanë pronar pikërisht personin që ata akuzojnë.
Reagimi
Nga ana e saj, deputetja Albana Vokshi iu përgjigj akuzave duke sulmuar kreun e PS-së Edi Rama për abuzime me lejet e ndërtimeve dhe marrje ryshfeti. Ajo deklaroi se Rama, për t’i dhënë një leje ndërtimi bashkëshortit të saj, i ka kërkuar ryshfet deri në 100 milionë euro, duke kërkuar që ortaku i tij, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri, të bëhej aksioner në firmën “Vision Construction” duke marrë 20 për qind të tyre. Burime nga Prokuroria kanë pohuar se edhe para prokurorëve, të dy deputetët kanë vijuar me akuza politike, ndërkohë që prokurorët shprehen se nevojiten prova në dokumente për të vërtetuar akuzat.

Deklarata
Felaj: “Kunati i Bregut nuk ka përfituar vetëm një koncesion për ndërtimin e HEC-ve”

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, ka vijuar akuzat edhe dje ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Felaj deklaroi se kunati i Majlinda Bregut, Hektor Ajazi, ka përfituar koncesione për ndërtimin e HEC-ve. Ajo i bëri me dije ministres Bregu se do të vijojë të denoncojë korrupsionin qeveritar. “Ministrja e Integrimit, zonja Majlinda Bregu, e pranoi përfshirjen e kunatit të saj, vëllait të bashkëshortit, si aksioner në koncesionin për ndërtimin e një numri hidrocentralesh, dëshirojmë t'i drejtojmë 3 pyetje të reja madamë 15-përqindëshes”, - u shpreh Felaj. “Së pari, zonja ministre, nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit na rezulton se kunati juaj deri sot është marrë me biznes diskosh dhe mobiliesh. Më saktësisht, shtetasi Hektor Beqir Ajazi është pronar dhe përfaqësues ligjor i firmës ‘Zippo’ dhe firmës ‘Hektor Ajazi’. Duke qenë se, me sa dimë ne, dollapët dhe muzika nuk kanë lidhje me prodhimin e energjisë hidrike, a mendoni, zonja Bregu, se përveç të qenit kunati i ministres, Hektor Ajazi ka pasur ndonjë kualifikim tjetër për të përfituar koncesionin e hidrocentraleve? Së dyti, zonja ministre: dje ju pranuat publikisht se kunati juaj është aksioner vetëm me 15 për qind në vetëm një hidrocentral. Më duket se po bëni të njëjtin gabim si kolegia juaj Vokshi, zonja ministre. A jeni plotësisht e sigurt se koncesioni në fjalë parashikon ndërtimin e veç një hidrocentrali, apo më shumë se kaq? Së treti, zonja Bregu: dje përjashtuat kategorikisht lidhjen e bashkëshortit tuaj, Namik Ajazi, me ndonjë kompani aktive në fushën e energjisë. Zonja Bregu, jeni e sigurt për këtë deklaratë tuajën? E keni pyetur mirë bashkëshortin?”.

Reagimi

Bregu: “Rama nuk mund t’i mbulojë gjobat e tij me akuza qesharake”

Pas akuzave publike të deputetes socialiste Ermonela Felaj, ka reaguar menjëherë ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila e ka sulmuar ashpër kreun socialist, Edi Rama. Sipas saj, Edi Rama nuk mund të mbulojë gjobat miliona euro ndaj kompanive të ndërtimit me akuzat për biznese dhe kontrata ligjore. Ministrja Bregu, në deklaratë akuzon lidershipin e opozitës si burracak që fshihet pas sekserëve me emra kafshësh të buta. Ajo i kërkoi Ramës të japë përgjigje për aferat korruptive, për ndërtimet te Liqeni Artificial, qytezën Delijorgji dhe arsyet se pse 80 për qind e lejeve në Tiranq i fitojnë vetëm 4 firma. “Ti je bërë pis i tëri, nuk më bën dot pis mua dhe familjen, pasi nuk ke vetë një të tillë”, - iu drejtua ministrja Bregu kreut të socialistëve, Rama. Ministrja Bregu u shpreh se u ka dhënë përgjigje dhe do t’u përgjigjet gjithmonë ligjeve dhe institucioneve dhe jo, sipas saj, kurthit të pistë të Ramës.

Deklarata

Noka:
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i ka kërkuar dje kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të japë llogari për gjobat e tij ndaj ndërtuesve. “Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i kërkoj z. Edvin Rama, të zhdukur në drejtim të paditur, dil nga vrima e lepurit e përgjigju akuzave të ngritura nga firmat e ndërtimit. Z. Rama, Dodë Doçi të ka akuzuar publikisht se i ke kërkuar 20% për një leje ndërtimi nëpërmjet sekserit tënd. Ndërtuesi Dine Fratëri të ka paditur publikisht për gjobën prej 1 milion dollarësh që e kalon vlerën e 20 përqindëshit që ti vetë, z. Edvin Kristaq Rama, i ke vënë këtij ndërtuesi të njohur. Media të ka denoncuar se në këmbim të futjes së Tan Leprit si aksioner, ti premtoje dhënien e lejes së ndërtimit. Deputetja Vokshi të ka akuzuar se firma ‘Vizion Construction’ është detyruar të fusë si aksioner me 20% mikun tënd, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri. Kjo firmë ndërtimi të akuzon se ky 20% vetëm për këtë rast vlen jo më pak se 100 milionë euro”, - iu drejtua deputeti demokrat Nokaj kryebashkiakut Rama.

Reagim
Gaçi: “Deputeti Nokaj është bërë flamurtar i mbrojtjes së motrave Vokshi”

Selia rozë i është kundërpërgjigjur deputetit demokrat Flamur Nokaj nëpërmjet deputetit socialist Artan Gaçi, se ai, bashkë me ministrat Majlinda Bregu dhe Dritan Prifti janë bërë flamurtarë të mbrojtjes së motrave Vokshi. “Por, aferat korruptive që dalin çdo ditë nga ferra ku rri strukur lepuri i korrupsionit të qeverisë ‘Berisha’ janë të pajustifikueshme e të pambrojtshme, Flamur. Për gjithçka the sot, mund të shkosh edhe ti në prokurori a gjykatë, ku mbi 30 çështje presin përgjigje. Asnjëra prej fjalëve të tua nuk e mbulon dot të vërtetën e madhe: Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se janë duke u qeverisur nga një lukuni pushtetarësh, të etur për të grabitur me çdo formë e përmes çdo mundësie, të gjitha asetet dhe pronat e shqiptarëve”, - iu drejtua Gaçi deputetit Nokaj, duke shtuar: “Është pikërisht kjo bandë të babëziturish, ku bëjnë pjesë ministra e deputete, së bashku me vëllezër, motra e kunetër makutë, që po i vjedhin përditë shqiptarët duke pasuruar çdo ditë e më shumë xhepat e tyre. Është e kotë, ferra ku fshihej lepuri i korrupsionit të Sali Berishës ka dalë zbuluar. Fakte dhe prova të reja dalin çdo ditë. Kjo ferrë e korrupsionit do të shkulet falë fuqisë së ndryshimit të shqiptarëve”.

29 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›