Dietat dhe shëndeti
Në kulturën tonë presioni për të qenë i dobët është i madh. Individët vazhdimisht përballen me mendimet se forma ideale e trupit është dobësia e tejskajshme. Në suplementin e sotëm të gazetës “Albania”, ju do të njiheni pikërisht me gjithçka që duhet të ndiqni për të pasur një trup të bukur, në formë duke përdorur medikamente bimore që nuk kanë asnjë efekt anësor për organizmin. Fëmijët e brendësojnë idenë për të qenë të dobët dhe që në moshë të hershme kuptojnë se të qenit mbipeshë është i padëshirueshëm. Disa që mund të jenë më të shëndoshë se forma ideale, fillojnë ta shohin trupin e tyre si një burim sikleti të trupit. Pasioni për tu dobësuar duket se rëndon më shumë në disa grupe demografike për shembull: gratë paraqesin më shumë pakënaqësi për peshën e trupit të tyre. Një trup jo i përsosur u ofron të tjerëve një dëshmi të dukshme dobësie, mungesë rezistence, sjellje të ngadalta dhe mungesë kontrolli. Kështu pra shoqëria do të reagojë keq ndaj atyre që nuk kanë këto standarde dhe se individët do të vuajnë nga këto reagime si në nivelin social ashtu dhe në atë psikologjik.
Vuajtjet sociale dhe psikologjike
Personat obezë përcaktohen si dembelë, të papastër dhe me mungesë kontrolli. Qëndrimet negative krijojnë paragjykime dhe si rrjedhim ndikojnë në faktorë të tillë si: vendimi për të marrë në punë një person obez dhe kjo duket qartë nga paditë e shumta që janë bërë nga persona obezë mbi faktin se ata nuk arrijnë të punësohen, detyrohen të lenë një punë, ose u refuzohet pjesëmarrja në një aktivitet dhe vetëm e vetëm për shkak të peshës së tyre. Tek personat obezë vërehet ndjenja e tyre e veçantë. Ka një realitet social paragjykimesh dhe diskriminimesh që ndikon funksionimin psikologjik. Nocioni i fajësisë përmbi peshën tek individët me peshë është i kuptueshëm, duke pasur parasysh supozimet kulturore mbi peshën dhe formën e trupit. Individët mbipeshë e fajësojnë veten dhe ndjenjën se do të mund të kenë një trup më të hollë nëse bëjnë përpjekje të mëdha.
Faktorët e rrezikshëm që kontribuojnë në mbipeshë
Vlefshmëria e ushqimeve me yndyra të tepërta
Nivelet e larta të yndyrave ditore
Mënyrat e të ushqyerit që promovojnë obezitetin
Faktorët biologjikë
Faktorët gjenetikë
Shkalla e ulët metabolike
Numri i lartë i qelizave yndyrore
Dieta e mirë apo e keqe
Mbrojtja e dietës është caktuar si një nga mënyrat më të lehta, të shpejta dhe shtëpiake për tu ulur në peshë. Popullariteti i dietave është po aq i madh sa edhe numri i shumtë i tyre. Shumë individë i përdorin ato me qëllimin e qartë që edhe ato vetë reklamojnë, të bien në peshë dhe mundësisht kjo rënie të zgjasë sa më shumë. Dieta është vlerësuar si jo e drejtë për humbjen e peshës dhe kjo për disa arsye: Humbja e peshës nuk ka treguar ulje të shkallës së vdekshmërisë; Dietat janë pa përjashtim jo efektive; Dieta mund të çojë në çrregullime të ngrënies pa kriter, bulimia nervore ose ankoreksi nervore.
Obeziteti
Obeziteti është një çrregullim heterogjen dhe ka mundësi që trajtime të ndryshme të jenë efektive për individë të ndryshëm. Nuk duhet të mendohet se mund të përdoret një trajtim i vetëm, i suksesshëm me të gjithë individët dhe se një program qëndron mbi të tjerët. Ushqimet janë njohur si baza të menaxhimit afatgjatë të peshës. Shumë individë kanë pritshmëri ireale mbi rezultatet afatshkurtra të ushqimeve dhe kur këto pritshmëri nuk arrihen, ai mund të frustrohet, të shkurajohet dhe të mos përpiqet më të kryejë ushtrime të rregullta.
Individët obezë
Individët obezë janë shumë të ndjeshëm ndaj sinjaleve të jashtëm (pamja, era dhe shija e ushqimit). Njerëzit me mbipeshë duhet të shmangin situata në të cilat veprojnë sinjale ushqimore tunduese. Që të bëhen më të ndërgjegjshëm për stimuluesit e jashtëm, njerëzit obezë mund të mbajnë ditar për ushqimin: një listë të asaj që hanë, kohën kur hanë, si ndjehen kur hanë dhe në ç’rrethana hanë. Krahas faktorëve psikologjik dhe ambiental, shfaqja e obezitetit ka të bëjë edhe me rolin që luan organi i pankreasit. Çrregullimet e punës së pankreasit shkaktojnë ndryshime në nivelin e insulinës. Këto ndryshime të punës hormonale lidhur me shfaqjen e obezitetit si një faktor i pranishëm nga puna e pankreasit. Pranoni veten ashtu si jeni dhe mos e shkatërroni organizmin duke mbajtur dieta të forta dhe duke mos ngrënë bukë, por hani nga pak nga të gjithë llojet e ushqimeve, përdorni trajtime bimore që nuk sjellin efekte anësore në shëndet dhe bëni ushtrime, pasi përveçse luajnë rol në linjat trupore, bëjnë shumë mirë për mirëfunksionimin e organizmit. Bëni kujdes me ushqimin që shtojnë riskun e obezitetit duke i pakësuar ato dhe jo duke i shmangur plotësisht, pasi trupi ka nevojë për të gjithë llojet e ushqimeve.
Faqja 14
Ilaçet bimor dhe ushqimet për të rënë nga pesha
Taraxacum officinale
Karakteristikat e kësaj bime si favorizuese në funksionin tretës dhe depurativ të organizmit rrisin rëndësinë e saj si ndihmëse në dietat për uljen e peshës dhe përmirësimin e funksioneve osteoartikulare. Taraxaco ka shumë përdorime tradicionale si për shembull ai përdoret si laksativ i lehtë, tonik i mëlçisë, diuretik dhe depurativ dhe antiedematoz. Rrënja, që përbën dhe pjesën e bimës që ka vetitë e mësipërme përmban fruktozë, taraxacoside, laktone të hidhura, triterpeni, laktoni sesquiterpenike, sterole etj. Karakteristikat e kësaj bime si favorizuese në funksionin tretës dhe depurativ të organizmit rrisin rëndësinë e saj si ndihmëse në dietat për uljen e peshës dhe përmirësimin e funksioneve osteoartikulare.
Mormodica (Bitter lemon)
Është një bimë që rritet në Azi dhe përdoret nga vendasit edhe në ushqimin e përditshëm. Kjo bimë ka efekt ipoglicemizant, pra ul nivelin e sheqerit në gjak, prandaj dhe përdoret në dietat e ndryshme për dobësim, sepse ndikon në metabolizmin e sheqernave. Për efektet që ka kjo bimë nuk rekomandohet të merret nga persona që vuajnë nga ipoglicemia (nivele të ulëta të sheqerit në gjak) dhe nga gratë shtatzëne (edhe pse nuk ka studime të mirëfillta që konfirmojnë këtë kundërndikim). Kjo bimë është e pasur me vitamina dhe minerale si hekur, kalcium, fosfor, kalium, fibra ushqimore, vitaminë A, C, B1, B3 etj. Përdorime të tjera të kësaj bime janë në: HIV/AIDS, tumore, diabet, etj.
Coleus
Coleus përmban një substancë të quajtur forskolin, që duke stimuluar gjëndrën tiroide bën të mundur humbjen e yndyrave. Por në ndryshim nga efedrina që është përdorur shpesh për këtë qëllim, forskolina nuk ka efekte anësore si rritje e tensionit, takikardi, nervozizëm dhe shqetësime të sistemit nervor si efedrina. Me kalimin e viteve është gjithnjë e më e vështirë të humbet pesha nën ndikimin e substancave si kafeina, ose duke stimuluar gjëndrën tiroide ose insulinën. Forskolina është parë që anulon këtë humbje sensibiliteti duke ripristinuar një nivel metabolik të djegies së yndyrave si në një organizëm të ri. Kjo është një avantazh plus për moshat mbi 40-vjeç te të cilët pilulat dhe sistemet e dobësimit të tipeve të tjera nuk janë shumë efektive. Dhe së fundmi, është parë që forskolina ruan muskujt gjatë dietave për dobësim. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse dihet që një pjesë e konsiderueshme e peshës së humbur nga dietat dobësuese i përket muskujve që i jep formën trupit dhe djeg kaloritë. Kjo është arsyeja që shpesh personat në dietë në fund të saj kanë një paraqitje më pak të kënaqshme edhe pse kanë humbur peshë.
Kromi
Kromi është një mineral esencial që ndihmon organizmin të djegë kaloritë, të humbë yndyrat dhe peshën duke ruajtur muskujt. Kromi ndihmon organizmin të normalizohet nga pikëpamja metabolike dhe stabilizon “fazën” për një dobësim të sigurt dhe afatgjatë. Pjesa më e madhe e amerikanëve që hanë shumë karbohidrate dhe yndyra zhvillojnë një gjendje në të cilën trupi dërgon kalori në qelizat dhjamore për ta konservuar aty në vend që ta dërgojë në muskuj për ta transformuar në energji. Kjo bën që jo vetëm të rritet sasia e dhjamit, por edhe ajo e kolesterolit në gjak. Kromi i kombinuar me një dietë të ekuilibruar dhe ushtrime fizike mundëson uljen e peshës. Në prani të një sasie të caktuar kromi organizmi i “dërgon” kaloritë në vendin e duhur dhe ndihmon trupin të djegë yndyrat. Kromi ndihmon gjithashtu edhe për të mbajtur nën kontroll oreksin.
Glucomanani (Amorphophallus konjac)
Rrënja e bimës së konjakut përmban glukomanan që falë fibrave të tretshme, në prani të ujit fryhet duke thithur deri në 100 herë volumin e saj dhe duke bërë që të ndihemi të ngopur me stomakun plot. Përveç kësaj, kjo bimë ul absorbimin e sheqernave, yndyrave dhe kripërave biliare duke rregulluar edhe nivelin e kolesterolit.
Kajsia
Kajsia përdoret në dietat për dobësim, sepse ka një efekt laksativ duke ndihmuar transitin intestinal që shpesh është më i ulur në personat mbipeshe. Grupet kërkimore në universitetin e Okayames prej vitesh kanë fokusuar vëmendjen e tyre te Cassia nomame (kajsia) duke analizuar në fillim gjethet ku kanë gjetur luteolinen si komponent të rëndësishëm me aktivitet inibitor mbi lipazën pankreatike, substancë kjo në gjendje të ndihmojë në ruajtjen e nivelit fiziologjik të triglicerideve.
Banaba
Është një bimë që rritet në Azinë orientale dhe që përdoret kryesisht si hipoglicemizante dhe kundër obezitetit. Principi aktiv të cilit i detyrohen vetitë ipoglicemizante është acidi corosolic që ka një mekanizëm veprimi insulin-like edhe kur merret nga goja, favorizon përdorimin e glukozës nga qelizat dhe prandaj e quajnë fito-insulinë. Kjo veti e saj e ka bërë që të shihet si trajtim me interes dhe në personat që vuajnë nga diabeti (që janë insulin-vartës), por shumë më pak në diabetin juvenil. Pa diskutim që të shikohet efikasiteti duhet të ndiqet nga një stil jetese korrekt dhe i ekuilibruar. Studimet klinike kanë parë që marrja e banabes vetëm për 4 javë fillon të japë rezultate të kënaqshme dhe përveç kësaj efekti zgjat deri në një muaj pas marrjes. Lëvizja fluktuante e niveleve të glukozës në gjak stimulon urinë dhe dëshirën për të ngrënë sidomos të ëmbëlsirave, pra duke rregulluar nivelin e sheqerit në gjak mund të kontrollohet më mirë marrja e ushqimeve pra dhe rënia në peshë.
Acidi corosolic
Përveç gluicemisë, acidi corosolic inibon diferencimin e adipociteve (qelizat në citoplazmën e të cilave depozitohen yndyrat dhe që formojnë indin dhjamor), duke ndihmuar edhe një herë në rënien në peshë. Përveç uljes së glicemisë nga studime të ndryshme është parë edhe një ulje e yndyrave në mëlçi si rrjedhojë e uljes së akumulimit të triglicerideve duke ekuilibruar kështu situacionin total të yndyrave. Përdorimi i dozave nga 8-48mg të acidit korosolic nuk ka dhënë probleme toksiciteti, prandaj mund të quhet një bimë e sigurt për dobësim. Megjithatë, për mungesë të studimeve klinike është më mirë të mos përdoret në shtatzëni.
Kjo bimë gjen përdorim në uljen e niveleve të sheqerit në gjak, në mbipeshë, për të luftuar urinë nervore që vjen si rrjedhojë e fluktuacioneve të nivelit të glicemisë dhe për të përmirësuar yndyrat në përgjithësi.
Produktet bimore për dobësim
Primum
Genzian
Ortica
Betulla
Crescione
Cicoria
Prugna
Carciofo
Bardana
Zn, Mg, K
Cellsol dren
Pilosella
Orthosiphon (the di giava)
Faqja 15
Trajtimi i celulitit
Celuliti konsiderohet patologji dhe është një nga problemet më shqetësuese tek femrat. Në rastet me celulit themi që sasia e yndyrës është mbi limitin standard të normales domethënë mbi 22 por qind të peshës trupore. Celuliti ka volum, sepse në fazën e zhvillimit të tij kemi zmadhim të qelizës dhjamore dhe si pasojë deformim të pjesëve të ndryshme të trupit. Ai është i dukshëm në pozicion vertikal dhe ka efekt pamor të ngjashëm me lëkurën e portokallit. Kjo zonë është e mbingarkuar me ujë dhe yndyrë dhe kështu deformon enët e gjakut dhe pengon qarkullimin normal të tij. Nëse nuk marrim masa celuliti do të akumulohet në vazhdimësi. Për ta luftuar, ose parandaluar atë duhet një aktivitet fizik i pandërprerë. Në rastet ekstreme duhen bllokuar burimet e yndyrave, të sheqerit dhe të brumërave. Duhet konsumuar një sasi e madhe uji deri në 3 kg në ditë, sepse oksigjeni që përmban uji e eliminon celulitin në një masë të konsiderueshme.
Trajtimet estetike
Në trajtimet estetike, është mjaft efikase baltoterapia me produkte organike si: alga deti, kërpudha të konservuara në parafinë. Ky trajtim ndihmon rrëzimin e celulitit dhe rezultatet janë të kënaqshme. Trajtimi shoqërohet me tonifikimin e muskulaturës dhe detyrimisht duhet ti nënshtrohesh aparateve me elektroda siç janë: Top Slimmer, Ultratonic etj. Kjo është gjimnastike pasive, ose dobësim në mënyrë dembele. Këto trajtime janë të kushtueshme por te rehatshme. Ndryshe mund të ushtroheni në natyrë ose palestër por gjithmonë mos harroni ujin që është element i rëndësishëm. Me vullnet çdo gjë arrihet. Pas këtyre trajtimeve do të keni një trup perfekt. Humbja në peshë të jep sadisfaksion dhe ndihesh me energjik dhe më i shëndetshëm.
Celuliti
Celuliti është një lloj indi dhjamor në shtresën e nënlëkurës që përmban tufa indi lidhor. Ky ind lidhor, që varion në trashësi dhe është i ndërthurur me qelizat dhjamore, mbahet në atë pozicion nga një rrjet fibrash që e mbron trupin tonë duke rrethuar muskujt dhe organet...
Ai është i rrethuar nga një lëng që përveçse e ushqen, përbën dhe një sistem efektiv për eliminimin e mbeturinave. Kur gjithçka funksionon siç duhet, mbeturinat largohen jashtë trupit nga ky sistem, gjë që rezulton në kurba të lëmuara të trupit; kur yndyrat, lëngjet dhe toksinat mbeten thellë në lëkurë (poshtë shtresës epidurale), indi lidhor trashet dhe forcohet duke dhënë një efekt fryrës. Me kalimin e moshës shtresat e lëkurës hollohen, çka rezulton në shfaqjen e pamjes së valëzuar të celulitit.
Ndryshimi i celulitit me dhjamin
Ndryshimi i celulitit me dhjamin është se celuliti, në dallim nga dhjamosja, ndodhet vetëm në disa pjesë të caktuara te trupit; kofshët, të ndenjurat, barku dhe gjoksi. Celuliti ka të bëjë detyrimisht me peshën. Megjithëse formimi i celulitit varet nga dieta dhe stili i jetesës, pjesa më e madhe e tij është e formuar nga toksina dhe yndyra të formuara në trup, që mund të prekin gra të çfarëdolloj përmase, peshe dhe strukture trupore. Tipat e celulitit: Celuliti i fortë ose solid, zakonisht gjendet në gratë aktive si balerinat, atletet etj. Ky lloj celuliti është i vështirë të eliminohet sepse nuk drenohet kollaj nga trupi. Nga ana tjetër në disa raste është i vështirë dhe të diktohet sepse ngjitet direkt me muskulin. Celuliti i shkrifët, nuk është aq i përqendruar dhe është më i dukshëm se celuliti solid. Zakonisht gjendet në zona të mëdha, është i lëvizshëm dhe mund të shkaktojë atoni muskulore (rënie e tonusit). Edhe pse më i dukshëm, celuliti i shkrifët mund të eliminohet më lehtësisht.
Kush preket nga celuliti dhe pse
Zakonisht janë gratë ato që preken më shume nga celuliti. Ai fillon të shfaqet tek vajzat rreth moshës 14 vjeç dhe rritet si rezultat i hollimit dhe rishpërndarjes së shtresës së lëkurës me kalimin e moshës. Celuliti zakonisht formohet tek gratë pas lindjes dhe në ato që marrin kontraceptivë oralë sepse sistemi i eliminimit nuk mund të përballojë fluksin tepër të madh të estrogjeneve në trup. Ai mund të zhvillohet edhe pas traumave aksidentale që dëmtojnë sistemin e qarkullimit të gjakut ose në ato që bëjnë jetë sedentare (pasive). Shumë rrallë celuliti mund të formohet edhe tek meshkujt, kjo sepse rrjeti i tyre i qelizave yndyrore është në thellësi të lëkurës.
Faktorët që kontribuojnë në formimin e celulitit janë:
1. Trashëgimia.
2. Marrja e pamjaftueshme e ujit. Uji ndihmon në sistemin e eliminimit të mbeturinave duke nxjerrë jashtë toksinat nga trupi. Këshillohet mundësisht të merren 7 gota ujë në ditë. Konsumi i 3 litrave ujë në ditë është optimale.
3. Dieta. Zakonet e dëmshme të ngrënies (alkooli, kafeina, ushqimet pikante) ndihmojnë në formimin e celulitit sepse toksinat që ato prodhojnë, mbeten në indin dhjamor.
4. Pirja e duhanit. Nuk është e dëmshme vetëm për lëkurën dhe mushkëritë, por gjithashtu ngushton kapilarët e gjakut dhe dëmton indin lidhor duke shkaktuar fryrjen karakteristike të celulitit.
5. Tensioni dhe stresi. Bëjnë që muskujt dhe indi lidhor që i mbulon ato, të trashen. Nga ana tjetër tensioni bllokon qelizat, duke dëmtuar eliminimin e mbeturinave dhe pastrimin e trupit.
6. Marrja e mjekimit. Mund të dëmtojë proceset natyrale të organizmit të njeriut. Barnat për dobësim, sedativët dhe diuretikët, mund të çojnë të gjitha në krijimin e celulitit, kontraceptivët oralë, që rrisin nivelin e estrogjeneve në gjak, shkaktojnë zmadhimin e qelizave yndyrore që çon në mbajtjen e ujit në organizëm. Mbajtja e ujit në organizëm pengon trupin të eliminojë toksinat dhe krijon celulitin.
7. Mungesa e ushqimeve dhe stili sedentar i jetesës. Ushtrimet ndihmojnë tonifikimin muskulor, qarkullimin e gjakut dhe mirëqenien e përgjithshme, duke shkaktuar copëzimin e indit të bllokuar dhe pastrimin e trupit.
Eliminimi
Mos prisni mrekulli kur bëhet fjalë për celulit. Por nga kombinimi i ushqyerjes dhe aktivitetit fizik të duhur, me eliminimin e stresit dhe trajtimet estetike, mund të rezultojnë në zbutje të lëkurës. Rritja e qarkullimit të gjakut përmes masazhit, padyshim që ndihmon në eliminimin e celulitit. Çelësi në parandalimin dhe luftimin e celulitit është pastrimi i trupit i kombinuar me aktivitet fizik, dietë të shëndetshme, reduktim të tensionit dhe përmirësim të qarkullimit të gjakut.
Ananasi lufton celulitin
Fruti i ananasit përmban një enzimë që quhet Bromelaine, e cila ka për veti të shkrije proteinat (depolymerizon fibrinën). Pra kur fryti i ananasit është i pjekur mirë, mund të përdoret për dietë. Ai ndihmon në eliminimin e yndyrave të tepërta. Ul ndjeshëm celulitet tek femrat dhe ndihmon gjithashtu për të rënë nga pesha. Por kujdes, ananasi jo shumë i pjekur, përmban shumë vitaminë C dhe ndihmon në këtë rast në hapjen e oreksit. Ananasi është një frut tropikal më një shijë shumë të shijshme dhe gjendet në treg edhe në vendin tonë. Ju mund ta keni shijuar atë si frut në kokteje të ndryshëm pa e ditur se përdorimi i tij ka një rol të rëndësishëm në organizëm. Ananasi është fruti që ndihmon në forcimin e kockave, në përmirësimin e gjendjes shëndetësore gjatë gripit, si dhe ndihmon në parandalimin e problemeve dhe ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Edhe pse është pak e vështirë ta ndash frutin nga lëkura, rëndësia qëndron te përbërësit që ky fryt përmban. Ananasi ka vlera të shumta për shëndetin e njeriut, sidomos për forcimin e kockave, pasi është një frutë shumë i pasur me vitaminë C. Fillimisht duhet theksuar se është tepër e rëndësishme që fruti të jetë i freskët dhe kjo gjë dallohet tek gjethet e tij. Ato nuk duhet të jenë aspak të zverdhura, por në një jeshile sa më të errët. Në sajë të përbërësve të tij ananasi vepron në organizëm si dizintoksikues (largon helmet nga organizmi), diuretik (shkarkon ujërat e tepërta në organizëm), dhe antiinflamator. Efektet e tij kuruese janë se ky frut shërues lufton të gjitha format e celulitit, edemave (ënjtjet). Ananasi ndihmon edhe në tretjen e mirë të ushqimit.
Kur nuk duhet të bëhet trajtimi anticelulit
Nuk mund t’i nënshtrohesh kësaj terapie në rastet kur vuan nga:
1. Zemra
2. Organet e frymëmarrjes
3. Diabeti
4. Variçet
5. Mëlçi kronike
6. Epilepsi
7. Puçrra masive
8. Lëkura është e dëmtuar
9. Shtatzënia
10. Gjatë ciklit menstrual
11. Kur ka plagë të pashëruara plotësisht në lëkurë
12. Menjëherë pas ndërhyrjeve kirurgjikale etj.
Faqja 16
Çaji i gjelbër pengon rritjen e peshës
Sipas disa hulumtimeve laboratorike, çaji i gjelbër mund të jetë i dobishëm edhe për të parandaluar trashjen dhe ruajtjen e vijës trupore, por edhe pse kjo është treguar e suksesshme tek shtazët eksperimentuese, ende nuk është dëshmuar të ketë efekt edhe te njerëzit. Të dhënat nga testet paraprake laboratorike në minj tregojnë:
Peshë më të vogël. Në mesin e minjve me gjen të obezitetit (trashësisë), ato që morën ushqim të përzier me ekstrakte të çajit të gjelbër fituan më pak peshë.
Më pak yndyra në mëlçi. Tek minjtë me gjen të obezitetit, që morën ushqim të përzier me ekstrakte të çajit të gjelbër, u gjet se kishte edhe më pak shenja të ndonjë sëmundje të mëlçisë të shkaktuar nga yndyrat.
Nivele më të ulëta të kolesterolit. U gjetën edhe nivele më të ulëta të kolesterolit dhe triglicerideve te minjtë me gjen të trashësisë dhe që morën ushqim të përzier me ekstrakte të çajit të gjelbër, në krahasim me minjtë me të njëjtin gjen obeziteti dhe që nuk morën ekstrakt nga çaji i gjelbër. Një mëlçi e shëndoshë nuk është e yndyrshme, mirëpo obeziteti te minjtë, ose njerëzit, mund të çojë te krijimi i formacioneve lipidike në mëlçi dhe të shkaktojë sëmundjen joalkoolike të mëlçisë yndyrore. Përsa i përket ekstraktit të çajit të gjelbër, gjatë studimit është përdorur doza ekuivalente me atë që një person mund të marr, nëse pi së paku shtatë gota çaj brenda ditës.
Studimi, mbipesha shkaktohet nga bashkëpunimi midis organizmit dhe baktereve
Mikrobet janë bashkudhëtarët më të hershëm të njeriut. Në fazat e para të evolucionit, prania e tyre në organizëm ka ndihmuar për ruajtjen e energjisë në formë dhjami. Por shkencëtarët thonë se në epokën bashkëkohore të ushqimeve me kalori të lartë, këto mikrobe duket se nuk i sjellin njeriut ndonjë të mirë. Një grup shkencëtarësh biologë në Saint Luis të Minesotës mendojnë se mbipesha shkaktohet nga bashkëpunimi midis organizmit dhe baktereve. Ata thonë se gjenet e mikrobeve jo vetëm ndikojnë në ruajtjen e kalorive por edhe zgjedhin se cilat kalori të ruajnë dhe mbajnë ato kalori që depozitohen në dhjam. Kur njeriu ha, ai nuk ushqen vetëm veten e tij. Ai ushqen edhe bakteret e zorrëve. Biologu Xhef Gordon thotë se bakteret në zorrë e marrin energjinë nga ushqimi ynë dhe numri i tyre në organizëm është 10 herë më i madh sesa ai i qelizave.
Doktor Gordon thotë se njeriu kurrë nuk ha vetëm. Një komunitet i madh mikrobesh përfiton nga ushqimi i tij dhe një nga mënyrat e bashkë-ekzistencës së organizmit me mikrobet është bashkëpunimi dhe shkëmbimi, në këtë rast shkëmbimi i vlerave ushqimore. Doktor Gordon dhe ekipi i tij pranë universitetit Uashington në Saint Luisi kanë gjetur të dhëna se ky bashkëpunim midis mikrobeve dhe organizmit mund të sjellë si rezultat mbipeshën. Në studimin e tyre thuhet se tek minjtë në laborator, prej të cilëve u hoq një grup mikrobesh të caktuara, nuk u vunë re shenja të dhjamosjes pavarësisht nga lloji apo sasia e ushqimit. Doktor Gordon thotë se minjtë pa këto mikrobe u treguan rezistent ndaj mbipeshës që krijohet si rezultat i niveleve të larta të yndyrave dhe sheqerit. Shkencëtarët zbuluan se minjtë mbi peshë kanë më shumë baktere të një lloji të veçantë, ndërsa minjtë në peshë normale kanë më shumë baktere të një lloji tjetër. Shkencëtarët gjithashtu kontrolluan edhe një numër njerëzish dhe nxorën të njëjtat rezultate, dhe ashtu si tek minjtë, kur analizuan gjenet e mikrobeve panë se ato jo vetëm ndikojnë në ruajtjen e kalorive por edhe zgjedhin se cilat kalori të ruajnë dhe mbajnë ato kalori që depozitohen në dhjam. Doktor Gordon thotë se është tepër herët të thuhet në se mbipesha shkaktohet nga ndryshimet në mikrobet e zorrëve apo këto ndryshime shkaktohen nga mbipesha. Megjithatë, duke kuptuar e njohur më mirë marrëdhëniet midis mikrobeve dhe organizmit, shkencëtarët ka gjasa të thonë më saktë fjalën e tyre për zhvillimin e mënyrave të reja për të trajtuar
Sekreti i belit të hollë, të dini të ndaleni
Hulumtimet e fundit shkencore kanë dëshmuar se, pa marrë parasysh llojin e ushqimit që hani, nuk do të trasheni nëse nuk hani shumë, gjithashtu, edhe nëse keni kontroll të brendshëm dhe të dini kur të ndaloni së ushqyeri. Përfundimet e laboratorit për ushqim në Universitetin Cornell dëshmojnë se kontrolli i brendshëm, gjithashtu dhe sinjalizimi kur bëhet mjaft, janë faktorë të rëndësishëm në mbajtjen e belit të hollë apo edhe trashjes. Në fakt, kaloritë e tepërta në një shujtë të caktuar nuk do të mund të harxhohen, prandaj më e rëndësishmja është të ndjehet masa. Shumë njerëz që vuajnë nga trashësia hanë tepër dhe atëherë kur ua merr mendja se janë të uritur ata në fakt janë të stërmbushur, respektivisht vonë e kanë konstatuar këtë gjë. Një shembull për këtë janë amerikanët dhe francezët. Amerikanëve, që njihen si komb i trashë, u mungon ky kontroll i brendshëm. Francezët në anën tjetër e kanë kontrollin, dhe përkundër bukës së tyre të famshme, djathërave të yndyrshëm dhe verës, në mesatare janë belhollë. Ata dinë kur të ndalen. Prandaj, dëgjojeni më shumë trupin tuaj dhe nevojat e tij të vërteta.
Anoreksia dhe Bulimia
Anoreksia është çrregullimi i të ushqyerit i shprehur më shumë te femrat se te meshkujt dhe paraqitet në çdo periudhë jetësore, por më shpesh në kohën e adoleshencës.
Karakteristikat emotive
Depresioni
Ndryshimi i disponimit
Izolimi nga shokët
Ndërprerja e lidhjeve
Obsesioni nga pesha e tepërt
Karakteristikat trupore
Dhembje koke të shpeshta
Osteoporoza
Amenoreja (mungesa e menstruacioneve)
Rrathët e zezë rreth syve
Thonj të thyeshëm
Probleme me dhëmbët
Ndalja e zemrës
Bulimia (ushqimi jo i rregullt)
Personi bulimik ka perioda të ushqimit të tepruar pastaj fazat anoreksike. Bulimia zakonisht paraqitet pas fazës së adoleshencës.
Karakteristikat emotive
Ndryshimet e shpeshta të disponimit
Depresioni
Impulsiviteti
Keqpërdorimi i terapisë dhe alkoolit
Jo respektimi vetvetes
Nevoja për pranim nga rrethi
Aktiviteti seksual i rritur
Mendimet në vetëvrasje
Karakteristikat trupore
Probleme me dhëmbët
Buzët e çara
Probleme me tiroiden
Dhimbja e fytit
Cikli menstrual jo i rregullt
Problemet me zemrën
Diktoni simptomat:
Problemet me muskuj: gërçet, dridhjet, dhimbje në shpinë
Çrregullimet e gjumit: ankthet, pagjumësia, gjumë i stërzgjatur
Problemet seksuale: obesim dhe humbje e kënaqësisë seksuale
Lodhjet intelektuale: koncentrim i vështirësuar, dobësim i memories
Ndryshimet e karakterit: mendime të errtë, tejndjeshmëri, i ndjeshëm në zhurma, pesimizëm
Problemet në stomak: diarreja, kopstipacionet, rritja apo dobësimi i apetitit
Ndryshimet somatike: fyt i thatë, rrahje të shpeshta të zemrës, probleme me shikimin, marramendje, dhimbje koke
Gjendja e dobësuar e përgjithshme: dobësim i shpejt apo edhe trashje e shpejt, zbehtësi, djersitje e tepruar dhe zona të zeza rreth syve
Që të ndiheni mirë dhje të evitoni këtë problem ju nevojitet një aktivitet i rregullt fizik dhe momente qetësie dhe pushimi si: banja të ngrohta, lexime, muzikë etj.). Gjithashtu, është e nevojshme marrja e vitaminave C, B, E si dhe oligoelementeve magnezium, fosfor, hekur, kalcium.
Faqja 17
Trajtimi që në fëmijëri
Rënia në peshë, kujdesi duhet të nis që në fëmijëri
Mjekimi më i mirë i obezitetit, peshës së tepërt, është parandalimi i saj që në fëmijëri. Katër vitet e para të jetës janë vendimtare në formimin e indit dhjamor e të zakoneve të ushqyerjes. Për fat të keq, tamam në këtë moshë, prindërit lakmojnë t’i kenë fëmijët sa më të shëndoshë, sa më “buçko”. Për t’ia arritur kësaj, ata përpiqen t’i ushqejnë sa më mirë duke u dhënë sa më shumë sheqerna, ëmbëlsira, çokollata, akullore, sheqerka, fruta etj. Ata nuk e dinë që, padashur, u bëjnë fëmijëve kështu një dëm pothuaj të pandreqshëm e që do t’u kushtojë shtrenjtë gjatë jetës së tyre, pasi të jenë rritur, më shpesh pas moshës 40 vjeç. Një fëmijë i tillë në të shumtën e rasteve bëhet obez, gjë që mund të shkaktojë shfaqjen e një sërë sëmundjesh, si diabetin, tensionin e lartë të gjakut, yndyrat e larta etj., të cilat do t’i imponojnë fillimin e një diete shumë të varfër për t’u ulur në peshë. Mirëpo, ky individ, i mësuar tërë jetën me ushqime të mira, ëmbëlsira, byreqe, fruta etj., i mësuar me gjellët më të shijshme, e ka shumë të vështirë tani t’i harrojë ato. Pikërisht, kjo është arsyeja që mjekimi i obezitetit, ulja në peshë me anë të dietës, dështon në një numër të madh rastesh. Megjithatë, obeziteti nuk duhet quajtur kurrsesi si sëmundje e pashërueshme. Shërimi i tij është krejtësisht i mundshëm dhe i sigurt. Ai arrihet jo vetëm me ilaçe apo kura speciale, por edhe me vullnetin dhe bashkëpunimin e të sëmurit në mjekim. Vullneti dhe bashkëpunimi në këtë rast nuk janë një fjalë gojë. Ata janë çelësi i vetëm i suksesit. Është e vërtetë që në shumë të sëmurë ata mungojnë, por është po kaq e vërtetë që ata mund të fitohen. Natyrisht, jo në një ditë. Ata nuk janë kokrra që gëlltiten, nuk jepen me recetë, por arrihen me një punë serioze të përbashkët të mjekut dhe të sëmurit, të cilët duhet të punojnë për këtë në mirëkuptim me njëri-tjetrin.
Me mirëkuptim kuptojmë që as mjeku të mos jetë në pozitë thjesht predikuese e komanduese dhe as i sëmuri të mos jetë “kokëfortë”. Bashkëpunimi i tyre në një proces të tillë siç është rënia në peshë duhet të ketë për bazë sqarimin e sinqertë, ndërgjegjësimin e të sëmurit dhe me pas pajisjen me njohuri të tij. Një i sëmurë që nuk është i qartë dhe i bindur për domosdoshmërinë e masave që i propozohen, nuk ka si t’i zbatojë ato me vullnet e ndërgjegje. Në qoftë se nuk është i bindur pse duhet të bjerë në peshë, të gjitha mbeten fjalë në erë dhe mjekimi i obezitetit dështon në mënyrë të sigurt.
Veçoritë e organizmit
Sipas veçorive të secilit organizëm, sipas metabolizmit të tyre, ka njerëz që shëndoshen më shpejt dhe njerëz që shëndoshen më me vështirësi. Ka njerëz që për të shtuar 1 kilogram në peshë u duhet të grumbullojnë rreth 9000 kalori të tepërta, por ka të tjerë që për të shtuar këtë kilogram u mjaftojnë vetëm 3000 kalori të tepërta. Sidoqoftë, një gjë del e qartë, në të dy rastet shtesa e peshës është bërë gjithmonë me kalori të tepërta. Pra edhe ata njerëz që gjoja e kanë vështirë të shëndoshen, po e kaluan masën në ushqim, domosdo do të shtojnë në peshë. Duhet thënë që ata njerëz që e kanë shtimin e peshës më të kollajshëm, shpeshherë procesin për ta humbur këtë peshë që vunë e kanë përkundrazi më të vështirë. Kështu psh. nëse një kile dhjamë e vunë me 3000 kalori të tepërta, për ta humbur këtë kilogram ata duhet të krijojnë një defiçit prej 9000 kalorish. Psh. nëse ky individ ha çdo ditë 500 kolori më tepër nga ç’ka nevojë, brenda 6 ditësh ai do të shtojë një kilogram. Përkundrazi, për të humbur këtë kilogram, me një dietë prej 500 kalori më pak sesa nevoja ditore, atij do t’i duhen jo 6 por 10 ditë. Po kështu është e vërtetë që njerëzit sa më të dhjamosur e me peshë të tepërt që të jenë, aq më të madh e kanë oreksin, pra aq më të vështirë e kanë të durojnë “perizin”, me ushqim të pakët. Dhjami bllokon veprimin e insulinës në trup, prandaj pankreasit i duhet të prodhojë sasira më të mëdha insuline që ta mposht këtë rezistencë. Mirëpo, insulina e tepërt krijon një ndjenjë urie të parezistueshme. Pra, do të detyrohemi të hamë diçka pa tjetër dhe sa me tepër që të hamë kuptohet që aq më shumë do të na rritet oreksi. Shpëtimi nga ky “çark” është vetëm dieta me sa më pak kalori dhe sa më pak sheqerna. Duket si çudi, por është e vërtetë që pikorish atëherë kur filloni të hani më pak ushqim, pakësohet dhe ndjenja e urisë, pra ulet oreksi. Kjo është pasojë e uljes së sasisë së insulinës në gjak, pasojë e zbërthimit të dhjamit, i cili, duke u tretur, frenon oreksin.
Barra dhe lindjet në krijimin e dhjamit të tepërt
E vërteta është që disa gra shëndoshen së tepërmi gjatë barrës, e sidomos në muajt e parë të lindjes. Në gratë e predispozuara për diabet, mundësia e shëndoshjes pas lindjes është shumë më e madhe. Jo rrallë në këtë periudhë ato shtojnë 10-12 kg në peshë apo edhe më tepër. Sidoqoftë, në të gjitha rastet përgjegjësinë për shtimin në peshë nuk e ka barra dhe as lindja, por teprimi në ushqim. Për zhvillimin normal gjatë shtatzënisë mjafton një dietë prej 1800-2000 kalori. Por janë të shumta gratë që me mendimin se duhet të hane sa për dy vetë, marrin një kalorazh shumë të madh duke ngrënë sa më tepër ushqime. Po kështu, pas lindjes, të shtyrë nga mendimi se ushqimi i shumtë jep qumësht të shumtë, përdorin shumë ushqime, sidomos lëngje, si lëngje frutash, bozë, qumësht me sheqer etj. Ushqimi i tepërt nuk shton qumështin, por përkundrazi shton dhjamin, peshën. Për ta kuptuar që ushqimi që ju merrni është i tepërt apo jo, ju keni një tregues të pagabueshëm. Ky tregues është peshimi i herëpashershëm. Në qoftë se pesha juaj shkon duke u shtuar, kuptohet që ushqimi që përdorni është për ju i tepërt dhe duhet kufizuar. Nëse pesha rri në vend, pra nuk ndryshon, kjo tregon që ju merrni një ushqim të barabartë me nevojat e organizmit tuaj. Së dyti, të sëmurët që duan të ulen në peshë duhet të jenë të qartë që kjo nuk arrihet në qoftë se ata vetë nuk kanë marrë vendim të prerë për t’u dobësuar.
Si realizohet rënia graduale e peshës
Rënia graduale e peshës realizohet në kushte të zakonshme, duke vazhduar punën, me ndihmën e kufizimit të ushqimit, uljen e kalorazhit ditor. Në fillim hiqen nga dieta ushqimet që përmbajnë shumë kalori dhe që si rregull janë të ndaluara për diabetikët, si ëmbëlsirat, përdorimi i sheqerit në qumësht, çaj etj., hiqet përdorimi i alkoolit, që dihet se është shumë i pasur me kalori, kufizohen frutat në jo më shumë se dy kokrra në ditë, kufizohen brumërat, yndyrnat që, për çdo gram të tyre, përmbajnë nga 9 kalori. Me rëndësi është që të kufizohet ose më mirë të përgjysmohet sasia e bukës të përdorur deri tani. Me këtë dietë i sëmuri duhet të fillojë të peshohet të paktën 1 herë në javë, me të njëjtën peshore, të njëjtën orë të ditës e me të njëjtën veshje. Peshën duhet ta shënojë në një fletore. Shënimi i peshës çdo jave në fletore është i rëndësishëm sepse mobilizon të sëmurin të ndjekë nga afër rezultatet e dietës. Në javët e para pesha bie shpejt, 2-3 kg, por më pas mund të mbetet pa ndryshim. Nuk duhet të dekurajoheni. Prisni disa ditë, nëse pesha nuk po bie, provoni të shtoni veprimtarinë fizike, ecjen, fizkulturën, ose të kufizoni më tej ushqimet, ose më mirë të dyja bashkë. Për të arritur një rënie të mirë në peshë ushqimi duhet pakësuar nën nivelin e kalorazhit tuaj optimal, p.sh. në një dietë që të përmbajë 1000-1400 kalori. Në parim dieta për të rënë në peshë duhet të përmbaje sa më pak sheqerna, sa më pak ynydrna e sa më shumë proteina.
Këshilla që duhen patur parasysh gjatë dietës për të rënë në peshë:
1.Mos lini asnjë vakt pa ngrënë. Është gabim të mos hani p.sh. mëngjes, sepse do të detyroheni të hani në drekë me uri dhe do të merrni shumë ushqim njëherësh. Po kështu, nuk rekomandohet të mos hani darkë.
2. Gjatë ditës duhen ngrënë sa më shumë vakte por nga pak. Pra hani pak dhe shumë herë. P.sh. merrni mëngjesin, pastaj një frut ose kafe me saharinë në ora 10-11, drekën, një frut në pasdite, darkën dhe një frut ose filxhan kos para se të flini. Duhet të bëni kujdes që përveç këtyre vakteve nuk duhet të “çukisni” apo të përtypni ushqime në dukje të parëndësishme si bajame, arra, gështenja, ndonjë biskotë etj, sepse ato përmbajnë kalori dhe pengojnë rënien e peshës.
3. Në rast se ndieni uri të madhe mos hani bukë ose gjëra me sheqer por një vezë të zier ose një filxhan kos, domate, kastravecë, të cilat na presin oreksin dhe nuk përmbajnë shumë kalori.
4. Ushqimet që duhet të përdorni më shumë në dietën për të rënë në peshë janë: zarzavatet jeshile (si të freskëta ashtu dhe të ngrira e të konservuara), mishi pa dhjamë, peshku, gjiza, veza, qumështi i skremuar dhe kosi. Mund të përdorni dhe fruta por jo më shumë se 2-3 kokrra në ditë.
5. Përdorni sa më pak ushqime të tilla si: gjalpi, vajra, margarina,djathërat, mishin me dhjamë, të brendshmet e bagëtive, pijet alkoolike, si rakia, birra, lëngu i frutave etj. Këto ushqime janë shumë të pasura e me kalori dhe ju pengojnë për të rënë në peshë. Shumë kalori përmbajnë edhe brumërat: buka, orizi, makaronat, fasulet e thata, të cilat duhen përdorur rrallë e në sasi sa më të pakët. Patatet përmbajnë 20 për qind sheqerna, prandaj po të konsumohen në sasi të madhe sjellin shumë kalori, veçanërisht po të jenë të skuqura me vaj.
6. Uthullën mund ta përdorni për t’i dhënë shije ushqimit, por jo si kurë për t’u dobësuar. Një gjë e tillë është pa kuptim dhe shumë e dëmshme. Uthulla mund të “tresë” ushqimin në stomak por kurrsesi nuk tret dot dhjamin që keni në trup. Përkundrazi, duke pirë uthull me shumicë jo vetëm merrni kalori, por dhe rrezikoni të dëmtoni stomakun tuaj duke krijuar gastrite dhe terren për sëmundje ulçeroze.
7. Të gjitha erërat dhe barishtet që i shtojnë shijen ushqimit mund t’i përdorni lirisht në gatim, po kështu mund të përdorni limonin, piperin, hudhrat, qepët etj. Përdorimi i kripës, po kështu, nuk është i ndaluar, me përjashtim të rasteve të këshilluara nga mjeku në të sëmurët që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, dobësia e zemrës etj. Kripa vetë nuk të shëndosh, megjithatë mirë është të mos teprohet, sepse ajo rrit oreksin, gjë që nuk është me leverdi në rastin e dietës për të rënë në peshë.
8. Gjatë ngrënies këshillohet të pini sa më pak ujë, kështu mund të ngadalësoni thithjen e ushqimeve nga tubi tretës. Uji është më mirë të pihet një orë pas ngrënies. Gjatë dietës për të rënë në peshë duhet të pini sasi sa më të madhe uji dhe lëngjesh të ndryshme pa sheqer. Është i gabuar mendimi që shëndoshja vjen nga pirja e tepërt e ujit.
Faqja 18
Disa paragjykime dhe mendime të gabuara në lidhje me ushqimet
Paragjykimet dhe mendimet e gabuara që qarkullojnë mes njerëzve në lidhje me ushqimet janë të shumta. Më poshtë po japim disa nga ato:
Mishi i kuq është më i ushqyeshëm se mishi i bardhë. Ai të jep forcë
Truri dhe mëlçia e viçit janë ushqimet më të mira për fëmijët
Peshku i detit është më i dhjamosur se peshku i lumit
Peshku nuk të jep fuqi
Vaji nuk është aq i yndyrshëm sa gjalpi
Disa vajra nuk janë shumë të yndyrshme si p.sh. vaji i lulediellit apo vaji i misrit
Vaji i ullirit është me i yndyrshëm se të tjerët se është më i trashë
Margarina përmban më pak kalori se gjalpi
Gatimi me gjalpë është më i mirë për shëndetin dhe i domosdoshëm për fëmijët
Zarzavatet jeshile nuk ta mbushin barkun
Karotat janë të mira për sytë
Spinaqi të jep forcë sepse përmban hekur
Konservat e zarzavateve nuk përmbajnë kalori
Biskotat dhe orizi të dobësojnë
Mjalti ka veti kuruese dhe është i pasur me vitamina
Pijet e sheqerosura të japin fuqi
Birra ka veti t’i shtojë qumështin nënave që kanë fëmijë në gji
Vera të forcon.
Vera dhe birra nuk janë pije alkoolike
Rakia është e mirë për sëmundjet e zemrës
Sekreti i metabolizmit dhe humbjes ne peshë
Ndjeheni të plogësht dhe pa energji? Ju duket se po mundoheni vërtet shumë, mos nuk keni lënë gjë pa bërë e përsëri nuk po humbisni peshë? Atëherë kjo do të thotë që diçka nuk shkon me metabolizmin tuaj, pasi është shumë i ngadaltë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë aspak që ju duhet ti lini në mes përpjekjet tuaja për të rënë nga pesha, ju fare mirë mund ta përshpejtoni metabolizmin tuaj, të filloni të digjni sa më shumë dhjamra e të harxhoni energji pa qenë nevoja për gjëra të tjera shtesë. Metabolizmi juaj thjesht shndërron ushqimin që ju merrni në energji. Ky është një proces biologjik nëpërmjet të cilit trupi ynë djeg kaloritë.
Disa nga veprimet që ju mund të bëni për të përmirësuar metabolizmin tuaj janë:
1. Pini ujë të ftohtë
Uji është shumë i mirë e ju duhet të pini shumë ujë gjatë ditës, të paktën 8-10 gota, edhe nëse do të pinit më shumë nuk do të ishte keq, përkundrazi do tu bënte shumë mirë. Kjo gjë do tju ndihmojë për të përshpejtuar metabolizmin tuaj e për të larguar nga trupi juaj toksinat dhe yndyrat. Të pirit e ujit të ftohtë e me akull para buke do të bëjë që tu ngushtohet stomaku e ju do të ndiheni të ngopur shumë shpejt. Përveç kësaj, uji i ftohtë bën që tu përshpejtohet metabolizmi.
2. Hani shpesh
Vaktet që ju hani, duhet të jenë të balancuara, që do të thotë të përmbajnë shumë proteina, karbohidrate dhe yndyra natyrale. Nëse ju do të hani shumë rrallë, nuk do të bëni gjë tjetër vetëm se do të ngadalësoni metabolizmin tuaj e do të stimuloni grumbullimin e depozitimin e dhjamërave. Të lësh pa ngrënë ndonjë vakt gjithashtu ndikon në ngadalësimin e metabolizmit. Gjithashtu, ju duhet të kini kujdes edhe në konsumimin e ushqimeve të duhura gjatë ditës në një mënyrë të balancuar.
3. Asnjëherë mos lini pa ngrënë mëngjesin
Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i tërë ditës. Ai bën që metabolizmi juaj të jetë më i shpejtë. Ju nuk duhet të dilni nga shtëpia për në punë me barkun bosh e kurrsesi nuk duhet të nisni ditën tuaj pa u ushqyer që në zanafillën e saj. Mëngjesi është vakti i parë që ndez këtë metabolizëm për tërë ditën dhe e mban atë të ndezur sa herë ju hani, prandaj është e këshillueshme që ju të hani çdo tre orë.
Nëse zgjoheni herët në mëngjes dhe hani shumë vonë, juve keni humbur disa orë për të djegur kaloritë.
4. Mos kini frikë nga dhjami
Shumë njerëz mendojnë se po të hanë yndyrë do të dhjamosen.
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Lloji edhe sasia e yndyrës që ju hani kanë ndikimin e tyre në kompozimin e yndyrave të trupit tuaj. Mos harroni, trupi juaj ka nevojë për yndyra.
Ata që mbajnë një dietë me shumë pak yndyra duhet ta zgjasin sa më shumë kohën e saj, në mënyrë që të heqin dhjamin e tepërt dhe të dobësohen. Ju duhet të hani yndyra, por bëni kujdes kur të zgjidhni se çfarë do të hani, pasi bëni mirë që të zgjidhni yndyra natyrale si për shembull: vaji i ullirit, avokados, arra apo gjalpë natyral kikiriku.
5. Hani ushqime natyrale
Dhjami quhet një dhjam i keq kur është shkaktar për shtimin e peshës, debulesën e mungesën e energjisë, depresionit, kancerit e sëmundjeve të zemrës. Ju nuk do të arrini dot kurrë të keni trupin që dëshironi duke ngrënë ushqime të thata dhe të shpejta. Bëni më mirë që të ushqeheni me gjëra natyrale dhe jo të përpunuara nga njeriu. Kështu ju do ta arrini më shpejt qëllimit për tu dobësuar.
6. Duhet të jeni aktivë gjatë ditës
Mundohuni të jeni në lëvizje dhe të paktën gjashtë ditë në javë. Ju mund të bëni ushtrime të lehta aerobike pa u sforcuar shumë. Gjithashtu, nëse keni mundësi, ju mund të ecni, në vend që të shkoni kudo me makinë, apo të ngjisni shkallët, në vend që të merrni gjithmonë ashensorin.
Kështu do të mbani zemrën dhe mushkëritë në mënyrën më optimale të mundshme. Studimet kanë treguar se lëvizjet edhe pse të vogla, qoftë edhe thjesht lëvizja e gishtave të këmbës, ju ndihmon për të djegur kaloritë.
7. Bëni ushtrime kardiovaskulare
Ushtrimet kardiovaskulare do tju ndihmojnë për zemrën dhe mushkëritë. Ato gjithashtu, ju ndihmojnë që edhe të digjni kaloritë. Ju mund ti bëni ato herët në mëngjes e trupi juaj do të vazhdojë të djegë kaloritë edhe një orë pasi ti keni mbaruar ushtrimet. Nëse ju pastaj, nuk hani si duhet, një gjë e tillë mund tu vihet kundër, që do të thotë që në vend që të humbisni ju shtoni në peshë. Duke bërë ushtrime të tilla herët në mëngjes, kur ju mbani një dietë të varfër në kalori, atëherë ju do të digjni peshën e muskujve. Një orar i përshtatshëm për ushtrimet kardiovaskulare është edhe mbrëmja, pasi keni ngrënë vaktin e fundit të ushqimit. Kjo ju ndihmon të digjni kaloritë e të mos flini me to. Nuk është e thënë qe ju të bëni ushtrime në mëngjes dhe në mbrëmje, pasi është e mjaftueshme vetëm njëra nga seancat, në mënyrë që edhe ju të mos mërziteni.
8. Ushtrimet fizike
Gërshetojini ushtrimet tuaja kardiovaskulare me ushtrime të tjera aerobike, në mënyrë që të zgjoni herë pas here trupin dhe metabolizmin tuaj.
9. Ushtrimet me pesha
Ushtrimet me pesha ju bëjnë me muskuj, të cilët janë shumë të rëndësishëm për metabolizmin. Sa më shumë muskuj të keni, aq më i shpejtë do të jetë ai. Muskujt do tua rrumbullakosin format e trupit aty ku duhet e do tu japin mundësinë që ju të merrni më shumë kalori gjatë ditës.
10. Dëgjojeni trupin tuaj
Ju nuk është e nevojshme të bëheni copash e të stërmundoheni duke bërë ushtrime, pasi kjo nuk është e vlefshme. Ju bëni ushtrime për të qenë më energjikë e për të qenë në formë, jo për tu ndjerë i lodhur. Dëgjojeni trupin tuaj kur ai ju thotë që është i lodhur. Atëherë kur e ndieni të nevojshme mund të pushoni. Të bësh ushtrime në një gjendje shumë të lodhur mund tu hapë më shumë probleme sesa tua reduktojë ato.
Shënim
Nëse ju i provoni këshillat e dhëna më sipër dhe e shikoni që në 4-6 javë gjendja nuk ka ndryshuar, atëherë do të thotë se keni probleme të tjera, si për shembull ndonjë lloj ushqimi që ju shëndosh, probleme me tiroiden, probleme hormonale etj. Nëse ndodh kështu, atëherë do të bënit mirë që të kërkonit një zgjidhje më natyrale, të mbani dieta me barëra natyrale apo ushqime të tjera të shëndetshme.
29 Gusht 2010