E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët, sa do të paguajnë për procesin e legalizimit

Të gjitha tarifat, që nga parcela ndërtimore deri te shërbimi. Taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe pagesa me këste

Eljona Ballhysa
Agjencia e Legalizimeve ka parashikuar dhe mënyrën se si do të paguajnë qytetarët jo vetëm për të ligjëruar pronën e tyre të paluajtshme, por dhe për shërbimet që ofron kjo agjenci. ALUIZNI ka parashikuar t’i njoftojë qytetarët në momentin kur ata duhet të paguajnë për të legalizuar objektin e ndërtuar pa leje. Në paketën financiare të miratuar nga qeveria është parashikuar që ALUIZNI afishon listën me emrat e pronarëve të objekteve informale që futen në proces legalizimi. Me afishimin e listës pronarët e këtyre ndërtimeve pajisen dhe me formularin e pagesës së tarifës së shërbimeve. Brenda një muaji nga pajisja me formularin banorët që do të vazhdojnë procesin e legalizimit të objektit të tyre duhet të kryejnë pagesat që parashikohen në ligj në numrin e llogarisë bankare që do të hapet nga ALUIZNI për këtë qëllim.
Tarifat
Në bazë të ligjit të legalizimeve, banorët që kanë objekte pa leje do të paguajnë për truallin e zënë. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi për një sipërfaqe deri në 100 m2 është 100 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 200 m2 çmimi është 150 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 300 m2 çmimi është 200 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 400 m2 çmimi është 300 mijë lekë të rinj dhe për sipërfaqe deri në 500 m2 pagesa është 400 mijë lekë të rinj. Ndërsa për parcelat ndërtimore që ndodhen brenda vijave të verdha, banorët do të paguajnë për sipërfaqe deri në 100 m2, 200 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 200 m2, 300 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 300 m2, 400 mijë lekë të rinj, dhe për sipërfaqe deri në 300 m2 banorët do të paguajnë sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Përveç pagesës për truallin e zënë nga ndërtimi informal, banorët do të paguajnë dhe tarifën e shërbimit për të gjithë dokumentacionin që përgatitet nga ALUIZNI. Tarifa e shërbimit do të kushtojë 4 mijë lekë dhe kjo vlerë është e pandryshueshme pavarësisht sipërfaqes së ndërtimit, numrit të kateve apo destinacionit të përdorimit të objektit informal. Banorët do të duhet të paguajnë dhe për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Kjo taksë llogaritet nga drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t në përputhje me të dhënat ndërtimore të objektit informal. Taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet duke ia referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave në m2 të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave në kohën e llogaritjes. Ndërsa për objektet me leje, por me shtesa informale, përqindja e taksës vendore të ndikimit në infrastrukturë do të aplikohet mbi vlerën e investimit të shtesës informale.
Objektet e përziera
Në bazë të paketës financiare, objektet informale që kanë funksion social-ekonomik, vlera në lekë e parcelës ndërtimore do të llogaritet duke u bazuar në çmimin e tregut për m2 në momentin e kalimit të pronësisë. Për objektet informale me funksion të përzier, pra që përdoren për banim dhe për funksione ekonomike, për të llogaritur vlerën e parcelës ndërtimore do të aplikohet koeficienti i shfrytëzimit të banesës. Sipërfaqja që përdoret për banim do të paguhet me vlerat e parashikuara në ligjin e legalizimeve, ndërsa sipërfaqja që përdoret për aktivitete ekonomike do të paguhet sipas vlerës së tregut në momentin e kalimit të pronësisë.
Pagesat
Likuidimi i vlerës së parcelës ndërtimore do të bëhet menjëherë për të gjitha objektet me funksion social-ekonomik në numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI. Ndërsa për objektet informale me funksion banimi dhe funksion të përzier, likuidimi i parcelës ndërtimore mund të kryhet në disa mënyra. Në rast se pagesa kryhet menjëherë, pronari i objektit pa leje përfiton 20% zbritje të vlerës për sipërfaqen totale të parcelës. Një variant tjetër është pagesa brenda një viti me dy këste, ku kësti i parë të jetë jo më pak se 50% e vlerës, duke përfituar 10% zbritje në vlerën e këstit të dytë. ALUIZNI gjithashtu ka parashikuar dhe mundësinë e pagesës brenda tre viteve në rastet e pamundësisë së shlyerjes së këstit të dytë. Po kështum për shlyerjen e pagesës së parcelës ndërtimore subjektet mund të përfitojnë nga skema e kreditimit bankar.

Tarifat
Banorët do të paguajnë për parcelën ndërtimore dhe kalimin e pronësisë
Banorët do të paguajnë për tarifën e shërbimit
Banorët do të paguajnë për taksën e ndikimit në infrastrukturë
Banorët do të paguajnë më tepër në rast se kanë plotësuar me vonesë formularin e vetëdeklarimit

Pagesat
Neni 18
Çmimi i shitjes në zonat informale
Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi është si më poshtë vijon:
a. Për sipërfaqe deri në 100 m2, 100 mijë lekë;
b. deri në 200 m2, 150 mijë lekë;
c. deri në 300 m2, 200 mijë lekë;
d. deri në 400 m2, 300 mijë lekë;
e. deri në 500 m2, 400 mijë lekë;
f. mbi 500 m2, sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e aktiviteteve social-kulturore kalimi i pronësisë realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.

Neni 19
Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha
Për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes është si më poshtë vijon;
a. Për sipërfaqe deri në 100 m2, 200 mijë lekë;
b. deri në 200 m2, 300 mijë lekë;
c. deri në 300 m2, 400 mijë lekë;
d. mbi 300 m2, sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë

Neni 20
Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha të shtesave në ndërtime
Për sipërfaqet e trojeve, të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje (jo për shitblerje/qiradhënie etj.), brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes është si më poshtë vijon:
a. Për sipërfaqe deri në 50 m2 100 mijë lekë;
b. deri në 75 m2 200 mijë lekë;
c. deri në 100 m2 400 mijë lekë;
d. mbi 100 m2, sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
2. Kur shtesat janë për qëllime tregtimi ose veprimtari ekonomike kalimi i pronësisë
realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›