E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e turizmit, do të ulen taksat për biznesin



Shaban Sulçe

Strategjia e turizmit, e miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikon rishikim të sistemit të taksave të turizmit. Në përmbajtje të kësaj strategjie, që ka të bëjë me klimën e biznesit, theksohet se sistemi i taksave të turizmit nuk po mbledh mjaft taksa të përgjithshme që kanë lidhje me çmimet dhe vendet e tjera. Taksa për turizmin cilësohet shumë e lartë dhe e përqendruar kryesisht në hotele, duke pasur ndikime në uljen e numrit të turistëve. Për këtë arsye, në Strategjinë për Turizmin, të përgatitur nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, parashikohet ulja e taksave të sistemit të turizmit, parashikim në të cilin pritet të përfitojnë mjaft biznese që operojnë në këtë sektor. Një tjetër plan i rëndësishëm veprimi në këtë strategji është edhe orientimi i fondeve të grumbulluara për të forcuar sektorin turistik në vendin tonë.

Klima e biznesit
Strategjia e turizmit, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka të bëjë me klimën e biznesit të turizmit. Kjo e fundit, në kushtet aktuale, konsiderohet e paqartë. Për këtë arsye Strategjia synon formalizimin e sektorit të turizmit, duke krijuar një mekanizëm të qartë dhe të thjeshtë për aktorët informalë në këtë sektor. Pika e dytë e kësaj strategjie për të përmirësuar klimën e biznesit të turizmit është arritja e standardeve ndërkombëtare të turizmit. Një nga mekanizmat më të volitshëm për të inkurajuar këtë është promocioni aktiv nga qeveria dhe sektori privat për të aderuar në standardet ndërkombëtare. Midis të tjerave më të rëndësishmit janë sistemi ndërkombëtare i “yjeve” për klasifikimin e hoteleve, certifikata “Flamuri blu” për plazhet, “Globi i gjelbër” për praktikat e turizmit të qëndrueshëm dhe standarde të ndryshme të BE-së për transportin, bujqësinë organike dhe sigurinë ushqimore.
Gjithashtu kërkohet hartimi dhe krijimi i një programi për cilësinë e turizmit kombëtar. Arritja e niveleve të lartë të cilësisë në të gjitha shërbimet e turizmit (bujtja, ushqimi, vendet e kulturës, transporti, logjistika dhe guida) do të jetë një karakteristikë e rëndësishme për ta diferencuar Shqipërinë nga konkurruesit e saj.
Zonat bregdetare

Strategjia e turizmit i kushton një vëmendje të veçantë sigurimit të një detyrimi strikt për planet urbane në zonat bregdetare dhe trevat historike. Miratimi i ligjit “Për planifikimin territorial” do të jetë instrument ligjor, i cili synon të disiplinojë trajtimin e zonave me rëndësi të veçantë kombëtare apo turistike, në drejtim të investimeve të duhura duke mbrojtur mjedisin, natyrën, biodiversitetin dhe faktorë të tjerë natyrorë. Madje një ndër masat kryesore për zhvillimin e sektorit të turizmit, për periudhën afatshkurtër është përcaktuar rishikimi në raport me ligjin dhe rregulloren përkatëse të ndërtimeve të pakontrolluara. Strategjia e turizmit përcakton si prioritet përmirësimin e planeve të miratuara të përdorimit të tokës në zonat turistike.

Pushteti vendor

Strategjia e turizmit ngarkon me detyra të rëndësishme për përmirësimin e nivelit të turizmit edhe organet e pushtetit vendor. Sipas kësaj strategjie, organet e pushtetit vendor duhet të krijojnë një “hartë rrugore” të qartë për pushtetin vendor se si do të zhvillojë turizmin në qytetin e vetë. Pushteti vendor duhet të ketë si prioritet përcaktimin e vendndodhjes dhe truallit ku do të ndërtohen qendra shëndetësore për ofrimin e kujdesit parësor shëndetësor, shërbim i cili mbulon nevojat e mjekësisë familjare dhe turistëve të ardhur, sipas standardit familje-banorë. Në strategji parashikohet gjithashtu dhënia direkte e fondeve të disponueshme për asistencë, të bazuara në projekte, për pushtetin vendor dhe ndërmjet programeve të OJF-ve që asistojnë pushtetin vendor.

Strategjia, në vitin 2013 priten 3.5 milionë turistë
Strategjia e turizmit parashikon që në vitin 2013 Shqipëria të vizitohet nga 3.5 milionë turistë, ndërkohë që ky numër ka qenë 1.2 milionë në vitin 2006. Parashikimet synojnë gjithashtu edhe katërfishimin e turistëve me kombësi dhe shtetësi jo shqiptare, që do të vizitojnë Shqipërinë. Nëse ky numër në vitin 2006 ka qenë 500 mijë, në vitin 2013 parashikohet që ai të arrijë në 2 milionë e 100 mijë turistë. Përsa u përket të ardhurave bruto të siguruara nga turizmi, ndërsa në vitin 2006 ato kapën shifrën 0.8 miliardë euro, në vitin 2013 synohet që ato të arrijnë në 2 miliardë euro.

Problematikat
Në strategjinë për turizmin, çështjet më problematike konsiderohen cilësia e keqe dhe siguria e pakët e rrugëve. Po kështu, një problem serioz përbëjnë edhe sëmundjet e shkaktuara nga uji dhe insektet. Problematike cilësohet gjithashtu edhe siguria ushqimore, vëmendja për urgjencën mjekësore, çmilitarizimi i destinacioneve turistike, reduktimi i plehrave në zonat turistike si dhe menaxhimi i ujërave të zeza.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›