E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kulmin e sezonit , tregjet tona te “të sunduara” nga prodhimet e huaja bujqësore



Ervin Koçi

Që nga koha e krizës kosovare në vitin 1999, Shqipëria ka njohur rritje importesh prej mesatarisht 13 për qind në vit. Që nga vitit 2007 deri tani, importet kryesisht të mallrave të konsumit kanë njohur ritmin më të lartë të rritjes në dhjetë vjet, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara së fundi nga Instituti i Statistikave. Importet u rritën me 26 për qind gjatë vitit 2007 dhe me 15.6 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Gjatë shtatë viteve që nga viti 2000, importet janë rritur me një mesatare vjetore prej 13.5 për qind, duke njohur nivelin më të ulët në vitin 2004, kur u rritën me vetëm 4.5 për qind. Shkaku i rritjes së shpejtë të importeve është veçanërisht rritja e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare dhe importi i lartë i energjisë elektrike. Importet “kërcyen” në 3.14 miliardë euro gjatë vitit 2007 dhe qenë 1.7 miliardë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Deficiti tregtar arriti ndërkohë në 2.33 miliardë euro.

Problemet nga importi

Gjatë viteve të shkuara, importet e larta të Shqipërisë nuk sillnin ndonjë problem të dukshëm në ekonomi, për shkak se kërkesa për importe pasqyron para së gjithash, fuqinë blerëse të qytetarëve. Deficitet e larta tregtare janë mbuluar gjatë viteve të mëparshme përgjithësisht nga të ardhurat nga remitancat (prurjet e emigrantëve). Për këtë arsye, disa ekspertë ankoheshin për mentalitetin mediatik të dhënies së alarmit për deficitin dhe thoshin se në fund të fundit, “importet janë të mira”. Sasia e mallrave të importuara varet nga sasia e parave që qytetarët kanë për të paguar këto mallra. Deri në vitin 2006, remitancat kanë mbuluar më shumë se gjysmën e deficitit tregtar. Megjithatë, situata e vitit 2007, që konsiderohet disi e ndryshme dhe teoria e vetërregullimit të kërkesë-ofertës, duket se nuk është shumë e saktë. Që nga fillimi i vitit 2007, një pjesë e konsiderueshme e rritjes së importeve qe e detyruar dhe jashtë kushteve të kërkesë-ofertës. Importet e naftës apo të energjisë elektrike, nuk i binden drejtpërsëdrejti vetërregullimit të tregut. Për pasojë, niveli i deficitit të llogarisë korrente, që merr parasysh edhe remitancat, u rrit në 890 milionë euro, shifër kjo e konsideruar si shumë e lartë. Duket se shqiptarët i kanë paguar importet e larta me borxhe dhe me shpenzim kursimesh. Një pasojë e kësaj situate dallohet te kursi i këmbimit. Importet e larta gjithashtu janë pasqyruar në një normë më të ulët të rritjes së depozitave të shqiptarëve në banka.

Niveli më i lartë

Pavarësisht rritjes së prodhimit të mallrave “Made in Albania”, sërish tregjet tona mbizotërohen nga mallrat e huaja. Muaji qershor, zyrtarisht ka njohur shifra negative të bilancit tregtar. Edhe pse, sipas INSTAT-it gjatë qershorit kemi pasur një rritje të eksporteve shqiptare kundrejt importeve, sërish raporti ngelet në favor të këtyre të fundit. Gjatë qershorit janë eksportuar mallra me vlerë rreth 11,5 miliardë lekë, ose rreth 13 për qind më shumë se në muajin maj. Pavarësisht mbizotërimit të importeve, gjatë qershorit është importuar më pak se në muajin maj. Në tregjet shqiptare gjatë qershorit kanë hyrë mbi 36.3 miliardë lekë mallra. Rritja e eksporteve është tërësisht sezonale dhe nuk ka shpresa për ndryshim të bilancit tregtar. Krahasuar me një vit më parë, raporti import-eksport është thelluar dukshëm. Në muajin qershor janë importuar më shumë mallra, pasi vlera e tyre është rreth 20 për qind më shumë se një vit më parë. INSTAT-i bën të ditur se deficiti tregtar i këtij muaji është 25 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 6 për qind krahasuar me muajin paraardhës, por një rritje 16 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Krahasimet janë bërë në vlera monetare, por në sasi nuk dihet nëse është i njëjti raport. Vitin e fundit, çmimet e pothuajse të gjitha produkteve janë rritur ndjeshëm.

Ministria e Bujqësisë: Në korrik çmimet e ushqimeve u ulën 63 për qind

Drejtoria e Statistikës në Ministrinë e Bujqësisë, njoftoi se në muajin korrik 2008, çmimet e shitjes me pakicë të artikujve ushqimorë janë ulur në rreth 63 për qind të ushqimeve që konsumohen në vend, kundrejt qershorit. Çmimet e drithërave rezultojnë me ulje, nga të cilat çmimi i grurit dhe misrit në masën 1 për qind. Gjatë këtij muaji, perimet shënuan ulje të çmimeve deri në 18 për qind, nga vërshimi në tregje i prodhimeve të stinës. Produktet blegtorale përgjithësisht u karakterizuan me ndryshime të çmimeve. Kështu, çmimi i qumështit të lopës paraqitet me ulje të vogla 0,2 për qind, qumështi i deles 7 për qind, çmimi i djathit të bardhë u ul 0,4 për qind dhe djathi kaçkavall me 1 për qind. Për mishin rezulton me ulja e çmimit të mishit të lopës dhe deles ka shkuar në 1 për qind, ndërsa mishi i viçit dhe i pulës 2 për qind, dhe mishi i derrit 4 për qind.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›