E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH: Bien prurjet në Fierzë, tërhiqet energjia nga Kosova



Edhe ky vit do të jetë i vështirë përsa i përket situatës elektroenergjetike, kjo pasi vendi kërcënohet nga thatësira, çka vështirëson furnizimin me energji të qytetarëve. Drejtuesit e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare deklarojnë e prurjet e ujit në kaskadën e lumit Drin janë përgjysmuar kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Niveli i Fierzës ka arritur në 283.6 metra, duke pësuar një rënie prej 16 cm në ditë. KESH-i njofton se janë marrë masat për të përballuar një situatë të tillë nëpërmjet rritjes së importit, tërheqjes së energjisë së depozituar në Kosovë dhe shkëmbimeve që po bëhen me Greqinë. KESH-i ka krijuar në kaskadën e Drinit një rezervë energjetike prej 930 milionë kilovat-orë, ndërkohë që 180 milionë kilovat orë të tjerë janë depozituar në Kosovë. Prej disa ditësh ka nisur tërheqja e kësaj sasie energjie për të plotësuar kërkesat e vendit gjatë këtij sezoni turistik. Aktualisht, në shkallë vendi konsumohen 16 milionë kilovat orë energji, nga të cilat rreth 10 milionë kilovat orë prodhohen nga hidrocentralet dhe pjesa tjetër importohen.

OSSH-ja instalon 70 për qind të matësve të energjisë tek konsumatorët

Deri tani, mbi 70 për qind e konsumatorëve janë pajisur me sistemin e matjes së energjisë, ndërsa mbeten edhe 80 mijë abonentë, që janë ende pa matësit e energjisë. Burimet zyrtare të OSSH-së bënë të ditur se, deri tani janë vendosur te konsumatorët familjarë, rreth 40 mijë matës, si dhe tek ata privatë mbi 5 mijë matës. Gjithashtu, edhe tek subjektet që klasifikohen për një konsum të lartë të energjisë, OSSH-ë ka vendosur 1.400 panele matjeje. Deri në fund të vitit, do të përfundojë plotësisht vendosja e matësve të energjisë elektrike tek çdo konsumator, bënë të ditur OSSH-ja. Në 3-mujorin e dytë të këtij viti, nivelet e arkëtimit të energjisë elektrike të faturuar, janë përmirësuar ndjeshëm, duke realizuar dhe objektivin e caktuar në fillim të vitit. Sipas OSSH-së, përmirësime të ndjeshme kanë pësuar arkëtimet nga konsumatorët familjarë, me tendencë përmirësimi të mëtejshme. Kështu, ndërsa në muajin prill, u arkëtuan 81 për qind e energjisë së faturuar, në muajin qershor, arriti në 85 për qind. Edhe konsumatorët privatë kanë rritur pagesat e energjisë së faturuar, duke arritur në muajin qershor në 98 për qind.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›