Banorët u organizuan natën: Pas fadromave fshihen interesa
Tensioni në Hamallaj ka qenë tepër i madh. Të lajmëruar më parë për operacionin e prishjes së ndërtimeve pa leje në orët e para të mëngjesit të së enjtes, banorët kanë planifikuar bllokimin e rrugëve gjatë natës dhe mbrojtjen me trupa të objekteve që kanë ndërtuar gjatë këtyre viteve. Ashtu si qindra mijëra të tjerë në të gjithë vendin, ata kanë pritur legalizimin e objekteve të tyre. Aksioni ishte paralajmëruar rreth orës 02:30 të mëngjesit dhe kjo i ka vënë në lëvizje banorët e Hamallajt dhe Hidrovorit në bregdet. Orët e natës kanë qenë të gjata, pagjumësia dhe presioni për atë që pritej të ndodhte i ka mbajtur protestuesit nën tension deri në shfaqjen e inspektorëve të ndërtimit dhe forcave policore. Gurë, shkopinj, mjete rrethanore, shishe me benzinë dhe djegie gomash janë përdorur në vendngjarje nga protestuesit kur janë përballur me forcat speciale të policisë. Situata e krijuar bëri që kryeinspektori Bojaxhi të shtyjë ndërhyrjen në Hamallaj, ku janë evidentuar afro 150 ndërtime pa leje, shumë prej të cilave janë të banorëve të zonës.
Ndërkohë, Bojaxhi tha se objektet e planifikuara për prishje janë ngritur pas vitit 2007, kohë që nuk e cenon ligjin e legalizimeve.
Në këtë pjesë të bregdetit janë zaptuar edhe hapësira publike e private. Të përjashtuara nga procesi do të jenë ato të ngritura buzë detit në zonën turistike. A ka prapaskena pas këtij aksioni? Synim për çlirim hapësirash të zaptuara me qëllim shfrytëzimin e tyre për interesa të personave të tjerë që ia dinë vlerën kësaj pjese të bregdetit të Adriatikut? Protestuesit thonë po.
Madje përmendin dhe emra konkretë, ndërsa qëndrojnë në ankthin e jetës dhe cenimit të pronës, në emër të të bërit shtet në një shtet që deri dje nuk funksionoi, as i paralajmëroi për pasojat e veprimeve që do ndërmerreshin në të gjithë vendin dhe bregdetin.
#