E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Shqipëria, në vorbullën e një konflikti të stisur

Ish-kryeministri ironizon nga Gjirokastra klasën politike shqiptare

Ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano, i ka bërë thirrje nga Gjirokastra politikës shqiptare të gjejë urtësinë e përvojës 20-vjeçare të pluralizmit shqiptar për bashkëpunim në interes të zgjidhjes së krizën politike të stisur në vend. Ish-kryeministri Fatos Nano deklaroi dje në Gjirokastër se nuk është tërhequr ende nga skena politike, se është tepër i vëmendshëm dhe se pret që palët t’i kthehen urtësisë. Pas disa kohësh heshtjeje dhe mosprononcimi në mediat shqiptare, ish-kryeministri dhe lideri tradicional i së majtës, numri një në PSSH për afro dy dekada, Fatos Nano, nga Gjirokastra, ku ndodhej për të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të babait të tij, Thanas Nano (pas vdekjes), i ka bërë thirrje politikës shqiptare të të dy krahëve, që të gjejnë urtësinë e përvojës 20-vjeçare të pluralizmit shqiptar, për bashkëpunim në interes të zgjidhjes së krizën politike në vend, që sipas tij është një konflikt i stisur. Sipas Fatos Nanos, në këtë fazë të zhvillimeve politike që po kalon vendi, debatet politike janë krejt të palogjikshme. “Në vorbullën e konfliktit shterpë të politikës, kërkoj dhe nxis përfaqësuesit të ngrihen mbi palët konfliktuale të së kaluarës dhe ta ndërtojnë politikën e palës europiane në Shqipëri dhe në të mirë të Shqipërisë”, u shpreh Nano. Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ai e ka konsideruar këtë si një arritje të të gjitha palëve, si një fakt të kryer me të cilin “askush nuk mund të abuzojë, askush nuk mund ta privatizojë suksesin për këtë proces, asnjë aktor politik nuk mund të luajë me këtë sukses për të cilin kanë kontribuar të gjitha forcat politike në këto 20 vjet pluralizëm”. Liberalizimi i vizave nuk është më një çështje e ndonjë pale, nuk mund të privatizohet e të shtyhet, pasi tashmë vendi ka kaluar në një proces të pakthyeshëm, që Shqipërinë e ka bekuar vetë Zoti e askush nuk mund t’i vërë stërkëmbëshin, u shpreh në Gjirokastër Fatos Nano. I pyetur rreth krizës politike në vend, Nano tha se është për t’u çuditur, por qeverisja vendore e PS-së aktualisht bën më shumë opozitë se e majta në Parlament. Ish-kryeministri Fatos Nano, njëherësh ish-kryetar i PSSH-së deri në fund të vitit 2005, deklaroi dje në Gjirokastër se nuk është larguar dhe tërhequr nga politika, edhe pse prej kohësh nuk ka qenë pjesë e axhendës politike të ditës. “Nuk jam tërhequr nga politika, përkundrazi jam tepër i vëmendshëm dhe ndjek konfliktualitetin dhe tensionin e stisur politik të stinës, pres që palët të respektojnë njëra-tjetër si palë, e jo si kampe ndërluftuese, pres që ato t’i kthehen urtësisë”, tha Nano. Sipas tij, aktualisht në skenën politike shqiptare veprojnë tri palë. Sot në Shqipëri janë tri palë (flas për palë, jo për parti), mazhoranca qendrore, opozita që vende-vende është mazhorancë, si këtu në Gjirokastër dhe ndërkombëtarët, për të cilët të gjithë thonë “mezi i kemi”. Me sa duket, vazhdoi Nano, na duhet të vazhdojmë të nxisim pareshtur dhe gjatë që këto tre palë ta bëjnë si duhet punën. Për ta zhdramatizuar situatën dhe për të kuptuar më qartë atë që duket si tension politik i stisur i stinës, le të përdorim tri kategori të artit skenik, që janë: drama, komedia dhe tragjedia. Pala që ndodhet në pozita komike është qeveria, sepse ka me se, ka se ku, por s’ka me kë!? Në pozita dramatike duket se qëndrojnë ndërkombëtarët, sepse kanë me se, kanë me kë, por s’dinë se ku, në Strasburg, në Tiranë apo këtu në Gjirokastër!? Ka edhe një palë që ndodhet në pozita tragjike, që është opozita, sepse kanë se ku, kanë me kë, por s’kanë me se!? Po pres që ata që kanë me se, të bëhen partnerë me ata që kërkojnë me kë dhe ta bëjnë këtë vend më në fund jo vetëm anëtarë të NATO-s por edhe të BE-së, siç janë fqinjët tanë këtu në kufijtë tuaj. Fatos Nano, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe ish-këshilltari i tij, Agim Isaku, ishte i ftuar dhe mori pjesë dje në një ceremoni për dhënien pas vdekjes së titullit “Nderi i Lunxhërisë” babait të tij, Thanas Nano. Ceremonia e nisur në sallën e ish-kinemasë në lagjen Bashte e Teqesë në Gjirokastër, u la në mes dhe vazhdoi pas në një nga sallat e hotel “çajupit”, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Këtë episod Nano e lidhi me episodin e ceremonisë së varrimit të nënës së tij 15 vjet më parë, gjatë së cilës Nano mori pjesë i liruar përkohësisht nga burgu i Bënçës. “Ndërprerja e energjisë elektrike në sallë me kujtoi fadromat që kishin zënë rrugën ku kortezhi që çonte nënën time në banesën e përjetshme u ndalua nga ca fadroma të vendosura afër ‘Partizanit të Panjohur’, për të mos e lejuar atë të kalonte nga ‘sheshi i sherrit’, për sheshin ‘Skënderbej’ e kam fjalën, sepse qeveri e opozitë e kanë kthyer atë shesh në sheshin e sherreve të radhës mes tyre. Por unë, duke respektuar amanetin e Thanasit, që gjithmonë më thoshte ‘mos u merr kurrë me gjërat e vogla’, nuk dua të komentoj këtë ‘opozitë’ që u bë sot këtu në Gjirokastër”, përfundoi prononcimet e tij gjatë ceremonisë së nderimit të babait të tij, Fatos Nano.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›