E Diel, 1 Nëntor 2026

Bar miu në kafe, çifti nga Maliqi tenton vetëhelmimin



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Një çift që bashkëjetonte tentoi t’i japë fund jetës duke konsumuar bashkë me kafen edhe lëndë helmuese. A.M, 28 vjeç nga fshati Maliq i Korçës dhe gruaja 6 vjet më e madhe, me të cilën ai bashkëjetonte prej një viti, me inicialet E.B, kanë pirë së bashku bar miu, duke përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës.
çifti është gjetur pak momente pas vetëhelmimit nga të afërmit e djalit, të cilët i dërguan me urgjencë në spital. Policia e Korçës mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet, por vendimi i dy personave për t’i dhënë fund jetës duke pirë helm, ka mbetur ende mister. Sipas të afërmve të tyre, çifti nuk ka pasur konflikte me njëri-tjetrin, çka e vështirëson akoma dhe më shumë zbardhjen e motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila për pak do të përfundonte në tragjedi. Sipas burimeve, para se të konsumonin kafen dy bashkëshortët nuk kanë lënë asnjë letër, në të cilën do të shpjegonin shkaqet e “ikjes nga kjo botë” e as nuk kanë shfaqur shenja të ndërmarrjes së veprimit esktrem. Në fshatin Maliq pohojnë se e dinin të martuar këtë çift, edhe pse ata ligjërisht nuk ishin bashkëshortë. Sipas të dhënave, 34- vjeçarja E.B, kishte qenë e martuar më parë. Nga kjo martesë, e cila u pasua me divorc, ajo kishte dy fëmijë, njërin prej të cilëve e kishte me vete në familjen e re. Ende nuk dihen premtimet që të rinjtë i kanë bërë njëri-tjetrit dhe mënyra e njohjes së tyre, por sipas bashkëfshatarëve të tyre, 28-vjeçari e kishte mësuar martesën e parë të gruas së tij nga fshati Grabovicë i Pogradecit vetëm pasi kjo e fundit kishte vendosur të bashkëjetonte me të dhe të merrte me vete edhe njërin prej fëmijëve të saj, një djalë 6 vjeç. Të afërmit e 28-vjeçarit kanë aluduar se një shkak i mundshëm i vendimit për t’i dhënë fund jetës mund të ketë qenë edhe mospranimi nga ana e të riut e martesës së parë dhe fëmijës që ai duhej të rriste në vijim. Por kjo sipas policisë mbetet vetëm një hipotezë, pasi shkaqet do të zbardhen në kohën kur vetë çifti të kalojë rrezikun e jetës dhe të japë dëshminë. Aktualisht ata ndodhen në gjendje kome në spitalin e Korçës. Mjekët bënë të ditur se gjendja e tyre është ende kritike. Në shtëpinë e tyre policia ka gjetur dy filxhanët që u përdorën për kafen me helm nga çifti, të cilat i kanë kaluar laboratorit përkatës për të marrë edhe kampionë të pijes. Një tjetër dyshim i policisë lidhet edhe me opinionin e fshatit, banorët e të cilit e kishin paragjykuar lidhjen e dy të rinjve për shkak të së kaluarës së gruas, me një kurorë të mëparshme. Fakti që 34-vjeçarja i kishte sjellë edhe një fëmijë me vete 28- vjeçarit kishte kaluar jo pa bujë në këtë fshat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›