E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, Ujësjellësi i kërkon ndihmë Qeverisë për fonde



BERAT - Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit të Beratit kërkon ndihmën e drejtuesve vendor që të ndërhyjë pranë qeverisë për të zhbllokuar fondet për emergjencat. Së fundmi është bërë një projekt për tubacionet e ujësjellësit të Bogovës, i cili është aprovuar edhe nga grupi i punës i ardhur nga drejtoria e përgjithshme e ujësjellës-kanalizimeve. Reshjet e shumta të këtij dimri i kanë dëmtuar rëndë tubacionet duke lënë pa ujë të pijshëm qytetin e Beratit, Poliçanit si dhe 10 fshatra përreth tyre. Tashmë për ndërhyrjen në këtë rrjet duhen rreth 4 milionë lekë. Drejtori i ujësjellësit, Fatmir Shehu u shpreh se është bërë zëvendësimi e pjesshëm i tubacioneve. Por, sipas tij, ky zëvendësim është i përkohshëm pasi një rrëshqitje tjetër sado e lehtë të jetë do të dëmtonte rëndë tubacionet. Në fazën e parë të punimeve mësohet se janë akorduar rreth 5 milionë lekë, por tashmë kërkohet një fazë e dytë e punimeve në të cilën duhen edhe 4 milionë lekë të tjera. Sipas Shehit, drejtoria e tij i është drejtuar prefektit dhe kreut të Bashkisë së Beratit që të ndërhyjë në organet qendrore me qëllim sigurimin e fondeve për ndërhyrje. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›