E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rigoletto”kthehet në Teatrin e Operës



Tragjedia e lolos së mbretit rikthehet në skenën e teatrit Kombëtar, të Operës dhe Baletit. “Rigoletto”, melodrama në tre akte me muzikë të mjeshtrit italian Giuseppe Verdi, librat të Francesco Maria Piave mbi dramën “Mbreti argëtohet” të shkrimtarit Viktor Hugo, na sjell një nga veprat më të bukura dhe më popullore të Verdit. Një histori tragjike dashurie, që si rëndom mbyllet me sakrificën e heroinës, por që më shumë se për dramën është e njohur prej aries së saj të famshme “La donna e mobille”. Edhe në këtë vepër vijon bashkëpunimi me teatrot italiane. Jo vetëm dirigjenti, por edhe skenografi e kostumografi vijnë nga Italia. Nuk mungojnë të ftuarit edhe në radhët e interpretuesve. Kështu, mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre është Vittorio Parisi, tashmë një mik i përhershëm i skenës shqiptare të Operës dhe Baletit. Dirigjent Kori, Dritan Lumshi, ndërsa as/dirigjent Davide Pandini. Opera vjen nën regjinë e Nicola Zorzit, skenografi dhe kostume të Manuela Gasperonit. Të ftuar janë këngëtarët Paolo Drigo dhe Nikolay Bykov. Interpretojnë Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB-it dhe solistët Armaldo Kllogjeri, Ylber Gjini, Eva Golemi, Ramona Tullumani, Vikena Kamenica, Manjola Konjari, Lindita Kola, etj. Opera ngjitet në skenën e TKOB-it në datat 20-24 mars, ora 19.00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›