E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, 40 denoncime prej janarit



DURRES - Shtohet në mënyrë alarmante dhuna në familjet durrsake. Statistikat e policisë së Qarkut e konstatojnë fenomenin e rëndë dhe trendin e tij në rritje. Gjatë vitit 2008 në qarkun e Durrësit u shënuan 84 raste të dhunës ndaj gruas. Një vit më pas, në 2009-ën dhuna me shënjestër gruan u shtua në masën 70% duke arritur në 130 raste. Që nga fillimi i vitit 2010 e deri në këtë periudhë të muajit mars rastet e depozituara në polici numërohen në afro 40 të tilla. Shumë punonjës të OJF-ve në Durrës shprehen se “nuk është e vërtetë se dhuna në familje është dyfishuar vitet e fundit, përkundrazi në nivele të tilla kaq të larta ajo ka ekzistuar gjithmonë, por fenomeni ka qenë i fshehur, pasi gruaja nuk guxonte të denonconte”. E të njëjtit mendim me psikologet e shoqatës “Gratë me probleme sociale” është edhe zëdhënësja e policisë së Durrësit, Ornela Cako. “Shoqëria shqiptare e sidomos gruaja është duke u emancipuar vazhdimisht. është bërë shumë me futjen pak vite më parë të ligjit 9669, i cili mbron gruan nga dhuna fizike dhe psikologjike. është një ligj shumë i mirë, i kërkuar me forcë nga OJF-të dhe gratë e dhunuara, i cili ka gjetur vazhdimisht përkrahjen e policisë së shtetit dhe të gjyqësorit”, tha Cako. Në këtë mënyrë, ligji u ka hequr grave frikën për të denoncuar burrin, ndaj zhveshja nga kjo frikë ka bërë që të shtohet numri i denoncimeve në polici. Përsa i përket kërkesë-padisë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes (ligj i 18 dhjetorit 2006), detyrimet specifike të policisë nuk kanë të bëjnë me praninë fizike të forcave të rendit në afërsi të shtëpive të grave të dhunuara. “Policia merr urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtje për viktimat e dhunës, të cilat janë verbale (me përjashtim të ndonjë rasti ekstrem kur prania e policisë është fizike, pasi kërcënohet jeta e gruas). Policia garanton vendimet e gjykatave si dhe ndëshkimet që ajo u jep dhunuesve. Ornela Cako thotë për “Panorama” se “tashmë gratë kanë kurajën për të denoncuar dhe se ato nganjëherë vijnë në polici edhe me shenjat e freskëta të dhunës në trup apo fytyrë. “Në raste të rënda, të cilat janë të rralla, kur mjeku-ligjor konstaton plagosje nga dhuna, atëherë në bazë të provave dhunuesi arrestohet dhe përgjigjet para drejtësisë për këtë vepër penale”, tha Cako. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›