E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu kërkon lirimin e të tre të sëmurëve mendorë



TIRANE – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për lirimin nga qelia të tre personave të sëmurë mendorë, të cilët janë mbyllur në qeli me masat shtrënguese “mjekim i detyruar”. Në fakt, kërkesat në gjykatë i ka paraqitur burgu i Krujës, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar shqyrtimin e këtyre çështjeve dhe vendosjen pas kësaj të lirimit të tre të izoluarve apo vazhdimin e masës shtrënguese në ngarkim të tyre. Emrat e tre të burgosurve janë Fatmir Alihasani, Shpëtim Rama dhe Dritan Seferi. Të tre këta persona ndodhen në qeli për vepra të ndryshme penale që i kanë kryer në kushtet e papërgjegjshmërisë si pasojë e problemeve mendore nga të cilat vuajnë. Paditë janë depozituar në gjykatë pak ditë më parë dhe pas hedhjes së shortit janë caktuar gjykatësit që do shqyrtojnë çështjet. Të paktën Dritan Seferi, i cili ndodhet në qeli prej 6 vitesh, u arrestua në qendër të kryeqytetit me një thikë në dorë. Seferi, në momentet e krizave të rënda mendore kishte marrë thikën në shtëpi dhe i zhveshur nga mesi e lart nisi të qarkullonte nëpër sheshin “Skënderbej” ndërsa u filmua prej kamerave e të gjitha televizioneve që ndodheshin aty, për të përcjellë një aktivitet kulturor. Seferi nuk iu bind policisë për të dorëzuar thikën, çka bëri që të ndërhynin specialët për ta vënë në pranga. Disa muaj më pas, gjykata vendosi mbylljen e tij në psikiatri, duke urdhëruar mjekimin e detyrueshëm. Po kështu, e njëjta masë është vendosur edhe për dy të burgosurit e tjerë Fatmir Alihasani dhe Shpëtim Ramën. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›