Forcat speciale gjejnë pas 12 orë mes borës dy klandestinët
PESHKOPI - Forcat speciale maqedonase dhe ato shqiptare të RENEA-s shpëtuan dje jetën e dy të rinjve nga Dibra që tentuan të emigronin në Greqi nëpërmjet maleve. Policia dha lajmin e mirë se u gjetën shëndoshë e mirë dy klandestinët e deklaruar të humbur prej ditës së shtunë. Moisi Selami dhe Shaban Elezi janë gjetur rreth orës 06.00 të ditës së djeshme, falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me atë maqedonase. Dy djemtë e fshatit Bahutë kanë rezistuar për gjatë gjithë natës bllokimin nga bora, kanë përballuar të ftohtin e pazakontë si dhe kanë mundur frikën e panikun që i kishte pushtuar. Mesnatën e të shtunës, forcat e policisë së Maqedonisë njoftuan se e kishin të pamundur të vijonin kërkimet, pasi helikopteri ushtarak nuk përballonte erën e fortë, terrenin e thyer dhe errësirën. Por, kërkimet në terren të forcave speciale çuan në zbulimin e vendndodhjes së dy të rinjve, bllokuar në dëbora në malin Tanushë. Sapo janë gjetur ata janë dërguar me urgjencë për mjekim pranë spitalit të Dibrës së Madhe dhe është kontrolluar me kujdes gjendja e tyre shëndetësore. “Nga informacionet e marra nga pala e shtetit fqinj gjendja shëndetësore e dy të rinjve paraqitet normale. Pas verifikimit që do të bëhet nga pala maqedonase pritet ata udhëtojnë drejt shtetit tonë ku më pas do të kryhen veprimet përkatëse procedurale”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë shqiptare. Familjarët e Mojsi Selamit dhe Shaban Elezit nga Bahuta e Dibrës e konsiderojnë fat faktin se dy djemtë e tyre janë ende në jetë. Ata thonë se shpëtimi i tyre erdhi falë telefonit. “Që kur u nisën ne nuk ishim dakord, - tha babai i Moisi Selamit, Agimi. - U thamë se është dimër dhe kalimi nëpërmjet malit është me rrezik, por ata kishin vendosur të iknin. Kur mediat dhanë lajmin se djemtë tanë kishin mbetur të bllokuar në mal, e vetmja gjë që na erdhi në mendje ishte të komunikonim shpesh në telefon me djemtë, në mënyrë të atillë që ato të mos i zinte gjumi, pasi mund të ngrinin të gjallë mes borës. I merrnim herë pas here në telefon dhe u jepnim kurajo, duke iu thënë se policia shqiptare dhe ajo maqedonase janë vënë në lëvizje dhe do t’ju ndihmojnë shumë shpejt”. Pas mbërritjes në spitalin e kësaj komune Agim Selmani dhe babai i Shaban Elezit kanë kontaktuar me ambasadorin tonë në Maqedoni, Arben çejku dhe i kanë shprehur atij falenderimet për interesimin e treguar gjatë gjithë natës, deri në gjetjen e djemve të tyre. Sipas të afërmve të djemve, njëri prej tyre ishte përzënë nga policia e shtetit fqinj, madje i është kërkuar që për 5 vjet të mos shkelte në tokën helene, duke i detyruar të ndërmerrnin udhëtimin mes malit, nga Maqedonia. h.p