“Barça është destinacioni i preferuar i Mesut Ëzil”
Mesut ëzil është padyshim një prej lojtarëve më të përfolur dhe të dëshiruar të merkatos. Ylli i Kombëtares gjermane ka hedhur poshtë çdo mundësi për të rinovuar kontratën me Verder Bremenin: në këtë mënyrë, mesfushori me origjinë turke do të mund të zgjedhë lirisht skuadrën ku dëshiron të luajë, pasi gjatë verës së ardhshme do të jetë pa kontratë. Por, sipas të përditshmes spanjolle, “Sport”, destinacioni i preferuar i ëzil është Barcelona. Pasi dështuan në tentativat për të afruar kapitenin e Arsenalit, çesk Fabregas, drejtuesit e klubit “blaugrana” janë hedhur në sulm për 21-vjeçarin ëzil. Kjo edhe për faktin se ai është në gjendje të luajë në disa role në mesin e fushës, duke u përshtatur më së miri me Ksavin, Iniestën dhe Buskets. Lojtari dëshiron të luajë në “Kamp Nou” dhe diçka të tillë e ka deklaruar publikisht në kolonat e “Bild”: “Që në moshë të vogël kam qenë tifoz me Barcelonën. Nuk di ta shpjegoj, por kjo skuadër më mahnit. Aty kanë luajtur gjithmonë lojtarët më të mirë: Figo, Rivaldo e tani Mesi”. Duke qenë se ka vetëm një vit në kontratë dhe Verder Bremeni nuk dëshiron ta humbasë me parametër zero, aktualisht ëzil kushton 15 milionë euro.
#