E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania ndërron ambasadorin në Tiranë

Fiona McIlwham është emri i kryediplomates së re të Mbretërisë së Bashkuar në kryeqytetin shqiptar. Në një njoftim për shtyp, të vendosur në faqen e internetit të kësaj përfaqësie diplomatike, është publikuar para tri ditësh lajmi për largimin e ambasadorit aktual, Fraser Wilson. "Zonja Fiona McIlwham është emëruar ambasadore në Republikën e Shqipërisë, pas tërheqjes së Fraser Wilson pas largimit të tij nga shërbimi diplomatik", thuhet në njoftim. Sipas asaj çka njoftohet, zonja McIlwham do të marrë zyrtarisht emërimin në muajin maj të këtij viti. Gjatë viteve 1998-1999, ajo ka shërbyer si G8 "Desk Officer", Ndër funksionet e tjera citohet ai i sekretares së dytë në ambasadën e Britanisë në Sarajevë. Në intervalin 2002-2003, ajo ka drejtuar përfaqësinë diplomatike të vendit të saj në Banja-Luka. Në vitin 2006 ka shërbyer në Irak, në zbatimin e projekteve pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Konsullatës Britanike në Basra. Më tutje, në 2006-2007, ka shërbyer si nëpunëse ndërlidhjeje për Irakun dhe vendet e Lindjes së Mesme në Departamentin e Shtetit në Uashington. Në vitin 2007, ka shërbyer si sekretare e parë për Lindjen e Mesme në Uashington. Fraser Wilson paraqiti kredencialet si ambasadori britanik në Shqipëri më 27 nëntor 2006. Ai ishte i martuar, me dy fëmijë dhe kishte shërbyer jashtë Britanisë në disa misione britanike, përfshirë këtu si zv/konsull i Përgjithshëm në Sao Paulo, ambasador në Turkmenistan dhe së fundmi si komisioner i lartë në Seishelle. Z. Wilson ka shërbyer edhe në disa poste në Londër, si në Departamentin e Evropës Perëndimore, Departamentin e Lindjes, Inspektoratin e Shërbimit Diplomatik jashtë Britanisë dhe Departamentin e Territoreve jashtë Britanisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›