Rama: Mazhoranca, shkatërrim dhe korrupsion galopant
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me vullnetarët e Fushë-Krujës. Rama është ndalur te problematika kryesore e zonës që është shkatërrimi i vlerave natyrore të saj. Kreu i PS-së nënvizoi se as pushtuesit ndër vite nuk kanë shkatërruar vlerat e kësaj zone. "Ata që u përpoqën që ta pushtonin këtë territor 500 vjet më parë, mbahen mend si zjarrvënësit rreth e rrotull Krujës, por sot, vetëm në katër vjet, ata që qeverisin do të mbahen mend si kafshuesit e pamëshirshëm të zonës rreth Krujës", u shpreh Rama. Duke folur për shkatërrimin natyror, ai tha se ka ardhur si pasojë e korrupsionit galopant të kësaj mazhorance. Ata që e votuan Sali Berishën në 2005-ën në këtë zonë, theksoi Rama, nuk e votuan për të zhdukur barbarisht pasurinë e saj. "Duke hedhur votën për Sali Berishën, nuk e kanë menduar se Sali Berisha dhe qeveria e tij do t‘i bënin kësaj zone të bekuar dëmin e pallogaritshëm që po i bëjnë, duke shfrenuar një babëzi të papërfytyrueshme dhe duke e kthyer këtë monument të natyrës dhe historisë, në një monument të korrupsionit, të papërgjegjshmërisë, të babëzisë dhe të gjithçkaje që mishëron kjo keqqeverisje", nënvizoi kreu socialist. Rama bëri apel që askush të mos ta lërë vendin bosh, por të marrë përgjegjësinë historike që i takon në këto momente, për të vendosur fatin e gjeneratës së re. "Askush s‘mund ta parafytyronte atëherë se 18 vjet pas lindjes së institucioneve të lirisë, Shqipëria do të kishte një liri kaq të varfër në vlera, kaq të kushtëzuar nga marrëdhëniet me politikën në pushtet, kaq të kufizuar në lëvizje dhe kaq të kërcënuar nga mungesa e sigurisë së jetës", konstatoi Rama. Sipas tij, numërimi i gjërave që fatkeqësisht ndodhën jashtë parafytyrimit tonë të ditëve kur rënia e murit të diktaturës komuniste na shpalosi përpara syve mundësinë reale të Shqipërisë së gjithë Evropa, është i tej gjatë. "I tej gjatë është edhe numërimi i gjërave që fatkeqësisht nuk ndodhën siç do të duhej të ndodhnin", tha ai. Sot, vijoi Rama, është momenti për të numëruar ditët që i kanë mbetur kësaj politike pa shpirt, pa sy, pa veshë, e cila e katandisi Fushë-Krujën, Krujën e gjithë Shqipërinë në territorin më të sakrifikuar prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë e korrupsionit të politikanëve të vet.